E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk duhet që Rama t’i bjerë fyellit në një vrimë!

Mungesa e argumentit e detyron njeriun t’i bjerë fyellit në një vrimë. Nuk ka gjë më të vështirë sesa të merresh vesh me atë, që ka probleme me veten. Ashtu siç nuk ka mjerim më të thekshëm, sesa këmbëngulja në gabimet e tua. Toleranca buron edhe nga keqardhja fyese ndaj kundërshtarit. Komunizmi i edukoi ithtarët e vet ta përfyrojnë veten fitimtarë, edhekur janë të mundur. Mjerë kujt i takon të sjellë në rrugë të mbarë ata që nuk i shohin me dyshim veprimet e veta. Atij që përpiqet të marrë pushtet me çdo kusht, i duhet të sajojë doemos shpifje ndaj kundërshtarit. E.Rama po loz edhe sot e gjithë ditën bllofin e kumarit të tij politik. Ndoshta prandaj proklamohet jopolitikan, ndërkohë që sillet sikur ka lindur t’u japë mend edhe korifejve të demokracísë. Që vota e lirë është alfa e shtetit ligjor, nuk është zbuluar nga Rama. Që zgjedhjet e lira garantojnë pushtet të ligjshëm, e di edhe më profani. Ndërsa, që reformat madhore arrihen me konsensus, e mësojnë edhe fëmijët nëpër shkolla. Por, të akuzosh pa baza zgjedhjet, me qëllim që të shpëtosh veten nga humbja totale, është, më e pakta, një arrogancë, e cila kërcënon edhe ekuilibrin moral të procesit zgjedhor.
Megjithatë, Ramë “idealisti” nuk mban të njëjtin qëndrim në lidhje me votat që “i qenkan vjedhur”. Ai sajon për këtë aq shumë teori, sa e ka bërë hapjen e kutive të votimit si të jetë “çelësi” i çdo kontrate sociale të ndërtimit të shoqërísë.(!) Dhe këtu ai po tregon, jo vetëm nivelin e një injoranti me “shkollë”, por edhe ambicien e zezë të një të paafti, që synon të mbrojë pasuritë e vjedhura të asaj bande, së cilës i është betuar t’i mbrojë privilegjet e humbura.
Ati shpirtëror i Ramës, Enver Hoxha, ishte aq i pacipë në politikë, sa edhe për izolimin e Shqipërisë bënte fajtor Perëndimin. Madje ai shpallej se me disa kushte mund të pranonte bashkëpunim me “demokracitë e kalbura perëndimore”. Në radhë të parë, nëse ato hiqnin dorë nga ekonomia e lirë e tregut, nga të drejtat (borgjeze) e njeriut dhe nga diferencimi ekonomik i individit, etj. Si kryekriminel, Enveri e dinte si buka që hante që nuk kishte të ardhme në Perëndim. Diktatura e “qoftëlargut” ishte tirania tipike e një antishqiptari të betuar. E, megjithatë, bijtë e “Bllokut” vazhdojnë endé ta mburrin atë si liberatorin e madh të Shqipërísë(!). Kurse Edvin Rama, i cili, gjithashtu, nuk sheh të ardhme të privilegjuar në Perëndim, nuk di ç’të shpifë për mazhorancën, me qëllim që të prishë imazhin e saj dhe ta mbajë kështu vendin të izoluar. Ndoshta prandaj është kapur kaq fort pas “numërimit të votave” për t’ia mbyllur keqas portat e së ardhmes një populli, që ka jetuar me aspiratën për t’u bashkuar me Europën. Paturpësia e Edvinit arrin përmasat groteske, kur ngrihet edhe kundër vendimeve të PE-së, i cili, pasi i ka vlerësuar si legjitime dhe brenda standardeve kryesore zgjedhjet e vjetme, vendosi t’ia liberalizojë Shqipërísë vizat dhe të përgatisë terrenin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Pikërisht në këto çaste historike për vendin, “liberali” Rama lobon nëpër botë të mos liberalizohen vizat, sepse kështu “do t’iu hapkan telashe Europës(!)”. Ky antishqiptarizëm e bën më qesharake idealizmën e Ramës për “numërímin e votave”. Por ky sharlatan, që komandohet nga bijtë e “Bllokut”, nga gangsterët e pasuruar me sheshe ndërtimi dhe sekserët e angazhuar në afera korruptive, nuk po pyet as për sedër, as për dinjitet kombëtar, as për vetë PS-në, as... Merret me mend se sa vonë mund t’i bëhet një individi të tillë për të ardhmen e Shqipërisë, së cilën ai, ashtu si Enveri, i trembet si një akuzonjëseje, për masakrat e djeshme komuniste dhe për krimet e tij të sotme ekonomike. Prandaj populli i quan Ramën me shokë si pararendësit e shkatërrimit të ekonomisë, si vazhduesit e një hakmarrje të diktaturës ndaj atyre, që deshën dhe duan sinqerisht një demokrací perëndimore. është ky Ramë me bandën e të privilegjuarve të tiranísë, që nuk e duan afrimin me Europën. Janë këta që nuk duan të futen në tempullin e demokracisë së vërtetë pa vënë atë kushtin, që aty t’i mirëpresin me të gjitha mëkatet, me pasurimet e paligjshme, e tj. Po si? Si do të mundet Rama me klanin e tij t’i imponohet Europës humane, aq sa ajo t’i pranojë pa kushte këta, që nuk po duan të distancohen nga krimet e komunizmit? Si do të munden bijtë e bllokmenëve të sigurojnë parajsën e pamerituar të prindërve të tyre, për të cilën martirizuan Shqipërínë? Kështu? Duke mos shkuar rregullisht në Kuvend dhe duke penguar hartimin dhe realizimin e reformave madhore, që garantojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë? Jo! Kursesí jo! Rama është aq shumë kundër këtij projekti, aq tepër u mësua të gënjejë, sa e paraqit veten edhe si fukará, si “lypsar” për t’u tallur kështu me këtë Shqipërí, që ka vuajtur prej tij dhe baballarëve të "kokave" të socialistëve. Se, nuk mund të pranojë Rama të shkojë si “cjapi te kasapi” në duart e një bote, që nuk i privilegjon kriminelët(!). Që mbron njëlloj të drejtat e njeriut, si të ish-komunistëve, edhe të ish-“kulakëve” e ish-“reaksionarëve”! Prandaj Rama, që tashmë e ka gjetur melodinë, vazhdon t’i bjerë fyellit në një vrimë... “numëroni votat!”, “Mos pyesni për gjykatat dhe Kushtetutën! Dhe këtu i ngjan atij sazexhiut zhurmëmadh të dasmave ordinere, i cili, meqë nuk di t’i bjerë gërnetës, i mëshon asaj aq fort, sa t’i detyrojë dasmorët t’i luten të mos i bjerë fare!... Por që kjo melodi monotone, të detyrojë dashamirësit e Shqipërisë të pranojnë kushtet e Ramës dhe bijve të ish-Bllokut, Ramës i duhet të urdhërojë deputetët e vet të mbajnë marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin. Me një fjalë, Rama po përpiqet të mbajë premtimin enverist për t’u hakmarrë ndaj gjithë atyre, që rrëzuan diktaturën, d.m.th. parajsën perverse të hajdutëve të Ali Banbait me shokë ! Prandaj, ndonëse P.E. e këshillon të merret vesh me mazhorancën, Rama hidhet përpjetë si ta ketë pickuar gjarpëri dhe shkon në Greqi, t’i shmanget, qoftë edhe për ca ditë, këtij makthi !
Po deri kur do të vazhdojë Rama t’i bjerë fyellit në një vrimë ?!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›