Ndalohet synetia në spitalin e Cyrihut!

Mjekët të cilët në Gjermani i bëjnë synet fëmijët meshkuj duke pasur për bazë rregullat fetare, në bazë të vendimit të tillë do të përballen me ligjin, për kryerje vepre penale.
Ky vendim ka nxitur debat edhe në spitalin e Cyrihut për fëmijë. Përgjegjësi për informim në këtë spital ka deklaruar për mediet e këtushme se vendimi i përmendur gjyqësor nga Gjermania ka sjellë një mënyrë të re qasjeje etike lidhur me këtë problematikë. Për këtë arsye në spitalin në fjalë është marrë vendim që përkohësisht të ndërpriten operacionet e synetisë, raporton Albinfo.ch.
Me këtë akt synohet të krijohet qartësia nëse ndërhyrjet e përmendura kirurgjike, në kushtet kur fëmijët janë tepër të vegjël për të dhënë pëlqimin, janë të pranueshme ose jo.
Zëdhënësi ka shtuar se megjithatë nuk duhet pritur se do të ketë pasoja juridike për ata që bëjnë synet. Kjo, në radhë të parë për faktin se një endnim i një gjykate nga Gjermania, sikur ajo e Këlnit nuk mund të ketë ndikim në Zvicër.
Zyrtari për medie më tutje ka thënë se në këtë spital zakonisht janë kryer një deri në dy syneti në muaj. Ai ka shtuar se pas konsultimeve, së shpejti do të vendoset nëse këto operacione do të fillojnë të bëhen sërish ose jo.
Ndërkaq, operacionet e tilla, për shkaqe shëndetësore do të vazhdojnë të kryhen sikur deri më tash.