E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrja ushtarake në Libi hyn në javën e dytë

Ndërhyrja ushtarake kundër udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, sot hyn në javën e dytë të saj.

Të premten, Katari është bërë shteti i parë arab që ka marrë pjesë në fushatë. Dy avionë luftarakë të këtij vendi u janë bashkuar planeve të Francës për të zbatuar zonën e ndalim fluturimit mbi Libi.

Sulmet e vendeve perëndimore kanë bombarduar caqet e forcave të Gadafit në qytetin Axhdabia, ndërsa trupat e regjimit raportohet të kenë bombarduar Misraten, qytetin e kontrolluar nga kryengritësit.

Shtetet e Unionit Afrikan, të cilat kanë kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake, kanë thënë se do të angazhohen për bisedime paqësore, për t`i dhënë fund konfliktit.

NATO-ja bëri të ditur se operacioni për mbrojtjen e civilëve libianë, në përputhje me rezolutën e OKB-së, mund të zgjasë deri në 90 ditë apo më shumë.

Aleanca ka emëruar gjeneralin Çarls Boukard për të udhëhequr veprimet e NATO-s.

Ministria e Shëndetësisë në Libi ka deklaruar se 114 persona kanë humbur jetën që nga nisja e sulmeve ajrore.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama do të mbajë një fjalim televiziv të hënën, për të shpjeguar synimet e Shteteve të Bashkuara në konfliktin.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›