E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë dhe paniku i Edvinit

Dita e djeshme shënoi insultin e parë iskiemik të vapës mbi trunin e Edvinit qi ka mërdhif ka hone... Sepse ai zbuloi “shkelje të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut” tek vonesa me karakter procedural dhe brenda afateve ligjore e rregullores së Kuvendit, në shqyrtimin prej Legjislativit të C/V-ve dhe figurës morale të 5 kandidaturave të dekretuara nga Presidenti i Republikës në pozicionet e mbetura vakante si anëtarë të Gjykatës së Lartë!!!
Pra Edvini ka zbuluar se “Jozefina Topalli ka cenuar rëndë liritë themelore të 5 shtetasve të Republikës së Shqipërisë”, çka sipas tij i bie që kryeparlamentarja t’u ketë shkelur atyre, gjatë një jave, qysh nga data e dekretimit, këto të drejta: 1. Të drejtën për të jetuar; 2. Të drejtën për të pasur pronë dhe për ta trashëguar atë; 3. Të drejtën e organizimit politik dhe sindikal, si dhe të drejtën për të përfituar sigurime shëndetësore, të jetës, të pensioneve të pleqërisë, të pasurisë, etj; 4. Të drejtën për të votuar dhe për t’u votuar; 5. Të drejtën për të ushtruar besimet fetare, për të deklaruar kombësinë, etj..
Tani Ramë çorapeverdhit i bie të përcaktojë konkretisht se cilat të drejta dhe liri themelore u ka mohuar arbitrarisht kryeparlamentarja kandidatëve të dekretuar. Por natyrisht që Edvini e ka hallin tek Kristaq Traja, tek i cili ka varur shpresa të mëdha për përmbysjen e raporteve në favor të majtistëve shqiptarë, teksa këto tashmë shanse janë minimizuar, sa kohë që në këtë gjykatë nuk mund të emërohen, si dikur me anë të kallashparlamentit të ’97-s më gjakatarët e organeve të “Drejtësisë” së kohës Diktaturës, të cilëve zançaushëria u dha mandat 9-vjeçar për të akaparuar këtë institucion në favor të Mafias dhe pushtetit majtist.
Mirëpo Edvini, me tone kërcënuese dhe me shantazhim të drejtpëdrejtë në adresë të zonjës Topalli, e akuzoi atë se “ka marrë kompetencat e kreut të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit...”. Nëse ka ndonjë shkelje të personalitetit njerëzor e profesional në gjithë këtë histori dhe ndër personazhet e nënkuptuar, janë ato që ka bërë beniamini dhe delfini i Edvinit, Kristaqi, Traja, (jo Kristaq Rama), ndaj qytetarëve të këtij vendi në kohën kur mbulonte detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit të Krujës gjatë viteve 1980-1981, teksa bashkë me ish-kryetarin e atëhershëm të Gjykatës Krujë, Idajet Beqirin, ka dënuar njerëz të pafajshëm me akuza të montuara politike, sikurse “armiq të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe pushtetit popullor...”, etj..
Nëse kryeparlamentarja, në përmbushje të detyrës ka kërkuar informacion plotësues për kandidaturat lidhur me figurën e tyre morale, e domosdoshme kjo për anëtarë të një institucioni kaq të rëndësishëm sikurse është Gjykata e Lartë e R.SH, ky nuk është “veprim policesk”, dhe Edvini nuk është në gjendje të citojë, bashkë me manjanët dhe ibrahimët e tij, asnjë nen të Kushtetutës në fuqi për verifikime të tilla para seancës ku deputetët e popullit japin miratimin me votë në favor të këtyre kandidaturave për poste kaq të larta e të rëndësishme.
Të kërkosh të dhëna zyrtare nga institucionet bazë të shtetit sikurse Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, sidomos në drejtim të “pafajësisë” së kandidatëve për poste kaq të larta, nuk është as “kapërcim i kufijve të ligjit”, as i “imagjinatës” dhe as dhunim i të drejtave të shtetasve.
Edvini më kot shpreson se mund të shantazhojë kryeparlamentaren me tagrin që ka si shef i partisë më të madhe të opozitës, përkohësisht, e aq më tepër të shigjetojë në distancë kryeministrin, thjesht për një kandidaturë të vetme, duke kërkuar “distancim të tij të deklaruar” nga ky farë “delikti” i zonjës Topalli, të cilin Edvin Rama nuk e referon aspak në ligje konkrete.
Edvini nuk ka asnjë provë për “abuzim skandaloz me detyrën të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli..., në shkelje flagrante të funksionit të saj si spikere e parlamentit...”.
Edvini që ka bllokuar për 8 vjet gjithë Tiranën, duke e bërë atë të pabanueshme dhe kaotike, bëhet qesharak kur pretendon se “vonesa” e pretenduar e shqyrtimit të këtyre kandidaturave nga Kuvendi, paskërka bllokuar jashtë çdo kufiri kohor të arsyeshëm Gjykatën tonë të Lartë (!!!), për funksionimin e së cilës atij as që i bëhet vonë...
Edvini e kërcënoi hapur kryeparlamentaren me “mocion për shkarkim të saj”, duke shpresuar në ndnjë mrekulli në kombinacionet e mundshme me llapushë të pakënaqur që mund të blejë në radhët maxhorancës, me ndonjë leje pallati, çka gjithsesi duhet të vërë në jetë dhe jo vetëm të mbetet në kuadër të llafeve dhe presioneve publike.
Edvinit i vajti gjuha tek dhëmbi, kur deklaroi frikën “... e qëllimit për të kapur Gjykatën e Lartë...” dhe më kot ai përmendi Paktin për Drejtësi si kërcënim nëpërmjet nënkuptimit të mosdhënies së konsensusit të opozitës për reformën në Drejtësi. Rama duhet ta kuptojë se është vetëm kryetar i Bashkisë dhe i PS, dhe nuk ka përse të urdhërojë në adresë të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për të mos kryer “asnjë veprim në funksion të lajthitjes së Kryetares së Kuvendit”. “Ripërtëritja e Gjykatës së Lartë është një shans historik për shtetarët e përgjegjshëm të këtij vendi, me qëllim që gjyqësorit t’i japim shpresën e pastrimit nga e keqja, padrejtësia e korrupsioni. Dhe garancinë për këtë nuk mund ta japë Edi Rama apo shokët e tij, por e japin vetëm kandidatët përmes kurrikulumit të tyre të panjollë”, - ka deklaruar kryeparlamentaja nëpërmjet zëdhënëses Ruseti, dhe kjo do të thotë se zonja Topalli nuk e ha shantazhin e Edvinit, se nuk është Vali Bizhga apo Vali Lecka. Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›