E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndërhyrja në legjislacion, për të ngushtuar hapësirën procedurale që mund të përdoret për abuzim”

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, flet për diskutimet e ndryshimit të Ligjit “Për Avokatinë”

Ministria e Drejtësisë po diskuton dhe po sheh mundësinë për një ndërhyrje në ligjin “Për Avokatinë”, për shkak të mosefikasitetit të tij në rastet kur avokatët thyejnë etikën dhe bëhen shkak i zvarritjeve të proceseve gjyqësore.
Ndërhyrja në legjislacion shihet si një mundësi nga Ministria e Drejtësisë për të ngushtuar hapësirat prodecuriale me të cilat abuzojnë avokatët, veçanërisht në procese të bujshme, që në shumicën e rasteve zvarriten për shkak të mungesës së tyre (avokatëve). 
“Nisur dhe nga një konsultim që kam pasur me përfaqësues dhe drejtues të Dhomës së Avokatisë, apo me drejtues të institucioneve ë tjera të zbatimit të ligjit, ndoshta do të lindë e domosdoshme një ndërhyrje në legjislacion, për ta ngushtuar maksimalisht hapësirën proceduriale që mund të përdoret për abuzime nga ana e avokatëve në seancën gjyqësore”, deklaroi dje Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
 Por kjo, sipas tij, duhet të jetë një produkt konsensual, e thënë ndryshe të merret vendimi në gjithë institucionet e zbatimit të ligjit për faktin se të gjithë ata aktorë janë të përfshirë në një proces gjyqësor.
Duke u përpjekur të gjejnë një model se si mund të zgjidhet situata për rastet kur avokatët mungojnë në gjykatë, opsioni më i mirë që po shqyrtohet është ai i pranisë së dy grupeve avokatësh të gatshëm. Njeri është ai i atyre që njihen si avokatët kryesisht nga shteti. Dhe grupi tjetër ai i avokatëve të përfshirë në një listë të posaçme nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
“Dhoma e avokatisë ka ndërhyrë, ka dhënë madje disa masa paralajmëruese dhe vërejtje për avokatë të veçantë të cilët nuk respektojnë procedurat e hetimit gjyqësor, por ajo që unë mendoj, nisur edhe nga konsultimet që kam pasur qoftë edhe me përfaqësuesit drejtues të Dhomës së Avokatisë, qoftë me drejtues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit, ndoshta do të jetë e domosdoshme një ndërhyrje në legjislacion për ta ngushtuar maksimalisht hapësirën proceduriale që mund të përdoret për abuzim”, deklaroi Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
Ministri Nishani shton se për këto ndryshime do të merret qëndrimi i të gjithë aktorëve të përfshirë në proces.
Sipas Nishanit, procedurat duhet të jetë shumë më strikte dhe më përcaktuese, në mënyrë të tillë që të mos të ketë hapësira abuzuese nga ana e avokatit gjatë hetimit gjyqësor, gjë që sjell dhe shtyrjen e seancës gjyqësore.
“Nëse arrijmë në një konkluzion ku në parim dhe themel të respektohet tërësisht ofrimi dhe sigurimi i të drejtës së mbrojtjes së personit të pandehur, atëherë procedura duhet të jetë shumë më strikte dhe përcaktuese, në mënyrë që të mos ketë hapësirë abuzuese nga ana e avokatit gjatë hetimit gjyqësor për të shtyrë procesin gjyqësor apo seancën, por trupi gjykues të ketë të gjithë të drejtën dhe hapësirën ligjore për ta vazhduar procesin dhe seancën pa ndërprerje”, përfundoi Nishani.
Disa procese gjyqësore, veçanërisht procese të bujshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, zvarriten për shkak të mungesës së avokatëve. Dhoma e Avokatisë ka ndërhyrë dhe në disa raste ka dhënë masa paralajmëruese dhe vërejtje për avokatë të veçantë, të cilët nuk respektojnë procedurat e hetimit gjyqësor.
Ministri Nishani beson se zgjidhja e vetme është ndërhyrja dhe përcaktimi në legjislacion.
“Në fund të fundit, pavarësisht dëshirave dhe qëndrimeve subjektive që mund të mbajë në konsideratë çdo institucion më vete i zbatimit të ligjit, mendoj se çështja e ligjshmërisë bëhet më efiçentë nëse ajo është e zbatuar në legjislacion”, përfundoi Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›