E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndaloi një automjet funerali, aksidentohet polici rrugor

Dy përplasje kanë ndodhur dje në rrethin e Elbasanit, ndërkohë që janë plagosur një polic dhe tre shtetas


ELBASAN - Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e së mërkurës, ku nga përplasja e dy mjeteve në hyrje të Peqinit janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe një efektiv i policisë rrugore që ishte me shërbim në vendin e aksidentit. Po kështu në një tjetër përplasje në hyrje të Elbasanit një grua mbeti e dëmtuar teksa drejtonte mjetin e saj "Golf".


Aksidenti i parë ndodhi në vendin e quajtur Kthesa e Gjocajt në autostradën e Peqinit. Automjeti tip "Benz" me targë AB 135 PK, i drejtuar nga shtetasi Ramazan Trimi, me banim në Dragot të Elbasanit, është përplasur me automjetin tip "Benz" me targë TR 2747 G i drejtuar nga Arben Mema me banim në Tiranë.


Si pasojë e përplasjes së automjeteve ka mbetur i plagosur rëndë punonjësi i qarkullimit rrugor, Ilir Mehmeti, 35 vjeç, me banim në Elbasan, i cili në atë çast ishte duke kryer shërbimin në këtë aks rrugor.


Punonjësi i policisë rrugore është dërguar në spitalin e Elbasanit, por duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore ai është nisur për shërbim më të specializuar drejt Maqedonisë. Mësohet se në çastin e ngjarjes, automjeti i drejtuar nga shtetasi Ramazan Trimi ishte duke transportuar një kufomë që vinte nga Italia dhe udhëtonte drejt fshatit Dragot.


Sipas dëshmisë së njërit prej drejtuesve, efektivi i policisë ka dalë në rrugë duke ndaluar menjëherë automjetin e shërbimeve funerale, por mjeti tjetër që vinte pas tij, është gjendur pa përgatitur për këtë dhe fillimisht është përplasur me mjetin funeral e më pas nga devijimi ka marrë përpara edhe efektivin e policisë.


Ende nuk janë përcaktuar qartë shkaqet e aksidentit, si dhe fajtorët. Dy drejtuesit e mjeteve të dëmtuara kanë përfunduar në spital me dëmtime të lehta.


Por aksidentet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi rreth një orë pas këtij aksidenti, një tjetër është regjistruar në hyrje të Elbasanit.


Automjeti me targë TR 7106 L, i drejtuar nga Klejda Zaimi, 29 vjeçe, me banim në Tiranë është përplasur me një furgon udhëtarësh me targë PE 043 A i drejtuar nga Nuredin Çela me banim në Peqin në vendin e quajtur "Lulet" në autostradën Elbasan-Metalurgji.


Furgoni transportonte udhëtarë nga Elbasani në drejtim të Peqinit. Nga ky aksident ka mbetur e plagosur shtetasja Klejda Zaimi dhe kanë marrë plagë me të lehta disa shtetas të tjerë. Në të dy aksidentet ka nisur procedimi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.



 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›