Ndërhyrja e Kuvendit për Gjykatën e Lartë, balancim i kompetencave të Presidentit në zgjedhjen e gjyqtarëve
Roli i parlamentit në procesin e realizimit të reformave në vend, prej dy ditësh është vënë në dyshim nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka paralajmëruar edhe për prishje të konsensusit për reformën në drejtësi, për faktin se parlamenti po merr kompetenca që nuk i takojnë. Në kushtet e punës voluminoze dhe intensifikimit të marrëveshjeve konsensuale politike për realizimin e reformave, ku në kryeradhë qëndron ajo në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet një politike sabotuese dhe bojkotuese, PS kërkon të shfuqizojë rolin ligjvënës të Kuvendit të Shqipërisë, edhe atëherë kur janë në koordinim me kompetencat e Presidentit të Republikës. Pas mediatizimit të kësaj çështjeje, zëdhënësja e Kuvendit Suela Ruseti ka qartësuar dje rolin e Kuvendit në përputhje me kompetencat e Presidentit në emërimin e gjyqëtarëve në vend. Ajo vuri në dukje se të gjitha qëndrimet e Kuvendit përcaktohen nga zbatimi me seriozitet i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin, rolin e secilit në emërimit e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. “Tingëllojnë qesharake dhe absurde pretendimet se Kuvendi po merr kompetenca të tjera, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton se “Kuvendi ka pasur dhe ka një rol substancial. Sipas neneve 125/1 dhe 136/1, kushtetuta parashikon dhënien e një pëlqimi të vërtetë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo nënkupton që, përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces, ka të bëjë, jo vetëm me shqyrtimin e rregullshmërisë juridike, por edhe të meritës së zgjedhjes së bërë nga ana e Presidentit të Republikës”. Kuvendi në zbatim rigoroz të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili plotëson Kushtetutën dhe bën interpretimin përfundimtar në çështjen e emërimit të gjyqtarëve shpreh gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me Presidentin e Republikës në këtë proces shumë të rëndësishëm të procesit gjyqësor, tha zëdhënësja Roseti. Sipas saj, pjesëmarrja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proçes ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit të Republikës në emërimin e gjyqtarëve, dhe kjo vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. “Interpretimi, sipas të cilit emërimi i përket, në mënyrë ekskluzive, një organi politik me natyrë individuale (kryetarit të Shtetit), thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të ishte në pajtim me standardin përkatës në këtë fushë”, shtoi Roseti. Më tej, ajo vuri në dukje se, Gjykata përcakton se proçesi i emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duhet të jetë proçes koordinimi, bashkëpunimi dhe konsensusi dhe jo veprimi të një anshëm, që krijon probleme të panevojshme. “Ky sistem emërimi, i adoptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të, para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili shpreh, në thelb respektin e ndërsjelltë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre”. Dy ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli reagoi pas akuzave të hedhura nga kryetari i PS-së Edi Rama, se po shkel rregulloren e Kuvendit, duke vonuar jashtë çdo kufiri kohor zëvendësimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, emrat e rinj të të cilëve janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një javë më parë. Zëdhënësja e Kuvendit përgënjeshtroi këto akuza duke sqaruar se “Presidenti i Republikës i ka drejtuar Kuvendit pesë dekrete për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë”. “Nga ana e Kryetares janë marrë të gjitha masat për kalimin e tyre në proçedurë me të gjithë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë me të cilat momenti historik ngarkon sot Kuvendin”. Zëdhënësja Ruseti nënvizoi se nuk ka asnjë dekret të bllokuar dhe asnjë lloj vonimi apo tejkalim afati, por vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit, për ta shfrytëzuar rotacionin si një rast për të pastruar sistemin e drejtësisë, nga e keqja e shndërruar në institucion, në epokën e shtetit të kapur nga krimi dhe korrupsioni, pavarësisht shantazheve publike të shefit të opozitës për të mbajtur peng reformën në sistemin e drejtësisë.