E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, pranga 20-vjeçarit për trafik klandestinësh

 

GJIROKASTËR- Anëtari i një rrjeti trafikimi të qenieve njerëzore ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës. Burime zyrtare të këtij institucioni kanë bërë të ditur se pranë vijës së gjelbër të kufirit, në afërsi të fshatit Kakavijë, mesnatën e së martës nga ana e Specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar janë kapur 6 klandestinë, në tentativë për të hyrë në territorin grek në mënyrë të paligjshme. Pas marrjes në pyetje, është bërë e mundur të provohej që njeri prej këtyre shtetasve, dhe pikërisht 20-vjeçari Zamir Meta, me banim në fshatin Gorishovë të rrethit Fier, të ishte pjesë e një grupi të organizuar, që transportonin klandestinë në anën tjetër të kufirit. Mësohet se Meta i priste klandestinët në Gjirokastër dhe pasi i strehonte në hotele të ndryshme, ditën e nesërme i kalonte nëpërmjet kufirit të gjelber deri në Janinë, ku atje i prisnin persona të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi të organizuar për t'i dërguar në destinacionet e tyre. Sipas policisë së Gjirokastrës, rrjeti i trafikantëve e ka fillesën e vet në qytetin e Fierit dhe si itinerar përfundimtar qytetin e Janinës në Greqi. Ndërsa për rastin e fundit secili prej klandestinëve do të paguante një shumë prej 600- 700 euro në këmbim të largimit drejt Greqisë. Ndërkaq, policia po vazhdon punën për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi dhe vënien e tyre para drejtësisë. Ky është rasti i dytë brenda dy ditëve të fundit që persona që tentojnë trafikimin arrestohen nga policia. E.Bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›