Humbin jetën dy vetë në tre aksidente
Korçë- Dy të vdekur dhe tre të plagosur është bilanci i tre aksidenteve tragjike të ndodhura vetëm në 48 orët e fundit në juglindje. Pas vdekjes në mënyrë tragjike të një 11-vjeçari dy ditë më parë, një tjetër tragjedi është regjistruar në rrugët e qarkut të Korçës. Viktima e radhës është një 35-vjeçar, i cili ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në aksin nacional Koçë-Ersekë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së kaluar, bëjnë të ditura për gazetën burime zyrtare të policisë, teksa 35-vjeçari i identifikuar si shtetasi Elton Ruço po shtynte makinën e tij, që kishte pësuar një defekt gjatë udhëtimit. Në fakt gjithçka ka rezultuar fatale për të riun që nuk ka menduar se defekti në makinën e tij do t’i rrëmbente jetën. Në kohën që viktima është përpjekur të verë në punë mjetin e tij duke e shtyrë atë, ai është goditur nga një makinë me targa greke, duke mbetur i plagosur rëndë. 35-vjeçari është transportuar më pas për në spitalin e Ersekës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë përplasjes. Burime të policisë bëjnë të ditura se viktima ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Ndërkaq kjo e fundit ka bërë të mundur ndalimin e autorit të aksidentit shtetasin Kristif Koço, 52 vjeç, që kishte ardhur vetëm për disa ditë me pushime nga Greqia për t’u çmallur të afërmit e tij. Sipas policisë, nga hetimet e para të saj, rezulton se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së madhe të automjetit me targa greke dhe sinjalistikës së munguar në këtë aks, që shpesh herë është bërë shkak për aksidente të rënda tragjike. I arrestuari nën akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen” ka bërë të ditur në polici se errësira e natës dhe terreni malor nuk i ka mundësuar atij të shohë fatkeqin që ishte duke shtyrë mjetin e tij që kishte pësuar defekt dhe nuk mund të ecte. I.V.