E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj me banorët e Petrelës, Farkës e Baldushkut: Në mandatin e tretë, investojmë deri në cepin më fundor të Tiranës

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, janë takuar këtë të martë (9 maj) me banorët e Petrelës dhe të zonave të Farkës dhe Baldushkut, ku paraqiti programin e tij elektoral.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se investimet e bashkisë në këto zona, kanë sjellë një transformim të jashtëzakonshëm.

Për të gjithë fermerët e zonës, Veliaj tha se sapo është hapur trego agroushqimor i Farkës, ku mund të shesin prodhimet e tyre bio, duke kursyer 70% të kostos që ua merrte deri më tani privati.

“Ne duam që fshati të fitojë, fermeri të fitojë, qytetari të fitojë, tregtari të fitoje, jo pronari i tregut. Sot filluam heqjen e monopolit të një tregu privat, që i shiste produktet që prodhohen këtu buzë Erzenit, te serat e Baldushkut, Petrelës, Farkës, sikur vinin nga Kolumbia apo Ekuadori. I shiste sikur të ishin bananet që vinin nga larg, ndërkohë që produktet rriten te nahija jonë, te lagja jonë, shkojnë në anën tjetër të Tiranës, merr fitimin privati dhe kthehen prapë te dyqani i lagjes me një çmim më të lartë. Sot e kemi thyer këtë monopol me tregun e ri agroushqimor, një kontribut i qeverisë dhe i bashkisë. Prandaj, na duhet qeveria se mund t’i bëjmë gjërat bashkë,” tha Veliaj.

Ai përmendi edhe një prej investimeve më të mëdha si Unaza e Madhe e Tiranës, e cila jo vetëm i lidh tashmë më shpejt banorët me qendrën e Tiranës, duke i dhënë frymëmarrje trafikut, por i ka rritur vlerën çdo prone deri në periferi.

“Ne duam që të mos ndalojë autostrada në Farkë të Madhe. Prandaj, kanë filluar të 7 lotet e autostradës, nga Farka e Madhe në Surrel, nga Surreli te IKV-ja, nga IKV-ja te ‘Kokonozët’, nga ‘Kokonozët’ te Kodra e Priftit, nga Kodra e Priftit në Tufinë, nga Tufina në Paskuqan, nga Paskuqani në Kamëz, nga Kamza te ‘Treshi’, e mandej në Laprakë, ku përfundon e gjithë Unaza e Tiranës. Ne duam të vijojmë të njëjtën gjë edhe për disa nga zonat më periferike, siç është ura e re për lagjen e Bonarakëve, që po bëjmë, apo siç janë shumë prej rrugëve rurale. Duam që ky mandat i tretë, tani që kemi mbaruar projektet e mëdha, si Sheshi, Piramida, Tregu Agroushqimor, Unaza, Bulevardi i Ri, Pazari, Kalaja, Liqeni i Farkës, të shkojmë deri në cepin fundor, ku çdo shqiptar i mirë ta ketë shërbimin, ta ketë asfaltin, ta ketë rrugën, ta ketë urën”, përfundoi Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›