E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderi në një pullë poste

Në listën e Postës Shqiptare për vitin 2009 janë radhitur 12 tema që do të ilustrohen me pulla. Deri tani asnjë pullë nuk është publikuar. Mes temave: objekte kulturore dhe kulti, përvjetorë, institucione, portrete artistësh shqiptarë dhe të huaj... "Pallati 176" dhe "Shi në plazh"


Reklamat e kushtueshme nëpër rrjetet e huaja televizive nuk janë e vetmja mënyrë e prezantimit të imazhit të Shqipërisë.

Pulla e postës e përmbush gjithashtu këtë detyrë. Qysh prej një shekulli, letrat dalin nga Shqipëria me këtë katror të vogël mbi shpinë.
Ndonëse puna për emisionin e vitit 2009 ka nisur një vit më parë, ende në treg nuk ka dalë asnjë pullë.

Në listë figurojnë objekte kulturore dhe kulti fetar, përvjetorë, institucione, portrete artistësh shqiptarë dhe të huaj, sport, pjesë nga folklori apo isopolifonia etj.

Është një komision i përbërë nga anëtarë të përbashkët nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe anëtarë të postës që bën përzgjedhjen e këtyre temave. Për këtë vit temat e përcaktuara janë 12 por ende është mesi i marsit dhe ato ende nuk kanë dalë në treg.

Nuk dihet as tirazhi i tyre, asgjë. Drejtoria e Pullave bën të ditur se pritet të mbahet tenderi që merr përsipër stampimin e tyre.


Ky është viti i 135 vjetorit të Unionit Ndërkombëtar të Postave (UPU). Këtë përvjetor Posta Shqiptare ka vendosur ta nderojë me emetimin e pullave. Prej 86 vjetësh ajo është pjesë e këtij unioni. Prandaj kjo është në krye të listës për temat e pullave që do të emetohen gjatë 2009-s.


Një temë tjetër i kushtohet piktorëve të diasporës. Janë katër emra jo shumë të njohur në historinë e artit figurativ sepse pothuaj gjithë jetës krijuan përtej Shqipërisë. Pra në pulla do të stampohen portretet e Lika Jankos (e kanë cilësuar "Pikasoja me fustan"), Lin Delias, Artur Tashkos dhe Abedin Dinos.


Lista e temave të përcaktuara për 2009-ën vazhdon me folklorin shqiptar. Komisioni i përzgjedhjes mendon se imazhet më përfaqësuese për këtë rast janë Muji dhe Halili. Eposi i Kreshnikëve paraqitet me dy pamje.


Tema e katërt nuk ka të bëjë me realitetin dhe kulturën Shqiptare. Janë aktorët komikë amerikanë Stan Laurel dhe Oliver Hardy, të njohur për publikun e gjerë si Olio dhe Stanli. Këtyre dy figurave u kushtohen dy pamje pullash.


Sipas Drejtorisë së Pullave nuk është hera e parë që në pullat e postës shqiptare vendosen personalitete ndërkombëtarë të artit dhe kulturës.

Është një homazh i përligjur sepse "pullat koleksionohen nga njerëz të ndryshëm në gjithë botën, kështu që edhe pse nuk janë shqiptare, këto figura paraqesin vlera". Ja, për shembull, vitin e kaluar, në kategorinë "Pulla për fëmijë", Posta ka pasur "të ftuar" katër portrete të heroit modern "Harry Potter", që po këtë vit llogariti aventurën magjike të katërmbëdhjetë.

A thua se aventurat e Çufos dhe të Bubit kaçurrel janë më pak magjike dhe nuk meritojnë të jenë pullë poste!


Gjatë 2008-s, posta e ka respektuar Kampionatin Evropian të Futbollit me tri pulla.
Me tej lista e temave që pritet të zënë vend në pullat e postës shqiptare aty nga prilli i 2009-ës është edhe një kërkesë e BE-së. Vendet anëtare ose jo, emetojnë të gjitha një pullë me temë të përcaktuar nga BE-ja. Tema ndryshon për çdo vit dhe kësaj here është përcaktuar "Astronomia", të cilës posta shqiptare i ka kushtuar dy simbole.


Në serinë e këtij viti janë klasifikuar të denja edhe temat me objektet e kultit, dhe janë vërtet për t'u marrë në konsideratë monumentet e kulturës të klasit të parë si Xhamia e Beqarit në Berat, Kisha e Shën Venerandës në Pllanë të Lezhës si dhe Kisha e Shën Mërisë së Ristozit, në Mborje të Korçës.

Secila prej tyre do të ketë një pullë. Pothuajse dy vjet pas zbulimit të rrënojave të Kalasë së Tiranës, pamjet kanë për të udhëtuar nëpër botë nëpërmjet pullave postare, së bashku me imazhin e dytë arkeologjik të zgjedhur, dhe jo më pak i rëndësishëm, dhe që i përket Tumave të Kamenicës.


Përvjetori tjetër që do të nderohet nga Posta Shqiptare është edhe 65-vjetori i Çlirimit. Edhe ky respektohet me dy pamje.


Teatri Kombëtar ka ofruar tre momente të suksesshme në historinë e 25 viteve të fundit. Mund të duket e kuptueshme zgjedhja e portretit të Mirush Kabashit në monodramën "Apologjia e vërtetë e Sokratit" të cilën artisti ka mbi dhjetë vjet që e mban në skenë, ndërsa zgjedhja për temë nga "Pallati 176" dhe "Shi në plazh" është vërtet e çuditshme, sikur të ishte ky një kërkim nga thellësirat e eposit teatral.

Nuk dihet se cili është momenti që do të përfaqësojë ilustrimin e "Pallatit", personazhi i Jovan Bregut apo ndonjë foto e të gjithë trupës së aktorëve. E njëjta gjë dhe për "Shi në plazh".


Lisat e temave qe do të përmbajnë pullat e postës për vitin 2009 mbyllet me katër pulla për peshëngritjen, 2 për isopolifoninë dhe 2 për qarkullimin rrugor.


Ajo që dihet është se për secilën nga temat e përmendura do të emetohet vetëm një pamje e cila do të shumëfishohet për përdorim postar, të tjerat do të publikohen fare pak, vetëm për dyqanet e filatelisë.


Për vitin 2010 Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka ftuar të gjithë institucionet të propozojnë disa emra, duke pasur si kriter përvjetoret e lindjes apo të vdekjes të artistëve.

Dhe me këtë rast ajo do t'i nderojë me një pullë poste. Ashtu si nderoi një vit më parë ish deputetin e partisë demokratike Azem Hajdari, në 10 vjetorin e vdekjes.

Është muaji i tretë i 2009-s, ka kohë për emra konkretë. Një nga emrat e gjallë, ikonës e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve që mendohet ta ketë portretin në pullë poste, është valltarja Lili Cingu.


-----------------------------------------------------------------------------------

"Gjenerali", nesër premiera


Nesër në orën 19:00 Teatri i Operës dhe i Baletit shfaq baletin "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, me muzikë të Nikolla Zoraqit dhe koreografi të Agron Aliajt.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit Zoraqi. Në këtë rivënie të baletit Aliaj ka bashkëpunuar me koreografen italiane Laura Frigato, e cila është shprehur se ka integruar elementë të teatrit. Skenografia është realizuar nga artisti italian Valerio Ferrari dhe kostumet nga francezja Anne Brault.


Intrepretojnë Enada Hoxha- Nica, Gerd Vaso - Gjenerali, Ledian Agalliaj - Kolonel Zampa, Diona Gjinika - prifti, Ezdalin Gorani- Specialisti, Manjola Hasani - Diana. Baleti do të vazhdojë shfaqjen dhe në datat 12, 14 dhe 15 Mars.


---------------------------------------------------------------------------------------

Agim Rada fitues i konkursit për Petro Markon

Galeria Kombëtare e Arteve shpalli fitues të Konkursit Kombëtar për realizimin e bustit të Petro Markos, skulptorin Agim Rada. Monumenti i shkrimtarit Petro Marko do të vendoset në fshatin e tij të lindjes, në Dhërmi. Komisioni i përbërë nga Eleni Gjovreku, (Kryetar), Rubens Shima, Gazmend Leka, Buron Kaceli dhe Maksim Bushi filloi punë për përzgjedhjen e fituesit që në gusht të 2008-ës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›