E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndaloni maskaradën me Qarkun në Fier

Pirro Lutaj

Deputet, Fier

Grupe korruptive dhe të rrezikshëm për jetën dhe familjet e këshilltarëve të Aleancës për të Ardhmen në qarqet Fier dhe Gjirokastër, prej afro 3-muajsh, po përdorin praktika mafioze dhe metoda presioni të pashembullta, me qëllim përmbysjen e institucioneve lokalë ligjorë. Kjo lojë po bëhet shumë e rrezikshme për ata që e dirigjojnë, dhe po aq e rrezikshme për normat minimale të një shteti demokratik. Ky i fundit po dëshmon rënien përfundimtare, e për pasojë shpërbërjen e institucioneve të tij.

Zotërinj Pushtetarë! Po ju them si qytetar, si intelektual e për më tepër si një prej deputetëve të Qarkut të Fierit: merrni masat e duhura dhe ndalojeni këtë maskaradë! Pushteti i së drejtës dhe vota e popullit nuk mund të grabiten e as të manipulohen nga deputetë të Parlamentit, të cilët kanë hipur tashmë në kurrizin e një traktoristo-prefekti në Qarkun e Fierit, dhe nuk e di në çpozicion ndodhen me Prefekten e Qarkut të Gjirokastrës. Ndalojeni, sepse kostoja do të jetë tragjike për të gjithë!

Shkelja flagrante e ligjit dhe Kushtetutës nga Institucionet e Prefektit të Fierit dhe Gjirokastrës, kapërcimi kacavjerrës i kompetencave të këtyre institucioneve, dhe, më shumë se kaq, prepotenca partiako-shtetare, mbi parimin kriminal se gjithçka mund të jetë pronë në duart e një grupi gjysmëburrash kur këtë e kërkon mafia politike, dëshmon qartë se situatën e ndajnë nga viti 1997, vetëm pak milimetra.

Historia kriminale për të cilën po flas, të paktën për Qarkun e Fierit, daton nga 21 shtatori 2011 dhe kulmon me pushtimin e institucionit të Qarkut, pak ditë më parë, nga Prefekti, i shoqëruar fatkeqësisht nga Policia e Shtetit, me qëllim marrjen e karriges së Kryetarit të Qarkut. Ky soj prefekti, i gjunjëzuar përpara urdhrave të partisë-shtet, ka guxuar të krijojë struktura paralele me pushtetin vendor sipas parimit diktatorial se mund të arrijmë gjithçka duam me dhunë.

Ky prefekt delikuent, i mjerë mendërisht së bashku me këshilltaret e tij të mbërritur nga Tirana në Fier, nën bekimin e vetë Saliut, guxuan pardje më 16 nëntor, thirrjen e një mbledhjeje të çuditshme, në një objekt privat të rrethuar me polici gjithfarëlloj.

Mbledhja e Këshillit të qarkut të nderuar të Fierit, nuk mund të zhvillohet nëpër hotele, por këta farë burrash, e bënë. Kanë siguruar sipas tyre, numrat e këshilltarëve fantazmë e të pamoral, në Bashkinë Patos, Komunën Dërmenas, Komunën Seman etj. Në fakt kanë dhunuar qytetarë e këshilltarë, kanë vendosur gjoba deri 9 milionë lekë të reja ndaj tyre, kanë hequr nga puna familjarë dhe kanë rrahur barbarisht të tjerë. Ata kanë shpikur një kushtetutë të rrugës, ku këshilltari me mandat të marrë nga populli mund të shkarkohet apo të ngarkohet me një tjetër mandat të dhënë nga prefekti zetorist.

Për çmendurinë që ndodh në Fier, mjafton ti referohemi Vendimit të Gjykatës së datës 12 nëntor 2011, e cila arsyeton: Gjykata çmon se në rast të zbatimit të aktit administrativ, të prefektit të Qarkut Fier për mbledhjen e këshillit të Qarkut, ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm për kërkuesin (PS), në kuptim të nenit 329 të K.Pr.Civile… – Në këtë vendim theksohet gjithashtu: Për këtë arsye, duke qenë se Gjykata, ende nuk është shprehur me vendim përfundimtar, lidhur me vlefshmërinë e aktit administrativ për zgjedhjen e Kryetarit, Zv.kryetarit dhe Këshillit të Qarkut Fier, nuk mund të zbatohet e gjenerojë pasoja juridike një akt tjetër administrativ për zgjedhjen e tyre, pasi do të kemi tejkalim të detyrimit të vendosur nga Gjykata – Po kush do ta lexojë vendimin e Gjykatës? Bujari?!

Aktet e paprecedentë që po ndodhin me Qarkun e Fierit dhe të Gjirokastrës, në mënyrë të përsëritur, janë mirëfilli veprime mafiozësh që dëshmon shembjen e shtetit, shembjen e ligjit në Shqipëri. Dirigjentët e këtyre maskaradave, i përmbushin të gjitha kriteret për tu cilësuar nga drejtësia me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ata të kujtojnë organizimin e strukturave të Koza Nostra-s e Ndrageta-s në Italinë e viteve 80-të.

Unë po përcjell këtu apelin e qytetarëve të Mallakastrës, Lushnjës dhe Fierit, por edhe atyre në Tepelenë, Përmet e Gjirokastër: U ka vajtur thika në palcë me këtë sjellje prej banditësh nga njerëz me imunitet jo të dhënë nga populli, por të fituar nga dallaveret. Dhe nëse Sali Berisha nuk e ndalon maskaradën e koalicionit të turpit në Qarkun e Fierit dhe të Gjirokastrës, frenimi i revoltës popullore, nuk do të jetë më as detyra jonë, as përgjegjësia jonë. Por ju siguroj, nuk do të jetë as mundësia e koalicionit të plehrave që ndyu Shqipërinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›