E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderi i Qarkut të Gjirokastrës për prof. Adriano Ciani

“Nderi i Qarkut të Gjirokastrës” për prof. Adriano Cianin, ish- atashe për bashkëpunimin universitar, shkencor dhe teknologjik pranë ambasadës italiane në Tiranë, aktualisht profesor pranë Universitetit të Peruxhias Qyteti i gurtë vlerëson aktivitetin e italianit nga Mashkullora në Shqipëri

Ditën e diel, më 21 mars, në sallën e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, është organizuar ceremonia e dorëzimit të titullit “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës” për prof. Adriano Cianin, ish- atashe për bashkëpunimin universitar, shkencor dhe teknologjik pranë ambasadës italiane në Tiranë dhe aktualisht profesor pranë Universitetit të Peruxhias.

Gjatë mandatit tetëvjeçar në Shqipëri, prof. Adriano Ciani ka qenë shumë aktiv dhe kontribuues në shtimin dhe shtrirjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit shkencor dhe akademik, si dhe inspirues i drejtpërdrejtë në disa prej projekteve më të rëndësishme për zhvillim e rajonit të Gjirokastrës.
Pesha dhe ndikimi i këtyre projekteve në zhvillimin e rajonit të Gjirokastrës shprehet edhe në faktin se shumica e tyre vazhdojnë edhe sot me shumë sukses të implementohen, duke kontribuar dukshëm jo vetëm në zhvillimin e realiteteve ku ato po zbatohen, por edhe në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe. Vlejnë të përmenden kontributet e prof. Adriano Cianit në fillimin dhe vazhdimësinë e misionit arkeologjik shqiptaro-italian pranë sitit arkeologjik të Hadrianopolit në Sofratikë, realizimin e bashkëpunimit universitar midis universitetit “Eqrem çabej” të Gjirokastrës dhe atij të Maceratës në disa sektorë, ku më kryesori është aprovimi i Kursit DND të diplomimit pranë universitetit “Eqrem çabej” për “Arkeologji dhe administrim të pasurisë arkeologjike”, mbështetja në realizimin e disa studimeve për urbanistikën dhe territorin e rajonit të Gjirokastrës, sikurse janë projektet dhe studimet për Parkun Natyror të Viroit, Zonën e Mbrojtur Aeroportuale si dhe Zonën e Mbrojtur Arkeologjike të Hadrianopolit.

Mbajnë vulën e bashkëpunimit dhe interesimit të tij personal, iniciativat mes Zyrës së Bashkëpunimit Universitar, Shkencor dhe Teknologjik pranë ambasadës italiane në Tiranë të drejtuar për tetë vjet nga prof. Ciani dhe shumë institucioneve kulturore, shkencore dhe strukturave të qeverisjes vendore në Qarkun e Gjirokastrës dhe personaliteteve e profesorëve të Universitetit të Gjirokastrës për studime dhe projekte të përbashkëta, bursa studimi dhe kualifikimi me institucione dhe universitete italiane.

“Prof. Adriano Cani është inspiruesi dhe organizatori i drejtpërdrejtë i zhvillimit në Gjirokastër të disa konferencave shkencore ndërkombëtare për zhvillim social, ekonomik dhe kulturor të Qarkut të Gjirokastrës, ku ekspertë dhe profesorë italianë dhe shqiptarë të fushave të ndryshme, në bashkëpunim të ngushtë me pedagogët e Universitetit të Gjirokastrës, ekspertë vendas, kanë trajtuar dhe debatuar problemet e zhvillimit të turizmit kulturor dhe rural në rajonin e Gjirokastrës, problematikat e riaktivizimit të aeroportit, ruajtjen dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës, menaxhimin e territorit, etj.”, thotë për gazetën “Shqip” rektori i Universitetit të Gjirokastrës, prof. dr. Gëzim Sala.

Për konkretizimin e nismave dhe projekteve të përbashkëta në arritjen e rezultateve, thotë ing. Bexhet çobani, zyra e prof. Cianit, pranë ambasadës italiane, ka pasur bashkëpunim konkret dhe shumë efikas me Zyrat e Urbanistikës dhe Programim të Zhvillimit në Qarkun e Gjirokastrës, kryetarin e Këshillit të Qarkut Gjirokastër dhe me disa drejtues të komunave dhe bashkive të këtij qarku.

Mbështetur në këtë kontribut të madh dhe të gjithanshëm dhe duke i vlerësuar ato si shumë të rëndësishme për zhvillimet e sotme dhe të ardhshme të rajonit të Gjirokastrës, Këshilli i Qarkut e nderoi dhe vlerësoi prof. Adriano Cianin me titullin e lartë “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”, të cilin ai e meriton plotësisht”, tha për “Shqip”, Arben çulli, kryetari i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës.
“Ndihem shumë i mallëngjyer për këtë nder, por nderi më i madh u takon juve që dini të nderoni miqtë që ju duan dhe ju respektojnë”, tha prof. Adriano Ciani, duke marrë në dorë titullin nga kryetari i Qarkut të Gjirokastrës, Arben çulli. Në të njëjtën ditë, prof. Adriano Ciani mori pjesë në një festë të madhe popullore në fshatin Mashkullorë, ku u shpreh se e ndjente veten tërësisht mashkullorit, madje të prejardhur nga fisi i vjetër i çanenjve të Mashkullores.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›