E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet anija me arme per Sirine

Flota libaneze ndaloi një anije të mbushur me municione të rënda, mëngjesin e së dielës.
Mjeti lundronte me flamurin e Sierra Leones dhe ishte duke transportuar armë për kryengritësit sirianë. 11 anëtarët e bordit u arrestuan pas inspektimit të realizuar në det.

Sipas agjensisë “Reuters”, disa prej armëve ishin pjesë e stoqeve libiane. Pritej që anija të ndalonte në një port në veri të Libanit, në Tripoli. Milos Strugar, një zëdhënës i forcës së brendshme të OKB-së në Liban (Unifil), strukturë e ngarkuar me parandalimin e hyrjes së armëve ilegale në vend, konfirmoi lajmin. Tripoli, qyteti port që mban të njëjtin emër si kryeqyteti i Libisë, është shndërruar në një bazë të rëndësishme për trafikimin e armëve për kryengritësit sirianë dhe Damasku zyrtar është ankuar vazhdimisht rreth kësaj.

Ndalimi i anijes në fjalë konfirmon pretendimet ruse se Libia, e ndihmuar edhe nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, është shndërruar në një burim kryesor furnizimi për rebelët, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në destabilizimin e Sirisë.

OKB aktualisht ka rreth 15 vëzhgues në Siri, të cilët po monitorojnë armëpushimin edhe pse dhuna në vend ka vazhduar .

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›