E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e Kosovës, recetë shkatërruese

Philip Gordon tha se ndarja e Kosovës është “recetë shkatërruese” për rajonin. Prandaj, SHBA e kundërshton fuqishëm këtë opsion. Ai kërkoi nga palët të fokusohen në dialog, si mundësi e vetme për zgjidhjen e problemeve. Në Prishtinë, diplomati amerikan foli edhe për Task Forcën e BE’së, e cila do t’i hetojë akuzat e Dick Martyt. Sipas tij, ende nuk është definuar roli i Washingtonit në këtë mekanizëm Nga Shpend Limoni më 17 qershor 2011 në ora 07:51

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, të enjten në Prishtinë e ka bërë të qartë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth mundësisë së ndarjes së Kosovës.

Ai ka thënë se vendi i tij e kundërshton fuqishëm ndarjen, pasi një opsion i tillë do të kishte pasoja për tërë rajonin.

“Ne në SHBA kemi qenë mjaft të qartë rreth çështjes së ndarjes. Ne nuk jemi duke e marrë në konsideratë atë , jemi kundër saj, nuk mendojmë se do të ishte praktike , nuk mendojmë se do të ishte në interes të dikujt. Ndarja do të kishte pasoja rajonale, do të ishte negative për tërë rajonin. Kemi qenë absolutisht të qartë rreth përkushtimit tonë për sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial”, ka thënë Gordon në një konferencë për media pas një takimi me Kryeministrin Hashim Thaçi.

“Para së gjithash unë e ritheksova përkrahjen tonë të fuqishme për sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe pavarësinë, diçka për të cilën SHBA’ja ka qenë mjaft e qartë dhe dua të vazhdoj të jem i qartë për këtë”, ka thënë ai.

Këto qëndrime Gordon i ka bërë të ditura derisa ka komentuar rreth ideve që kohëve të fundit janë përmendur në Beograd se Serbia dhe Shqipëria duhet ta ndajnë Kosovën.
Por, ky opsion është hedhur poshtë nga Gordon.

“Ka mënyra në botën moderne për të siguruar se të gjithë qytetarët e një vendi, pavarësisht etnicitetit të tyre, janë në gjendje të kenë zë të fuqishëm në Qeverinë e tyre , për të drejtat e tyre dhe sigurinë . Secili vend në Ballkan, praktikisht secili vend në botë, ka minoritetet etnike të një madhësie të caktuar dhe në shumicën e demokracive tona kemi gjetur mënyra për të akomoduar interesat e tyre, brengat e tyre pa rivizatuar kufijtë”, ka thënë ai.

“Dhe që të jem absolutisht i qartë, një rajon i Ballkanit i bazuar në vizatimin e kufijve përreth secilit grup etnik do të ishte një recetë për shkatërrim . Nuk është diçka që ne e përkrahim, ka mënyra tjera më të mira për të siguruar se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të akomoduar në demokracinë e Kosovës”, ka shtuar amerikani.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit ka folur edhe për dialogun Kosovë –Serbi, duke thënë se palët po tregojnë vullnet për të biseduar.

“Nuk mendoj se më takon mua që të ulem dhe t’i tregoj ndonjë vendi se çka duhet të bëjë. Unë jam i inkurajuar që shoh se ata kanë identifikuar një sërë çështjesh dhe se kanë vullnet të bisedojnë për to, dhe të provojnë të arrijnë progres për to”, ka thënë Gordon.

Diplomati amerikan ka thënë se dy palët duhet të pajtohen për çështjet që janë duke i biseduar.

“Shumë njerëz janë të familjarizuar me atë listë të çështjeve, roli i SHBA’së nuk është t’u thotë palëve se çka duhet të bisedojnë dhe se çfarë duhet të jenë kompromiset, por vetëm për të përkrahur dhe për të inkurajuar procesin. Dhe siç e thash, jam inkurajuar se ata po e bëjnë këtë në mënyrë direkte dhe përfundimisht të dyja palët duhet të merren vesh”, ka thënë ai.

Gordon ka bërë të ditur edhe qëndrimin e SHBA’së rreth Taskë Forcës së BE’së, e cila pritet të nisë hetime rreth akuzave që kanë dalë nga raporti i Dick Martyt ndaj liderëve kosovarë për përfshirje në tregti të organeve.

Ai ka thënë se SHBA’ja është duke diskutuar me BE’në rreth mënyrës së përfshirjes në këtë proces.

“Ne kemi qenë të qartë se i marrim seriozisht këto akuza. Akuzat meritojnë të hetohen dhe kemi thënë se mbështesim hetimet. Roli i SHBA’së në ndonjë hetim nuk është përcaktuar ende sepse Taskë Forca ende nuk është ngritur. Ne jemi duke biseduar me BE’në se si mund ndihmojmë . Mendojmë se EULEX’i është në pozicionin e duhur për të bërë një hetim të tillë . Dhe ne duam t’i shohim këto akuza të hetohen plotësisht”. Gordon ka kërkuar që hetimi të kryhet shpejt.

“Që të bëhet një hetim serioz, duhet një kohë e caktuar. Akuzat duhet të hetohen shpejt dhe në mënyrën e duhur. Duhet një grup serioz që mund ta bëjë punën në mënyrë të duhur dhe për të bërë një punë detajuar merr kohë, por e rëndësishme është që të bëhet në mënyrë profesionale”, ka thënë ai.

Kryeministri Hashim Thaçi , emri i të cilët përmendet në Raportin e Martyt, që është miratuar edhe në Këshillin e Europës, ka thënë se Qeveria e Kosovës mbështet hetimet.
“Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht kemi besim të plotë tek autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë shumë ngushtë dhe do të mbështet plotësisht angazhimet për zbardhjen apo për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është në interesin e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Thaçi.

Gordon dhe Thaçi kanë folur edhe për luftën kundër korrupsionit, e cila është përmendur disa herë nga amerikani.

“Ne kemi folur edhe për sundimin e ligjit , që Kryeministri sapo e përmendi . Kosova duhet të shihet si një vend që është i përkushtuar ta luftojë korrupsionin, që është e përkushtuar për ta forcuar demokracinë e saj”, ka thënë ai.

E Thaçi ka përmendur edhe garanci para amerikanit.

“Ne edhe një herë ju sigurojmë dhe garantojmë që do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht në vazhdimësi me qeverisje të mirë të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar , kundër trafiqeve, pra për konsolidimin e shtetit...”, ka thënë ai.

Gordon dhe Thaçi kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi përmes të cilit SHBA’ja do t’i ndihmojë Kosovës me 9.7 milionë dollarë në fushën e arsimit.

Gordon ka takuar edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Zyrtari i Departamentit të Shtetit ka qëndruar në Kosovë në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor, ku ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, derisa të enjten mbrëma ka udhëtuar drejt Kroacisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›