E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Me Berluskonin, do të ndërtojmë centrale bërthamore

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, kryeministri Sali Berisha deklaron sërish synimet e Shqipërisë për ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë. Në komentin që shoqëron intervistën me gazetarin Francesco Battistini, mes të tjerash thuhet: “Bërthamore? Po, faleminderit! Nuk është e nevojshme të premtosh reduktim taksash sipërmarrësve italianë: përtej Adriatikut, ekziston tashmë një “po, faleminderit” e Shqipërisë dhe e kryeministrit të saj, i përjetshmi Sali Berisha që nuk hedh poshtë aleancat e vjetra (“Prodi mbetet një mik i madh!”) dhe ndërkohë kërkon aleanca të reja (“Silvio është luani i gadishullit! Ka bërë shumë për Italinë dhe miqtë e saj! Do të kemi raporte të ngushta! Do ta ftoj sa më shpejt të jetë e mundur!”), ndoshta përmes ngjashmërive të veçanta: i rizgjedhur për të tretën herë kreu i qeverisë me premtimin se do te përgjysmojë taksat, në moshën 64-vjeçare, ky kardiolog që vjen nga Shqipëria e veriut ka në mendje një vend në ofertë speciale dhe pa shume shqetësime: “Ky vend ofron të gjitha garancitë për të prodhuar energji bërthamore të sigurtë. Do të kemi sistemin më të mirë të brezit të katërt. Askush nuk duhet të ketë frikë, në Mesdhe”.

Zoti Berisha, a është e gatshme Shqipëria të ndërtojë centralet bërthamore që do Berluskoni?
Vendimi im është të mos përjashtoj shqiptarët nga ky potencial i madh, siç është energjia bërthamore. Më ekonomike, më e pastër. Na mungon një kuadër normativ i nevojshëm, jemi duke punuar me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjise Bërthamore në Vjenë. Projekti po avancon. Sapo të jetë gati, idealja do të ishte të arrinim një marrëveshje me vendet fqinje, Italia e para. Do të financojmë bashkë me qeverinë e Romës ndërtimin e një impianti në Shqipëri. Dhe nëse kjo nuk do të jetë e mundur, do t’i drejtohemi sektorit privat për të studiuar tregun ballkanik dhe italian.

Disa javë më parë, ministri Tremonti tha se Shqipëria është një zgjidhje e mundshme. Eshtë e vërtetë që keni caktuar një vend në Durrës?
Vendi ynë është i hapur ndaj energjisë atomike. I hapur për të gjithë. Nuk kam biseduar ende me qeverinë italiane, pasi qeveria e mëparshme ishte antibërthamore. Ndërsa me Berluskonin ndryshon gjithçka. Një grup italian ka ardhur të diskutojë rreth mundësisë së një centrali në Shqipëri. Por nuk kemi vendosur ende për vendin. Dimë vetëm që do të jetë.
Po për afate kohore? Qeveria italiane ka folur për pesë vjet...
Varet. Nëse do të arrihet një marrëveshje mes qeverive tona, pesë vjet janë një afat i mundshëm.
Në të kaluarën me Italinë keni pasur edhe mjaft projekte të përbashkëta lidhur me mbetjet urbane. Mund të bëni diçka për Napolin?
Çështje tepër delikate. Gjërat kanë ndryshuar. Sot, ligjet shqiptare e ndalojnë importin e mbetjeve urbane. Unë besoj se kjo veto është vendosur edhe nga interesa të veçantë, pasi kështu me biznesin e mbeturinave merren vende të tjera. Por pengesa ligjore është e pakapërcyeshme.
Franko Fratini, në pozicionin e Komisionerit europian, ju premtoi afate të shkurtra për liberalizimin e lëvizjes në Europë. Tani është në qeveri me Legën e Veriut. Besoni se do ta mbajë premtimin?
Frattini, një mik i madh! Nuk mund të ndryshojë në sjelljen me shqiptarët. Në një takim me Silvion, ky i fundit më tha, mua dhe medias: nuk kemi probleme me shqiptarët. Në fakt situata në Itali po përmirësohet. Janë të paktën 400 mijë shqiptarë me dokumente të rregullta, disa mijëra sipërmarrës, më shumë se 10 mijë studentë.
Ju jeni optimist: në Itali ka shumë intolerancë...
Krimi i organizuar është kudo problem. Ne po e luftojmë me tolerancë zero. Por nëse vërejmë treguesit e kriminalitetit, mund të thuhet se janë më të ulëtit në të gjithë Europën, më shumë se tek ju. Nëse Italia përdor dorën e hekurt me kriminelët tanë, edhe Shqipëria përfiton. Por e vetmja zgjidhje për problemin e emigrantëve të ligjshëm është t’u jepet një status minoriteti.
Shqiptarët të mbrohen si tirolezët e jugut ?
Varet. Nëse minoranca e kalon 10 % e popullatës, përse të mos u jepet kjo mbrojtje? Por, Europa nuk është ende e përgatitur.
Ndërkohë, synoni anëtarësimin në BE brenda 2014...
Nuk vendos data. Nuk jam profet. Por mendoj se anëtarësimi do të jetë shumë më i shpejtë sa imagjinohet.
Sapo keni marrë ftesën për anëtarësim në NATO: do të mirëprisni edhe baza të tjera ushtarake?
Rezultat i shkëlqyer! Gjithçka që kërkon NATO ne jemi të gatshëm ta bëjmë.
Por, imazhi juaj jashtë vendit nuk është i mirë, “New York Times” ju akuzon për trafik të paligjshëm. Dhe pas tragjedisë së Gërdecit, arsenali i shpërthyer në afërsi të Tiranës, kritika edhe lidhur me çështje të familjes suaj...
Nuk ka asnjë përfshirje timen apo të familjes sime. Eshtë kjo gazetë e madhe që përdor vetëm regjistrime mafiozësh!.. “NYT” i referohet furnizimit me municione nga Pentagoni. Shqiptarët nuk kanë lidhje fare. Kemi qenë të parët që bllokuam atë kontratë. Kur pashë se këtu dyfishohej çmimi i shitjes së armëve tek afganët, mora në telefon presidentin Karzai dhe i thashë: mund t’i merrni të gjitha falas. Të gjithë municionin që ju nevojitet. E bëra gjatë luftës në Ballkan, me kombet mike!....
Më falni, kujt ia jepnit atë municion?
Eshtë histori e gjatë, lëre më mirë. Por e kam bërë. Kemi një mal me municione.
Pastaj është edhe Karla Del Ponte: akuzon Shqipërinë se ka lejuar vendosjen e një baze të UÇK, ku bëhej trafik organesh për të financuar gueriljet kosovare...
Unë di që kanë qenë 1.500 shqiptarë të zhdukur në Kosovë. Jam prej tre vjetësh kryeministër dhe gjithnjë e kam mbështetur gjykatën e Hagës. Kjo zonjë nuk jep prova. Ndoshta, është e apasionuar pas Agatha Christie. Por, është një imitim shumë i keq. Një zgjedhje e tmerrshme e OKB-së, emërimi i kësaj gruaje në një post me kaq shumë përgjegjësi dhe që ka shpikur çdo gjë. Do të kërkojmë të veprohet kundër saj.
Berisha prej 18 vjetësh në skenë: do të kandidojë sërish?
Vetëm dy gjëra mund të nxjerrin Berishën në pension. Zoti i plotfuqishëm dhe populli shqiptar. Më pëlqen të shoh tek e ardhmja dhe jo të shkuarën.
Intervistoi: Francesco Battistini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›