Ndalohet në SHBA akademiku shqiptar, ngiste veturën e djalit

Akademiku shqiptar, Kosta Barjaba, është ndaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Paolo Alto të Kalifornisë.
Mediat e këtij vendi bëjnë me dije se është arrestuar Kosta Barjaba dhe Fatbardha Barjab, 52 vjeç, burrë e grua, si dhe vajza e tyre 23 vjeç, Joniada.
Ngjarja ka bërë menjëherë bujë në mediat shqiptare, ndërkohë që policia amerikane ka deklaruar se ata u arrestuan me akuzën e vjedhjes dhe planit për të kryer vjedhje. Ata janë liruar nga paraburgimi pas pagesës, ndërsa vetë Barjaba ka sqaruar arsyet e ndalimit.
Barjaba tha se nuk është i vërtetë lajmi për grabitjen. Sipas tij, kjo është një shpifje e medias.
Ai tha se ishte në makinën e djalit të tij së bashku me gruan e vajzën. Sipas tij, ata janë ndaluar në parkimin e një qendre tregtare pas një lëvizje të gabuar me makinë. Barjaba tha se ai nuk kishte autorizim për të ngarë makinën e të birit.
Barjaba është akademik dhe drejton grupin e punës në PS për çështjet sociale./Indeksonline/