E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja e partive në vija etnike, analistët: Për bonuse elektorale

Ndarja e partive politike në baza etnike për shkak të ligjit për branitella, për analistët politik është plotësisht normale pasi ata në këtë mënyrë përpiqen të grumbullojnë sa më shumë pikë politike para trupave të tyre votues. Për Ibrahim Mehmetin dhe Jove Kekenovskin, LSDM dhe PDSH përmes mbështetjes së rivalëve të tyre politik, kanë dobi të dyfishtë. Nga njëra anë paraqiten si patriotë tek bashkësitë etnike të cilat i përfaqësojnë nga ana tjetër shkatërrojnë koalicionin VMRO DPMNE-BDI.
 

“Këto ndarje bashkime ose përkrahje në baza etnike të çështjeve të ndryshme janë praktikë e zakonshme në ambientin e Maqedonisë dhe kjo qartazi flet se temat etnike nga partitë politike llogariten dhe shfrytëzohen për rejtingun e tyre, dhe kjo është shumë e dukshme edhe në këtë rast, nëse e shohin arsyeshmërinë e përkrahjes apo refuzimit të këtij ligji atë duhet të shohim nga aspekti i shteti dhe ndërtimit të besimit në Maqedonisë ku masat tangojnë vetëm njërën anë ndërsa hidhërojnë anën tjerët mendoj se mund të kenë efete kundër-produktive”, tha Ibrahim Memeti, analist.
 

Në vijë të njëjtë është edhe analisti tjetër Jove Kekenovski.
 

“Është normale të pritet që partitë maqedonase respektivisht LSDM-ja ta mbështet propozimin e VMRO-së, pasi nëse nuk e mbështet do të shpallet tradhtar tek elektorati maqedonas. LSDM në këtë situatë mund të ketë dobi të dyfishtë, fillimisht do të tregohet si parti që interesohet për branitellat ndërsa nga ana tjetër i bën dëm VMRO DPMNE-së pasi ia shkatërron koalicionin. Nga ana tjetër ishte normale që PDSH të mbështes kërkesën për rregullim e të drejtave për të cilat është e angazhuar BDI-ja pasi nëse nuk i mbështet edhe ajo do të shpallet tradhtare tek elektorati shqiptar. Dhe nga aty normale është kjo ndarje etnike të partive. Por kjo është për mbledhjen e pikëve politike para votuesve të tyre”, tha Jove Kekenovski, analist.
 

Nga ana tjetër tanimë pas hyrjes në procedurë parlamentare të ligjit për branitellat të dorëzuar nga ana e VMRO DPMNE-së, analistët e shohin pothuajse të pamundur shpëtimin e qeverisë. Sipas tyre, nëse BDI do të hiqte dorë nga kërkesa e saj për rregullimin e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së me këtë ligj, do të humbasë seriozitetin dhe besimin para elektoratit të vet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›