E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet 61-vjeçari, dyshohet për lëndë narkotike

 

SHKODËR- Polica ka ndaluar një 61-vjeçar, pasi në dyqanin e tij u gjend një pako që dyshohet të ketë lëndë narkotike. Sipas policisë së Shkodrës, Shyqëri Kokuçi, 61-vjeç, lindur e banues në lagjen "Partizani", ka qenë duke shërbyer në dyqanin e tij, i cili ndodhet në një prej rrugicave të lagjes pas drejtorisë së policisë. Dyqani tregton artikuj të ndryshëm dhe shërben edhe si lokal i vogël me pak tryeza. Gjatë kontrollit që polica ka bërë në ambientet e brendshme të dyqanit, nën frigorifer ka gjetur një paketë drejtkëndëshe me peshë 239.3 gram, e mbështjellë dhe që dyshohet se ka brenda lëndë narkotike. Mësohet se policia është lajmëruar në rrugë operative me anë të një telefonate për ekzistencën e një sasie droge në këtë dyqan. Duke dyshuar që ajo mund të jetë vënë dhe qëllimisht për të dëmtuar pronarin e dyqanit, paketa e gjetur është dërguar për ekspertizë të shenjave të gishtërinjve dhe të asaj që ka brenda, në laboratorët përkatës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e pronarit të dyqanit, e cila ndodhet pranë dyqanit, janë gjetur dhe sekuestruar si provë materiale dhe 15 fishekë model 54 dhe 9 fishekë model 56. Po hetohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ky dyqan ka qenë objekt sulmi dhe në gushtin e vitit të kaluar, ku në të u vendos një sasi lënde plasëse duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ndonëse kjo ngjarje nuk është zbuluar, si motiv i saj mendohet të ketë qenë konkurrenca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›