E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndërhyri t’i lehtësohej masa e sigurisë të akuzuarit, vihet në pranga 38-vjeçari me urdhër të SPAK

Një ish-punonjës në Prokurorinë e Kukësit është vendosur në pranga pasi 2 vite më parë kishte tentuar t’i lehtësonte masën e sigurisë një personi të akuzuar.

38-vjeçari me iniciale A.C i cili punonte si shofer në prokurorinë e Kukësit kishte tentuar duke ndërhyrë që të lehtësohej masa e sigurisë ndaj shtetasit F.I në vitin 2021.

“Shërbimet e Policisë, në zbatim të urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaluan në Kukës dhe vunë në pranga shtetasin A. C., 38 vjeç, banues në Kukës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se “ndaj 38-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se më datë 05.03.2021, kohë kur shtetasi A. C. ka qenë punonjës në Prokurorinë e Kukësit, ka ushtruar ndikim të paligjshëm, për të lehtësuar masën e sigurisë, të caktuar ndaj shtetasit F. I”

Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›