Ndër vise të varfërisë në Via PublicaNga Ben Andoni, MAPOJanë të vobektë, por kjo s’do shumë të kuptohet. Janë të pamundur, por edhe kjo do pak fare të kuptohet. Kjo tashmë u ka trallisur mendimin, që e shprehin keq me fjalët e turbullta dhe aq më te
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ndër vise të varfërisë në Via PublicaNga Ben Andoni, MAPOJanë të vobektë, por kjo s’do shumë të kuptohet. Janë të pamundur, por edhe kjo do pak fare të kuptohet. Kjo tashmë u ka trallisur mendimin, që e shprehin keq me fjalët e turbullta dhe aq më tepër shpresën...
...Në fakt ka pak shpresë, në këtë ditë të thellë dimri në këto fshatra ku dikur përshkruante Via Publica. Bëhet fjalë për viset, që sot quhen Pukë. Termat, projektet dhe premtimet e politikanëve të zveniten përnjiherësh...sapo zbret diku nga makina. Sikur Nëna Natyrë të mos i falte këtë mrekulli këtij vendi do të thoshe pa mëdyshje: ǒduan vallë këtu këta njerëz?
...
Njerëzit dhe makina jonë s’mund të shkojnë më tej. Përparimi, trajneri kampion i skive të Tërbunit, optimist, këtë herë na bën me shenjë se tashmë duhet t’u japim ca kohë këmbëve që të çmpihen. “Me i grah”, ia kthejmë. Qeshim të gjithë. Na dhimbet makina njësoj si ai në këtë rrugë. Nuk mund të shkojmë më tej. Bëjmë një rikonjicion me sy, si për të gjetur pikat e horizontit. Pemët e pakëta dhe peizazhi ‘varfërisht’ i lartë janë pak gjërat, që i kanë shpëtuar njëjtësimit, që bora i ka bërë vendit. Pak gjurmë të një kafshe që nuk e identifikojmë dot, kanë bërë në shtresën e bardhë një vijëzë të gjatë shprese. Uji përshkon tutje dhe dikund bëhet një si prroskë. Bëjmë gati mjetet tona. Kemi aparate, reflektor dhe pak rroba. Vijoj të rrëshqas pavetëdije, duke qenë më i dobëti materialisht i njësitit tonë tejet sportiv. Të katër, dikur jemi marrë me sport...
Pas Qerretit makina ka përshkruar një udhë, ku kemi lënë pas një grua të vetme, e menduar tek një pemë, me një shikim të ngulur tutje. I jemi dhënë drejt pastaj rrugës në vendin Lepurth të komunës së Lufit. Që këndej drejt e në atë, që është njohur prej motesh si Kqir. Pasi kemi përshkruar dy anët e vendeve që tash njihen si të ashtuquajturat komunat e Lufit jemi futur në pllajën e Lufit dhe që këndej kemi rënë poshtë në Lepur. “Ja pra, Përparimi merr fjalën- këtu veriu është në drejtim të Pukës. Drejtimi i jugut të çon në Lezhë. Këtu është përroi i Tërbunit, e që quhet Gomsiqe. Nga veriu vjen Gomsiqe. Këtu ishte rruga Via Puka ku lidhje shkojë në veri në Kosovë”. Përballë Bjeshkëve të Tërbunit, ky muhabet ngjan sikur po bëhet mes turistësh mjedisi, por në fakt kërkesa jonë është tjetër...Duam të shikojmë realisht skamnorët e këtij vendi. Bash, ata të mbeturit e pandryshuar si qyshkur...kur vendin e përshkruanin etnogë, arkeologë dhe udhëtarë të njohur...Përparimi na ka premtuar...
Rrukaj
Sipas premtimit na përcjell drejt Rrukajt, që mbahet si një nga fshatrat e mëdhenj të Kqirës, tash nën administrim të Qerretit. Më saktë, vendasit e quajnë lagje. Duhet të kenë një arsye pasi fshati është krejt i braktisur, ndërsa shtëpitë e para gati nuk kanë fare gjurmë njerëzish. Shtëpitë deri në dykatëshe, tejet të varfëra arkitektonisht, duken si të hepuara. Çuditërisht, edhe këtu njeh Përparimi. Vazhdojmë të ecim dhe madje pa u ndalur për gati 40 minuta në borë. Kemi shumë pak që jemi njohur me njëri-tjetrin, por e mjaftë që të bëjmë shaka prej mirësisë së guidave tona. Rrëshkasim me rradhë. Jutta dhe Përparimi janë më të mësuarit me borën dhe fare lehtësisht na bëjnë udhë. Ne, dy të tjerët, gjejmë ‘prehje’ me sy, gati njëqind e pesëdhjetë metra tëposhtë shtëpive ku Tërbuni, përshkon qetë një luginë të thellë. Malet përreth mbajnë të ftohtin, e madh. Pastaj qetësi dhe bardhësi. Ky është Rrukaj përfundimisht. “Bash, këtu njerëzit flenë me thij”, na thotë Përparimi. Metafora është e mirë për t’u provuar, por disi irreale. Përroi gati i ndan dy lagje, ndërsa pak shtëpi kundrojnë njëra tjetrën. Janë gati njëkatëshe në këtë anë. Me kopshtije të vogla dhe krejtësisht të pambajtura. Disa si kolibe përbëjnë banjot, ku era përshkon nga kudo dhe më sjellin ndërmend banjot e sajuara të reparteve tona ushtarake. Tëposhtë mbeten disa toka, të rrethuara me gardhiqet e tyre. Një si pengesë natyrore, duket se nuk i lë këta qyqarë të mund të lëvizin që këtu. Pak tym, që shikojmë diku është shenja e parë njerëzore e vërtetë e Rrukaj...
Intermexo
Asht katund i vjetër. Se prej kahë e kan fisin nuk dihet. I pari i Kçirës, mbas goidhaine, ka kenë nji farë Kara Kole, të cilit i kan ndezë qirin deri vonë. Kara Kola pat 4 djelm e prej sish u shtue katundi e u ba 4 vëllazni. Pepaj, Lepraj, Nikaj, Mardodaj.
Kçira sot (1932) ka kund 80 shpi. Në kohë të D. Mhill Letit, vj. 1815, kishte 75 shpi e 600 frymë. Në kohë të D. Loro Nenshatit, vj. 1901, kishte 95 shpi e kund 600 frymë. Vjetin 1916, shpi 105 e 800 frymë; në vj. 1920, shpi 91e frymë 600.
Lagjet e Kçirës janë: Vorbtena - Ngazuj - Kçira e Eper, ¬Kçira e Poshter - Vrajt - Pleti - Rrukaj - Lufi.
...Një gjë e vogël, që lëviz nga pak diku është shenja e parë e takimit tonë. Është një grua e vetme që çapitet në një shtëpi mjerane. Dy pukianët i thërrasin sipas traditës gruas...Siç ndodh në vendet e vogla njihen shpejt dhe përshëndoshen me njëri-tjetrin.
“Pse nuk i ke t’gjitha rrobat e bardha?”-e pyes Pashken, që më përgjigjet me një zë si fëshfërimë. “Bahen pis. Duhet më i la. Uji asht larg”. Gruaja mban shaminë e lidhur në formën e germës U, por me këmbëzat poshtë. Është forma klasike e veshjes së Mirditës dhe shenja që nga ana etnografike të dyja krahinat kanë qenë dikur një i vetëm. E gjora vetëm pohon dhe flet tejet e pamundur. Përparimi dhe Sandri, që na kanë sjellë deri më këtu, gjenden të kënaqur. Kanë dashur të na rrëfejnë anën tjetër të Pukës...dhe duket se i kanë rënë direkt në të. Saora, gruaja na ka lënë vetëm para një konaku që mban disa dritare të vogla. Duhet t’i bëjë zë të shoqit. Jemi para një shtëpie gati të rrënuar, për fat bërë me gurë. Është shenjë që do i qëndrojë kohës. I shoqi është poshtë buzë lumit duke u marrë me bagëtinë. Është një nga format e jetesës së pandryshuar në këtë vend, që do të thotë se fshatarët e varfër me pak bagëti, mbarështrojnë atë të më të kamurve të qytetit. Është një nga mënyrat e jetesës. Burri gati vjen me vrap. Mban një pulovër që është tejet e lerosur dhe që ngjyrën bazë duhet ta ketë pasur gri. Ka një mjekër të thinjur dhe sytë, për shkak të miopisë, i mban të mbyllura pakëz. Më saktë, të djathtin e ka pak më të hapur. Përshëndoshen me Përparimin. Flet..Ka një palë pantallona qytetare dhe një si këmishë poshtë pulovrës, që i del poshtë çrregullt.
Ndoci
Çrregullt krejtësisht. Flet si pakuptim dhe me një zë gati si kushtrim. E qetësojmë.
Ndoc Zef Ndoci, gjashtëdhjetë e pak vjeç ka 5 djem dhe një vajzë. Ku i ke i pyesim? “Këtu, mrena. Mrena. Një në burg, një në Lezhë, një shkollë. Vajza në Maqedoni e martuar”. Ku në Maqedoni? “ Për Zotin nuk e di ku është vajza. Gruaja dhe fëmijët kanë qenë. Merret me blegtori atje. Boll mirë asht”. Shikohemi. Dua të ulem diku. Ai, sikur ta pyesë dikush fillon, ndërsa Jutta ka filluar të fotografojë shtëpinë, duke u munduar të kërruset në interiorin e ulët. Më piskat befas: “Jetesën shumë t’dobët. Kena 40.000 lek të vjetra asistencë. Punë shteti se privat s’ka. Bujqësi. 18 vjet në bujqësi. 15 vjet kam derdh kontribute dhe 65 vjet e kam me dal në pension...E kanë çu larg. E kam plotësu kontributin. Me 7501 kam tokë të dobët. S’jep gjë. Kam një dynym gjë. S’jepet gja”.
Fshatari, gjithsesi, na jep rikonjicionin e parë të mirë të vendit. Vërtetë quhet Rrukaj dhe është i Lufit por s’është fshat, as lagje. Një dreq e di se çfarë është. Sipas tij, ka 4 shtëpi dhe 4-5 kanë ikur. Pak fare gjindje. Të rinjtë ikin, por shumica kthehen. Pa dokumente e kanë të vështirë. Në Pukë, kuptohet se nuk kanë çfarë të bëjnë. Toka duhet të ujitet me përroin, që është poshtë, ndërsa jeta ka mbetur si dikur. “E marrim me vi. Këtu mbjellim misër, që na duhet me mbajt një lop por toka se mban se duhen 6-7 dynym tokë që të mbahet. Kurse një dynym e gjysëm nuk e justifikon dot. Del me humbje. Për bukë merr me asistencë një thes miell dhe sivjet kemi shpresë me u rrit pak” . Është e pakët dhe më e vështirë që ti marr diçka të saktë. Jutta e thërret nga diku dhe i lutet që të vazhdojë përditmërinë e tij. Të dy fshatarët s’e kuptojnë sesi mund të vazhdojnë të patrazuar nën sytë e katër njerëzve. Qyqarët, që të duken si personazhe të Brygelit, përshtaten lehtë, por vjedhurazi, hedhin vështrime kur aparati ndalon. Pak misër, lakra dhe qepë janë gjithçka që munden, por aspak më shumë. A të ndihmojnë pak fëmijët e pyes? “Nuk kanë me ç’më ndihmu. Kam 25 e poshtë 3 janë të martuar. Të t’tan në punë t’tyre”...
Pasi ka marrë nga tutje gomarin vazhdon e punon. Jutta e ndjek kudo...Unë flas me gruan që më shpjegon sesa e vështirë është. Por, ajo e tregon aq thjeshtë: “U them njerëzve të mos lahen shpesh. Nuk kam fuqi dhe 6000 lekët e pensionit, m’shkojnë për mushkri”, më thotë. Është me astmë dhe nga poshtë rrobave i vjen një si fishkëllimë e mbytur. Kanë një si zorrë që merr ujë nga një përroskë sipër. Aty i ndal syte dhe ajo funksionon vetëm pak javë në dimër. Në verë është lumi dhe vetëm ai. Në një ditë të zakonshme, ky i shkretë i duhet të zbresë që të gjej ndonjë punë, më thotë për të shoqin. “Një ditë gjej dhe 7 ditë s’gjej”, më flet ai me metaforë, teksa ndjen se flasim për të. Iki në Luf me këmbë dhe pastaj gjej makinë dhe iki në Pukë, por kthehem njësoj”. A keni qenë gjithmonë këtu?-e pyesim, ndërsa jemi për pak minuta të gjithë brenda shtëpisë, krejt të çrregullt me orendi të varfra dhe pa asnjë lloj stilizimi. “Fisi i kahershëm jemi, bërtet para diktofonit, sikur i merr revansh ngaqë ai është i vogël. Nuk di gja. Baba s’më ka thënë kurrgja. Këtu i kena pas shtëpitë. S’jam mjeshtër. E kam suvatu vetë. Këtu nuk jeton askush. Nuk na ka mbyt uji si ata në fushë, ne na ka mbyt zoti këtu”...Dalim. Burri më bën me shenjë, në vendin ku dikur ka kaluar udha e Fushë e Arrëzit. Na grish që të pimë një gotë, por të duket se vërtet të vret Zoti, t’i marrësh diçka këtij mjerani. “Kjo rruga të çon në Tërbun, na thotë për Jugun e shtëpisë dhe është rrugë berrash. Tokë ka dhe vëllai këtu jena të vorfën. Dritat i paguaj 1000 lek..Kam lënë dy muajt e fundit..si paguaj dot..Jam besimtar Shkoj në kishë. Jena pagëzu krejt”.
Shumë tema njëherësh ku ti e ke të vështirë që ta kuptosh. E pyes sërish për bagëtinë. Më thotë se do blejë një derr, që për këtu është i zakonshëm për çdo vit, ndërsa sa për lopën nuk ia vlen. Një dynym s’mjafton për ushqimin e saj të nevojshëm foragjer.
Intermexo
Ad Pikaria në përgjithësi ka përputhje me lagjen e sotme të “Pezhves”, sepse Itinerarët shënojnë XXX milje në lindje të Lezhës. (XXX milje janë baraz me 40 kilometër rrugë). Gjithashtu, gjurmët e traseve të rrugëve përfund Tërbunit dhe për breg të Gomsiqes, në Lindje të Këçirës, janë të lidhura me drejtimin e tyre Ad Pikaria (Pezhvë)-Lissus (Lezhë) dhe anasjelltas.Pezhvja është vendi më i përshtatshëm se ka përreth për burim halor, një nga pyjet e pafund halorë, që fillojnë në dyert e saj.
Pak për këtë vend
Është vetëm 150 kilometra nga Tirana dhe pranë rrugës automobilistike që dikur lidhte Shkodrën me Kukësin. Dikur, në këtë vend, që tash e kanë lënë të gjitha në lashtësi kalonte një udhë. Falë vend-lidhjes së Detit Adriatik me Dardaninë ka marrë emrin Puka ( Via Publica, udhë Pukë). Ka një klimë, që kushdo do e lakmonte: Një verë e freskët me parametra që shkojnë në +20 gradë Celsius dhe –3 gradë plus dhe rreshjet e dëborës në dimër, që i kemi tash para syve. Ky vend me të gjithë resurset e tij është më shumë se fatkeq në rrethina për shkak të pamundësisë. Por, kjo është temë tjetër...
Kçira asht vend i shndoshtë. Dikur ka kenë krejt halë (pishë), por qitë fare tuj e pre hir e pa hir. Sot ka halë vetun Lepurthi, por nuk ka me ngiatë shum e ka me dalë fare edhe n’atë vend, pse presin e rrxojnë pa ruejt doren aspak.
Zeje!: Punojnë bulqsi, me sharrë, pjekin tulla e tjegulla, djegin gelqere, godisin vegla bulqsije, gavixha, sheka, vozga, shpija, bajnë qymyr: janë edhe farketarë.
Sërish me Ndocin
Insiston, që të rrimë, por ne duam të shikojmë të paktën dhe një familje tjetër. Jutta i kërkon një moment që të pozojnë sëbashku, ulur, e në dreqin se ku e di në një kolltuk mjeran, që është jashtë shtëpisë?! Ndoci vazhdon të flasë, ndërsa gruaja rri e qetë.
“Janë njëqind shtete të botës që na ndihmojnë, por kur marrim lekët në komunë ikin vetiu. I marrin nga Tirana deri te Komuna”. Gruaja na e kupton mendimin dhe tash na flet ajo për shtëpinë. I duhet që të ndihë tre djemtë e mbetur në shtëpi dhe të shoqin, që si gjithë fshatarët u shërbejnë me mundësitë e tyre të kamurve të qytetit. Sa për profesionet e vjetra, ato tash kanë humbur. “Veshja bahet pis e bardha dhe ndaj e mbaj të zezë shaminë. Shiko shtëpinë e shkatërrume dhe mendo vetë. Shpija asht pis...se nuk kena mundësi për asgja”. Janë të pamundur dhe më duket e vonë që të shoh me elementë. E vetmja gjë interesante më mbetet tradita me Mirditën, por edhe ajo më humbet nga transformi që i kanë bërë veshjes dhe gjithçkaje. Është koha e Përparimit, që sërish të na shpjegojë:” Kjo zona këtu ka qenë me tradita Mirdite dhe hyn në bajrakët e Mirditës. Martohen me Mirditën dhe me Kërthpulën. Thyhet prej tyre veshja e Mirditës me veshje të ndryshme, ndërsa vetëm koka e ruan ndërsa poshtë e ruan. Ndërsa për dit kishe dhe fejesa e martesa ruhet. Ajo është në garderobë sepse merr pisllëk shumë”.
Gruan e përshëndesim, ndërsa Ndoci merr përsipër të na përcjellë tek një shtëpi tjetër...
Pali
Tjetra është gati 20 minuta me këmbë, ndërkaq rruga e ka humbur vende-vende borën.
Pal Rroka, i datëlindjen ’36, ka mbetur si shumë të tjerë shqiptarë të moshës së tij, vetëm me të shoqen. Janë dukshëm më në gjendje se Ndoci dhe flasin shumë më pak. Habiten fillimisht kur në shtëpi kanë njerëz aq të gjatë! E kalojmë shpejt situatën dhe qeshim të gjithë bashkë. Shtëpia është shumë më e fisme, ndërsa brenda më e rregullt. E shoqja ruan uniformën e Mirditës, por jo aq të pastër dhe duket tek rrethi i qafës, se duhet të ketë bajagi ditë që se ka ndërruar. Janë të mirë dhe shumë të pritur. Mjedisi i interiorit të tyre është më i mirë, ndërsa një erë e mirë bukë shtëpi vjen nga stufa bash në qendër të dhomës. Pali nuk është se është më i gojës se Ndoci, por është më i mbledhur. Dikur ka qenë brigadier në Pukë dhe kjo i ka dhënë ‘goxha’ mirëqenie. Tani pleqëron me plakën dhe me 12.000 lekët e pensionit, që janë dyfishi e pak më shumë i Ndocit.“...Kam tre djem dhe tre vajza të martueme. Por djelmtë të martuam. Jetoj me plakën. Kam djalin në Greqi. Katandi?..Ah katund! Duke punu në bujqësi. Kam 4-5 dynym tokë, që i mbaj me bujqësi. Mbjell misër, patate, dhe ksi senesh. Kam nji magjar, tri- katër kokrra dele”, më thotë Pali. Është trupvogël dhe pak i fikur nga mosha. E shoqja, më në gjendje, paguhet me një pension prej 7000 lek, i mjaftë për të dy që të jetojnë krejt ndryshe. Jutta është më e kënaqur këtu, ndërsa Përparimi dhe Sandri vijojnë hedhje-pritjet me Ndocit, që flet sërish me tonalitet tejet alto. E pyes për gjendjen, por Pali më jep variantin e tij. I ka harruar mundësia dhe fati i keq, por njeriu që s’punon dhe që s’di të punojë, gjithmonë do vuajë, më thotë filozofikisht, duke aluduar për bashkëfshatarin e tij. E pyes për punët e dikurshme. Eh, më thotë. Kanë mbetur pak familje, ndërsa, Zef Përnurat, Kol Prelazajt etj., dhe ne dy burrat jemi pak që të tregojnë më shumë...Në fakt, dy shtëpitë përbëjnë pasurinë dhe varfërinë e kësaj skamje, ndanë vijës së vjetër që lidhte Shkodrën me Kosovën. Si ja bëni për doktor, i pyes.
“Kur kemi hall dalim për Lufin për doktor. Dal për gjysmë ore... Na kanë sjell një rrug makine...Jemi të kaluem...I përgjigjet katërkomshit...Dikush punon. Mua s’më ka prerë kurrë. Unë kam punu dhe duhet me dit. Drejt po...”. Fotografojmë momente idilike të shtëpisë, që janë vërtetë të jashtëzakonshme dhe që kanë pak era Vermer. Një dritë e zbehtë nga jashtë dhe pak diell i jep një sepje të bukur interiorit si të murrëtyer të shtëpisë...Pali pozon me pak vështirësi, ndërsa amvisa e tij sikur të jetë një artiste e kahershme...Drita që ndjek Jutta është vërtetë e jashtëzakonshme. Na ftojnë të rrimë më shumë, por koha ka ikur pa logjikën tonë.
Giuhë e veshë krejt si Mirdita, kah marrin e apin bija nder¬shej shoqishojt, pse janë kufitarë. Kur mblidhen në kuvend Kçirsit flasin të vogel si Mirditsit, e jo si Pukasit të madhe. Kallxojnë të hershmit se Kçira kje sundue dikur prej Begollit të Pejës, të cillit i lajshin të dhetat....
Ndahemi me pleqtë e mirë, ngaqë s’kemi se ç’farë mund të bëjmë realisht këtu. Duhet të kthehemi nga një rrugë më e shkurtër. Sërish Ndoci na bën udhë. Flet e flet dhe unë humbas shpesh. Kë ka mik? Kë ka armik njeriu në këtë vend? Natyrën apo Zotin. Për Zotin, kujtoj shërbesën e fundit të Makiavelit, kur i tha priftit se nuk i duhej që të bënte dhe një armik tjetër po t’i falej providencës. Kam frikë se blasfemoj... Qeveritarët s’dinë asgjë. As skemat e tyre të mëdha të ndihmës. Ani, mbërrijmë pak të lodhur te makina. Këtu ndahemi me Ndocin, që merr i vetëm rrugën në kthim...drejt skamjes së tij. Ne i largohemi sepjes së kohës së udhëtarëve të gati njëqind viteve më parë, duke u rikthyer në Pukë. E kuptoj sërish varfërinë, por sërish s’kuptoj pse janë të pamundur këta njerëz, këtu ndanë rrugës që dikur quhej Via Publica dhe që Natyra i ka falur gjithçka...Pyetje, pa përgjigje. Është dimri i vitit 2010, pak muaj para se Shqipëria, të marrë vendimin politik, që të ecë në Evropën pa viza.
Mbështetur për intermexot në librin “Ndër Malet Tona”, e Gjon Karmës dhe artikullin “Ad Pikaria qytet apo stacion rrugor” e Xhemal Meçit