Ndarja e Kosovës do të ishte bombë për Ballkanin
Pak kush në këtë botë nuk ka dëgjuar për masakrën e Srebrenicës, ku forcat çetnike serbe pamëshirshëm i ekzekutuan mbi 8000 myslimanë të Bosnjës. Edhe pas 15 vjetësh kur u krye kjo masakër, ende janë të freskëta plagët për familjarët dhe për të gjithë njerëzit e mirë të kësaj bote. Kjo masakër, nga organet kompetente ndërkombëtare, u kualifikua si gjenocid. Nëse u bë një kualifikim i tillë, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja:se si bëhet që Serbia të mos dënohet për gjenocid!
Në vitin 2007, kreu shtetëror i BH-së kishte kërkuar që të përtërihet procesi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për gjenocid, process ky që ishte refuzuar edhe një herë më parë prej kësaj gjykate. Në anën tjetër, boshnjakët e Srebrenicës, të pakënaqur me pozitën e vet pas Dejtonit, e patën paralajmëruar shpërnguljen masive nga ky qytet, po në këtë vit. Deklarata e vitit 2007 e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice, ku thuhej se kryeprokurorja Carla del Ponte ka arritur marrëveshje me Beogradin, ia ka mundësuar Serbisë që t´i fshehë dëshmitë për përzierjen e saj në krimet e luftës në BH dhe në Kroaci. Se ky prokuror kishte të drejtë, flet fakti se zonja Del Ponte, në librin e saj “Gjahu, lufta ime dhe kriminelët e luftës”, kishte bërë përpjekje për ta manipuluar opinionin botëror, se gjoja pjesëtarët e UçK-së paskëshin rrëmbyer afërisht 300 civilë serbë dhe joshqiptarë, duke i dërguar në një fshat afër Burrelit, në Shqipëri, e të cilët pastaj i kanë vrarë dhe marrë organet për t’i trafikuar.
Zonja Del Ponte, dashur padashur, e barazoi viktimën me xhelatin. Serbia e ka merituar të dënohet për gjenocid, sepse Millosheviqi u përkrah nga shumica e popullit serb. Edhe Serbia e Tadiqit, i cili po paraqitet si reformator, shumë pak dallon nga koha e kryekriminelit Millosheviq. Serbia moti kishte hartuar elaborate shfarosëse karshi popujve josllavë në ish-Jugosllavi. Kjo krijesë artificiale ka mundur të shpërbëhet edhe pa luftë, kur dihet se edhe me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë secili popull e kishte të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Por, fatkëqësisht, kështu nuk menduan edhe qarqet fashiste të Beogradit, që për ekzekutor të projekteve famëkëqija zgjodhën monstrumin e quajtur Sllobodan Millosheviq.
Pak kush ka menduar se serbët do të shkojnë aq larg, sa të tentojnë edhe zhdukjen nga sipërfaqja e dheut të entitetit mysliman dhe shqiptar. Shtetet demokratike shumë ngadalë vepruan për ta ndalur këtë përbindësh të Ballkanit. Një pjesë e madhe e fajit për masakrën e Srebrenicës bie edhe mbi supet e forcave paqëruajtëse të Holandës, sepse ky qytet ishte shpallur zonë e sigurisë e OKB-së. Kryekrimineli i kësaj masakre, Ratko Mlladiq, ende shëtitet i lirë diku në Serbi, pa frikën se do të ndëshkohet. Madje serbët u kujtuan që atë ta shpallin si të vdekur!!! Serbët ia dorëzuan kriminelin Karaxhiq organeve të TPI-së vetëm për të përfituar politikisht nga ai. Dhe, për çudi, edhe përfituan!Prandaj, edhe arrestimi i Ratko Mlladiqit, tash për tash, për Serbinë nuk ka ndonjë levërdi.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, sa për sy e faqe mori pjesë në ceremoninë e masakrës së Srebrenicës. Ai kurrë deri me sot nuk e bëri një kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar të forcave serbe mbi myslimanët dhe shqiptarët e pafajshëm. Tadiqi as që e bën dert për të vrarët dhe të masakruarit e Srebrenicës. Ai shkoi në këtë vend për t’u bërë “human” , kur dihet se edhe pak ditë na ndajnë kur do të merret vendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Askush me mendje të shëndoshë nuk ka pritur një rehabilitim kaq të shpejt të një shteti, i cili për 20 vjet me radhë është duke prodhuar krizë në Ballkanin Perëndimor. Askush nuk e ka paramenduar se Serbia, para Shqipërisë dhe Bosnjës, do të përfitojë në liberalizimin e vizave. Rusia, por edhe qarqet e caktuara proserbe evropiane, pareshtuar janë duke e përkrahur Serbinë në planet saj për ndarjen e Kosovës, aq shumë e aktualizuar kohëve të fundit. Kohë më pare, po nga këto qarqe, ishte lançuar teza dhe ishin bërë edhe disa sugjerime se Kosova duhet të inkuadrohet në strukturën e BE-së, sipas modelit të Irlandës Veriore ose Qipros, që do të thotë automatikisht kthim prapa të proceseve politike. Ndarja ose enklavizimi i Kosovës, siç theksoi edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, do ta kthente Ballkanin drejt kohërave më të errëta të tij. Por, rusët dhe serbët janë duke punuar edhe në variantin e ngjashëm me atë të Bosnjes, i cili plan mendohet se qarkullon edhe brenda BE-së, që Kosova të pranohet në kufijtë e vet administrativë, por të funksionojë me dy republika - shqiptare dhe serbe. Edhe incidentet e pareshtura gjatë këtyre vjetëve në Kosovë, nga organizatat e ndryshme kriminale serbe, të instrumentalizuara nga Beogradi kanë vetëm një qëllim - ndarjen e Kosovës.
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi dolën me deklarata se nuk do të bëhen kurrfarë bisedimesh eventuale me Serbinë për ndarjen e Kosovës, ose shkëmbim territoresh, siç po thuhet nga shumëkush.Nëse eventualisht ndodh që ky variant të futet në bisedimet që priten të mbahen, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet asgjë tjetër, veçse ta hartojnë platformën e tyre politike për bashkimin kombëtar…