Protesta e re e deputetëve socialistë – duan të dinë kur do i marrin rrogat, pasi dhanë dorëheqjet nga ojq-të ku militonin

Për publikun po dalin argumente të reja për protestat e përditshme që po shfaqin deputetët socialistë. Deputetët e palidhur ngushtësisht me Grupin e Pezës po shfaqin reaksion për mungesën e financave dhe po i kërkojnë Edvinit se kur duhet ta marrin rrogën e parë, pasi kanë dhënë dorëheqjet nga ojq-të ku lëvronin fondet e majme ët fushatës
Bojkoti i Parlamentit nga ana e deputetëve të PS-së, ka filluar të shkaktojë të bojkotuesit, pakënaqësitë e para edhe për sa i përket “ditëve kot” që ata po kalojnë, por pa mundur të fusin ndonjë të ardhur në formë rroge, xhepat e tyre.
Në këtë valë pakënaqësish, ndërsa shumica e tyre nuk e fshin të shprehurit e “merakut” që s’po mundin të fusin asnjë lekë në xhep, për shkak të mos pasjes së mundësive për të marrë as pagat si deputetë, sepse end nuk kanë bërë betimin, ata, por edhe të tjerë, mundohen të gjejnë mundësi, për të siguruar ndonjë “pagë provizore”.
Një pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, i zgjedhur deputet i PS-së, mësohet se, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur ai u konfirmua si deputetë, paraqiti dorëheqjen nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Por, kur Edi Rama “lançoi” idenë e bojkotit, menjëherë deputeti, nxitoi në fakultet dhe duke ju lutur dekanit, tërhoqi dorëheqjen. Sot ai ende vazhdon të punojë e paguhet si pedagog, deri në pritjen e vendimit të Edi Ramës, për tërheqjen nga bojkoti, ose deri në thyerjen e bojkotit nga pedagogu që pret të bëhet deputet.
Në morinë e deputetëve, të pakënaqur, vetëm pse nuk po i gëzohen ende rrogës së parë, janë kryesisht deputetët të rinj si Arben Ahmetaj, apo Ditmir Bushati, të cilët qajnë ende periudhën parazgjedhore, kur ata kishin krijuar e drejtonin ndonjë OJF-ë, ku edhe merrnin rroga të majme. Por, pas regjistrimit në listat e fituesve të sigurt të PS-së, pa, menduar “surprizën” që ju kishte rezervuar Edi Rama, ata dhanë dorëheqjen nga drejtimi i OJF-ërave, duke hequr dorë edhe nga pagat e majme që merrnin prej tyre.
Tani, jo vetëm këta, por edhe deputetet Olta Xhaçka, apo Vasilika Hysi, qajnë nën heshtje, “fatin e keq”, që ju ka rezervuar kapriçoja e radhës e Edi Ramës.
Olta Xhaçka, Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi, apo edhe deputetët të tjerë, të afërt e të largët për Edi Ramën, nuk po munden të ngushëllohen në këto ditë, as nga daljet e tyre para kamerave, duke zëvendësuar njëri-tjetrin në leximin e deklaratave të imponuara, pse jo dhe të shkruara nga Edi Rama, por as nga dalja me fotografi në gazetat e ditës. Për ata, por edhe për të tjerët, megjithëse të pakënaqur e të frikur, mbetet e jo dhe aq e paqartë se sa një padrejtësi, që Edi Rama, vazhdon të mos e rrezikojë mandatin e tij dhe të vazhdojë të marrë edhe një rrogë si kryebashkiak, ndërsa ata të presin urdhrin e tij, se kur duhet të fillojnë të bëjnë punën e deputetit, si dhe të paguhen për këtë punë që po i pret.
Por zemërimi për mosshfaqjen në fund të tunelit të ndonjë rreze drite, pas bojkotit të parlamentit nga ana e deputetëve të PS-së, ka prekur edhe “aleatët” e rinj, të kësaj partie, ata të ikurit nga LSI-ja. Premtimi i Edi Ramës, për të bërë nënkryetar të bashkisë së Tiranës një nga të ikurit e LSI-së, që i është bashkuar PS-së, ka zgjuar zemërimin e Eduart Shalësit, i cili shikon rrezikun e mosmarrjes së kësaj page, që ende vazhdon ta marrë si zëvendësi i Edi Ramës në këtë bashki. Për Shalësin, dita kur ai mund ti thotë vetes “deputet me rrogë”, është me sa duket e largët, aq sa ai të bëjë sikur nuk kupton se te dera e jashtme e zyrës së tij në bashkinë e Tiranës, dikush i ardhur nga LSI-ja, po pret ta zëvendësojë, thjesht dhe vetëm për të marrë një rrogë. Kjo nga ana tjetër, ka zemëruar edhe të ikurin e LSI-së, i cili iku nga kjo parti, pas premtimit për t’u bërë nënkryetar bashkie, premtim që nuk po mbahet nga Edi Rama, sepse e ka merak t’ia prishë Eduart Shalësit.
Përballë një situate, kur argumentet për thyerjen e bojkotit kanë filluar të kalojnë edhe nga xhepat e deputetëve të PS-së, zërat e ditëve të fundit, të Ben Blushit, apo Andis Harasanit, për një hyrje të mundshme, e të shpejt në Parlament, nga disa deputetë, bëhen edhe më të besueshme.
“Unë një ditë do të hyj në Parlament, nëse PS nuk hyn në pafundësi. Ky është një mendim i pothuajse gjysmës së grupit parlamentar”, deklaroi Ben Blushi disa ditë më parë.
Ironia e Andis Harasanit shkoi edhe më tej, kur krahasoi mandatin e tij të cilin ia kërkojnë të mos e ushtrojë deri edhe kryetarë partish që nuk janë bërë deputetë, me mandatin e Edi Ramës si kryetar bahskie, që nuk pranoi ta dorëzoi as për tu vënë në krye të listës së kandidatëve për deputetë të PS-së.
“Nuk do ta djeg mandatin e tim të deputetit, ashtu sikurse dhe Edi Rama nuk po e djeg mandatin e tij si kryetar bashkie. Të njëjtin mendim ndajnë dhe shumë deputetë të PS-së”, tha Andis Harasani për mediat, disa ditë më parë.
Ndërsa zërat dhe argumentet për thyerjen e bojkotit dhe hyrjen në Parlament, po shtohen, Edi Ramës, se të vetmit “qëndërrestarë”, i kanë mbetur biznesmenët e tipit Dashamir Peza apo Fidel Ylli, që duket se nuk e kanë shumë problem marrjen e një rroge si deputetë, se sa kanë më shumë merak, të sponsorizojnë idenë e Edi Ramës, për të qëndruar jashtë dhe larg Parlamentit, sepse kështu ju gënjen mendja se vulosin të ardhmen e tyre në politikë...