Zgjedhje si në FierNga Enton PalushiKryeministri Berisha, duke bërë shprehjen e fytyrës së një njeriu të përvuajtur, ka deklaruar disa herë se atij i është mohuar një mandat, d.m.th i është grabitur, por ai nuk ka reaguar për shkak të parimit të resp
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zgjedhje si në FierNga Enton PalushiKryeministri Berisha, duke bërë shprehjen e fytyrës së një njeriu të përvuajtur, ka deklaruar disa herë se atij i është mohuar një mandat, d.m.th i është grabitur, por ai nuk ka reaguar për shkak të parimit të respektimit të gjykatave, edhe nëse këto të fundit shkelin ligjin e prishin zgjedhjet. Mandati i grabitur, sipas zotit Berisha, i përket qarkut të Fierit. Zoti Berisha flet në këtë mënyrë sikur të mos jetë e vërtetë që zgjedhjet e qershorit të shkuar u përcaktuan nga një mandat diferencë.
Parimi se zgjedhjet e qershorit ishin më të mira se të kaluarat nuk ka vlerë përsa kohë përmirësimi i zgjedhjeve ka shkuar paralelisht me zvogëlimin e diferencës së rezultatit mes partive, duke na lënë pak a shumë në vendnumëro.
Të rrahësh gjoksin e të thuash se i lashë opozitës mundësinë që të hartojë një ligj zgjedhor siç e donte ajo, nuk është gjë e madhe. Vendi ynë më së shumti vuan nga moszbatimi i ligjeve, sesa nga ekzistenca e ligjeve të mira. Kështu ka ndodhur edhe me zgjedhjet. Kemi pasur një ligj të mirë e të pranuar, por që nuk është zbatuar.
Por, më shumë bie në sy që kryeministri Berisha pranon që zgjedhjet janë dëmtuar, e pikërisht në qarkun e Fierit, që ngërthen të gjithë problematikën zgjedhore.
Ishte Fieri prej nga LSI-sti Dritan Prifti deklaroi se po i vidheshin votat, dhe vetëm pasi kishte marrë në telefon kryeministrin e vendit, në celularët e komisionerëve kishte mbërritur një mesazh nga Sokol Olldashi, d.m.th nga kryeministri, se duhet të mbrohen votat e Dritan Priftit. Më pas ky i fundit doli deputet dhe e fali mandatin e tij për të djathtën. Por, ende kryeministri nuk na ka sqaruar se përse Dritan Prifti thotë se Berisha ishte në krye të një operacioni ku vendosej me sms se votat e kujt do mbroheshin, e rrjedhimisht votat e kujt do vidheshin. Nëse do të ishte drejtuesi i një shteti ligjor, kryeministri do i kishte deklaruar Priftit se çdokush duhet t’i bindet ligjit dhe se transparenca zgjedhore është garantuar me kod. Sa e mundur është që kryeministri të ketë drejtuar operacione të tilla dhe në qarqe të tjera?!
Fieri ishte qarku ku zhvlerësohet më së shumti pretendimi i mazhorancës se janë komisionerët e PS që kanë certifikuar zgjedhjet. Ne ishim dëshmitarë të degjenerimit të situatës në Fier, e po ashtu ishim të bindur se zgjedhjet mund të shkatërroheshin fare nëse komisionerët, që janë një hallkë shumë problematike, nuk do kishin marrë urdhër që të firmosnin dokumentet, duke pasur një garanci fundore, atë të hapjes së kutive automatikisht kur e kërkojnë dy komisionerë të KQZ. Mirëpo garancitë fundore në Shqipëri nuk kanë vlerë.
Ishte Fieri ku u duk më së pari indiferenca me të cilën reagojnë institucionet në vend sa herë bëhet fjalë për zgjedhjet. Në Fier u lëshua ajo turma e kriminelëve, që u liruan nga burgjet në prag të zgjedhjeve. Raporti i ODIHR thotë se pretendimi i opozitës për lirimin e shumë kriminelëve të rrezikshëm në prag të fushatës qëndron, por shton se nuk është e mundur që të provojnë se ata u bënë pjesë e shantazheve dhe blerjes së votave. Sepse sigurisht që është e vështirë për një monitorues të kollarisur, që lëviz me një makinë fuoristradë, të provojë që një trafikant qeniesh njerëzore, ka bërë shantazh. Këtë duhej ta bënte prokuroria me të dëgjuar pretendimin e opozitës. ODIHR është mjaftuar duke thënë se vërtetë një lukuni e rrezikshme kriminelësh janë liruar në thyerje të ligjit në periudhë fushate. P.sh, në raportin për zgjedhjet e vitit 1996, një monitorues, për të dhënë një ide të manipulimit në qarkun e Kukësit, raportonte se kishte dëgjuar një komisioner duke thënë në telefon se nuk kishin arritur të vidhnin aq vota sa duhej sepse kishte qenë “ai burri i huj me kollare” vërdallë. Komisioneri, që besonte se vëzhguesi nuk kuptonte shqip, i kishte dhënë atij një indicie për masakrën që mund të ishte bërë dhe që ishte bërë në vendet ku nuk kishte qenë “burri me kollare”.
Ishte Fieri ku kandidonte dhe kryetarja e KKRT-së, një institucioni shumë të kritikuar në çdo raport ndërkombëtar, dhe që të vetmin burim që kishte në dorë, e përdori me sa mundi, duke bërë me licenca televizive çdo fshat të Fierit.
Ishte Fieri ku pak para nisjes së fushatës, një deputet i opozitës u ekzekutua, dhe sot e kësaj dite nuk kemi asgjë të zbardhur. Fillimisht policia deklaroi se ekzekutimi nuk ishte profesional, çka të linte të kuptoje se edhe zbardhja do ishte e shpejtë. Por ende nuk kemi një të dyshuar, duke bërë që opozita të jetë në të drejtën e saj të pretendojë se vrasja kishte motive politike. Të ishte e kundërta dhe vrasja të ishte bërë për motive banale, një gjë është e sigurt, kryeministri që nuk i mban gjë barku, nuk do linte tribunë pa e thënë.
Mbi të gjitha ishte Fieri ku kryeministri Berisha thotë se iu vodhën personalisht zgjedhjet pasi opozita investoi miliona dollarë për blerje votash. Le të bëjë transparencë dhe për këtë.