E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësi: Nuk doja të qëlloja njeri, arma ishte bosh

Gjykata vendos “arrest me burg” për Romeo Lekën, që në seancë shfaqi çrregullime mendore

Grabitësi dhe pengmarrësi lezhjan Romeo Leka, që terrorizoi Tiranën disa ditë më parë, ka shfaqur çrregullime mendore dje gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë. Në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit të Krimeve të Rënda, Leka është shfaqur i nervozuar nga prania e mediave të shumta, duke bërë gjeste të pakontrolluara, ndërsa i kërkoi Kolegjit Penal të shpejtonte procedurat dhe të vendoste për të “arrest me burg”. 25-vjeçari është kontrolluar nga dy punonjës të sigurisë së rendit në ambientet e gjykatës dhe nëpërmjet tunelit që lidh Paraburgimin 313 me Gjykatën e Krimeve të Rënda është vendosur në qeli, në pritje të ekspertimit mendor, që ka urdhëruar gjykata. Në fillim të masës së sigurisë, prokurori Adnan Xholi i kërkoi gjykatës që të vendosë masën “arrest me burg” për Lekën, i arrestuar pak ditë më parë për grabitje banke dhe pengmarrjen e një studenteje. I pandehuri është nervozuar pas kësaj deklarate. Leka ka ndërhyrë në seancë duke shqiptuar disa fjalë që mezi kuptoheshin nga trupa gjyqësore dhe palët e pranishme. Mes shqipes dhe anglishtes, Leka ka këmbëngulur se nuk ka pasur si qëllim që të shkaktojë panik dhe aq më tepër për të marrë peng një person, por veprimin e arsyetonte me gjendjen e tij në kushtet e rënda psikike. “Nuk kisha ndër mend të qëlloj njeri, arma ime ishte bosh, pa plumba”, pohoi Leka, që pak ditë më parë pasi grabitin një filial banke në Tiranë mori peng një kalimtare të rastit, duke e mbajtur peng për mbi 30 minuta nën kërcënimin e armës. Ndërkohë këtë teori dhe alibi ka deklaruar edhe avokatja e tij, Klojda Dashi. Shpeshherë 25-vjeçari kapej fort pas hekurave të sallës së gjyqit dhe i kërkonte gjykatës që “ta linte të qetë”, ndërsa në sallë përveç medias nuk kishte asnjë të afërm. Avokatja u shpreh se Leka vuan nga çrregullime mendore, ndërsa saktësoi se “pres një raport mjekësor nga SHBA që do konfirmojë faktin”. Por, trupi gjykues vendosi masën e arrestit me burg për Lekën, duke i lexuar akuzat, por pa përfshirë ato për vrasje që pretendohen se janë kryer nga 25-vjeçari. Ndaj Romeo Lekës rëndojnë akuzat e grabitjes me armë, armëmbajtje pa leje, pengmarrje dhe heqje lirie e personit. Ndërkohë sipas Policisë së Shtetit, shtetasi Romeo Leka, ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, sidomos në Amerikë, ku ka jetuar prej disa vitesh si emigrant. Ai ka qenë i arrestuar për “trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “vjedhje me armë”, “vjedhje banke”, si dhe “posedim të armëve të zjarrit”. Ai është deportuar nga Amerika në Shqipëri në gusht të vitit 2007 dhe ka jetuar tek të afërm të tij në qytetet e Durrësit, Kavajës, Burrelit dhe Tiranës. Ndërkohë, ai dyshohet edhe për disa vjedhje të tjera në Tiranë. Rreth një javë më parë, Leka tentoi të grabiste një bankë në lagjen “Ali Demi”, një kinema dhe një taksist te parku “Rinia”. Një ditë pas këtyre “bëmave”, ai arriti të grabiste një filial banke brenda një hoteli. Me t’u pikasur nga policia ai është përpjekur të largohet, duke mbajtur peng për rreth 30 minuta një studente.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›