E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 5 burgime të përjetshme "bandës" së Gaxhait

Përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënime maksimale për krimet e bandës së akuzar për tetë vrasje


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, i kërkoi gjykatës përkatëse dënimin me burgime të përjetshme, 5 të akuzuarve anëtarë të një prej "bandave" më të rrezikshme në qytetin e Vlorës pas vitit 1997, të drejtuar nga Gazmir (Gazmend) Brakaj, i njohur edhe me pseudonimin "Gaxhai", me emrin e të cilit identifikohej banda.

Mesditën e djeshme, prokurori i çështjes Eugen Beçi, në përfundim të hetimit gjyqësor, lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurve: Gazmir Brakaj, Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu, ky kushëri i Alfred Nebiut, i njohur ndryshe si Kakami.


Prokurori në fjalën e tij, renditi në mënyrë kronologjike bëmat e kësaj bande të drejtuar nga "Gaxhai". Në fjalën e tij, prokurori i çështjes renditi para trupit gjykues, të dhënat e "bandës" që nga krijimi, organizimit, drejtimit, vend strehimin e tyre, konfliktet me "bandën" Myrteza Çaushit e njohur ndryshe si "banda e Zanit".

Madje përplasja me këtë bandë solli edhe vrasjen e 7 personave, pjesëtarë të dy bandave, sulmin ndaj Komisariatit të Vlorës, vrasjen e policit Viron Rrapaj dhe tre grabitjet me armë të kryera në emër të "bandës".

Të gjitha këto krime, sipas prokurorisë, janë kryer gjatë vitit të 1997 në qytetin bregdetar të Vlorës dhe fshatrat për rreth nga pesë ta pandehurit e drejtuar nga Gaxhai dhe personat e tjerë tashmë të vrarë në mënyra dhe kohë të ndryshme. "Në fillim të vitit 1997 kushtet e sigurisë publike në qytetin e Vlorës ishin përkeqësuar së tepërmi.

Në ditët e para të muajit mars, si rrjedhojë e disa zhvillimeve social-politike në qytetin e Vlorës, janë hapur depot e ushtrisë dhe armët u morën nga civilët. Në këto kushte kur rendi dhe siguria publike nuk ekzistonin më edhe si pasojë e hapjes së burgjeve ku persona me precedentë të lartë penalë u lanë të lirë, në qytetin e Vlorës filluan të krijohen grupimet e para armatosura,- thuhej në kërkesën për gjykim, ku evidentohen tri "bandat" e ngritura në këtë qytet, ajo e "Xhelitajve" në lagjen "Centrale", "banda" e Zanit në lagjen "Çole" si dhe ajo e Gaxhait në fshatin Cerkovinë të Vlorës.

Pas krijimit të këtyre "bandave", që fillimisht kishin për qëllim ruajtjen e lagjeve të tyre nga keqbërësit, pjesëtarët e tyre nisën të zgjasin duart edhe në kryerjen e aktiviteteve kriminale, duke filluar përçarjet dhe vrasjet mes tyre. Në fillim të marsit 1997, Gazmir Brakaj së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona të vrarë tashmë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e "Gaxhait".

Konsolidimin e saj të mirëfilltë, sipas prokurorit e pati pas konfliktit me bandën e Zanit, kur u vra Bernard Duçkollari, i njohur me pseudonimin Kuqo anëtar i bandës së Gaxhait. "Banda", filloi të lëvizte me makina në grup dhe të armatosur, e që frekuentonin gjithmonë një lokal në fshatin ku ata kishin bazën e tyre dhe që në asnjë moment nuk kanë sulmuar ndonjë prej banorëve të fshatit Cerkovinë me rrethinë.

Sipas prokurorisë, të pandehurit në mënyrë direkt dhe indirekte kanë marrë pjesë në vrasjen e shtetasve Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami (që është djegur më pas), Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Ilir Mara dhe Robert Myftari, si dhe në vrasjen e policit Viron Rrapaj.

Po, ashtu në kuadër të kësaj "bande" kanë kryer vjedhjen me dhunë edhe ndaj shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema.


Të gjitha vrasjet e bandës së Gaxhait
VRASJA I
Më 17 mars '97 vritet Ilir Mara nga Alfred Nebiu (Kakami) tashmë i vrarë dhe i pandehuri Gazmend Nebiu.

Viktima Mara kishte dalë nga shtëpia me kërkesë të Kakamit, duke mos u kthyer më. Ai u gjet i vrarë pranë një bunkeri në Babicë të Vlorës.

Këtë vrasje, sipas akuzës, e ka kryer Gazmend Nebiu, së bashku me Alfred Nebiun (Kakami) pasi, Mara ka qenë së bashku me një kushëririn e tyre, Ylli Nebiu, në vitin 1993 dhe gjatë një konflikti policin Viron Rrapaj, ka mbetur i vrarë kushëriri i tyre Ylli Nebiu dhe është plagosur një person tjetër me emrin Abedin Hasani.

Kjo vrasje është kryer për hakmarrje familjare, pak ditë para "anëtarësimit" të tij në "bandën" e Gaxhait.

VRASJA II


Më 20 mars '97, është gjetur i vrarë Bashkim Dule.
Po në këtë ditë, të pandehurit Gazmir Brakaj, e Edmond Leskaj (Mond fshatari) bashkë me Bernard Duçkollarin (Kuqo i vrarë) dhe Myrteza Çaushin (Zanin) kanë shkuar në banesën e viktimës Bashkim Dule, por nuk e kanë gjetur, më pas kanë shkuar tek Pajtim Dule, xhaxhai i viktimës, ku e kanë e kanë marrë dhe një ditë më pas trupi i tij i vrarë u gjet në afërsi të Parkut Komunal në Vlorë.

Këtë vrasje, sipas akuzës, e ka kryer Gazmir Brakaj e Edmond Leskaj (Mond fshatari), 15 ditë pasi Bashkim Dule kishte dalë nga burgu.

VRASJA III


TIRANË- Më datë 24 prill 1997 aty rreth orës 21:40 minuta është vrarë shtetasi Sadik Kurti, ish-vjehrri i të pandehurit Edmond Leskaj.

Nga hetimet dhe provat e gjetura ka rezultuar se mbrëmjen e kësaj date është marrë nga banesa e tij, shtetasi Sadik Kurti dhe vajza e tij M.K. nga Edmond Leskaj.

Në momentin që kanë arritur pranë pallatit ku banonte i pandehuri Edmond Leskaj, "banda" e Gaxhait e shoqëruara nga vetë kreu i "bandës" e ka lëshuar gocën që të kthehet në shtëpi ndërsa, babain e saj e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

VRASJA IV


Pas vrasjes së Bernard Duçkollarit (Kuqos) më 9 maj 1997 nga "banda" e Zani Çaushit, i pandehuri Gaxhai dhe "banda" e tij vihen në kërkim të pjesëtarëve të bandës së "Zanit" për të larë hakun.

Po ditën e vrasjes së Kuqos, "banda" e Gaxhait rrëmben Bejo Bajramin, vëllain e Pëllumb Bajramit ish-pjesëtarit të "bandës" së Zanit. Pas disa orëve, Bajrami lirohet dhe rrëmbehet i vëllai, brenda Spitalit të Vlorës, Mithat Bajrami. Ai u mbajt peng deri në ora 01:00, pas mesnatës, 10 majit '97.

Me të marrë vesh rrëmbimin e të vëllait, Avdyl Bajrami, niset për të liruar atë, por zëvendësohet me Mithatin. Ai u mor peng në vendin e quajtur "rrethi i Skelës", e u dërgua në vendin e quajtur Kaminat e gëlqerës, në Kaninë, 2 km larg Vlorës.

Ai është lidhur këmbë e duar me tel, e më pas është vrarë dhe djegur. Kjo vrasje, sipas akuzës, është kryer pasi Pëllumb Bajrami, vëllai i Avdulit, kishte qenë anëtar i "Bandës" së Zanit. Gaxhai dyshonte se ai kishte marrë pjesë në vrasjen dhe djegien e Kuqos.

VRASJA V


Më 11 maj '97 banda e Gaxhait shkon në Komisariatin e Policisë së Vlorës për të marrë një mjet të blinduar për të luftuar me "bandën" e Zanit. Në ikje e sipër, kanë vrarë oficerin e policisë Viron Rrapaj.

Në orën 11:00 të 11 majit, në komisariat kanë shkuar disa persona të armatosur dhe kanë hyrë tek oficeri i rojes. Njëri prej tyre është prezantuar me emrin Gaxhai dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e policisë për të marrë blindat që të mbrohet nga Zani.

Pas disa minutash, para Komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30-40 persona të armatosur të cilët u futën në oborrin e policisë .

Duke dalë nga oborri i Komisariatit, pas tentimit kanë penguar marrjen e blindave të policisë, Alfred Nebiu (Kakami) ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të Komisariatit duke qëlluar në drejtim të tij.

Përvec Alfredit, aty kanë qenë edhe anëtarët e bandës, Gazmir Braka (Gaxhai), Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani, i cili kur u zhvillua ngjarja ka pasur një debat me policin Andrea Kanani (i vdekur) për t'i marrë antiplumbin.

VRASJA VI


Me datë 13 qershor në fshatin Armen, Vlorë Robert Boraku, ka dalë përpara automjetit ku po udhëtonin Ligor Koreta, Dhame Koreta, Dhimitraq Mishka, Panajot Qirjo dhe Tako Mishka, të cilët janë plagosur.

Robert Boraku ka hapur zjarr duke tentuar të vriste këta persona. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur dhe vetë Robert Boraku.

Për këtë konflikt, pas disa ditësh me 19 qershor '97, Robert e Niko Boraku (të vrarë), bashkë Gazmend Brakajn, kanë vrarë dhe më pas kanë djegur Dhimitraq Mishka, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur Shamogjin të Vlorës.

Viktima është rrëmbyer nga lokali i vëllait të tij, e më pas është dërguar në qendër të fshatit Cerkovinë ku është torturuar dhe më pas është ekzekutuar e djegur.

VRASJA VII


TIRANË- Po me datën 19 qershor 1997 nga ana e të pandehurve është kryer një tjetër krim në vendin e quajtur Shamogjin pranë një karburanti, ku antarët e bandës së Gaxhait kanë rrëmbyer dy shtetasit Zini Haruni dhe Ardian Tase, të cilët ishin duke udhëtuar nga Fieri për në Vlorë.

Ata i kanë marrë të dy me një furgon të bardhë dhe pasi kanë lëshuar Ardianin kanë marrë Ziniun e kanë çuar në Cerkovinë dhe më pas e kanë vrarë më datë 20 qershor 1997 tek punishtja e mermerit pranë këtij fshati. Vrasja e tyre është kryer për hakmarrje ndaj "bandës" së Zanit.

VRAJSA VIII


TIRANË- më datë 8 gusht 1997 në vendin e quajtur Skelë pranë lokalit "Miami" në Vlorë i pandehuri Sokol Sinomati ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Robert Myftari, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij A.H..

Aty rreth orës 20:30 makinën me të cilën po udhëtonin viktima dhe bashkëshortja e tij u ndalua nga disa persona, që e identifikuan si banor i lagjes Çole, ku drejtonte Zani Çaushi.

Më pas bashkëshortja e Robert Myftarit është lënë e lirë ndërsa, Myftari është qëlluar me armë, pak momente para se të ndërronte jetë, Miftari ka thënë në Spital se e qëlloi i pandehuri Sokol Sinomati i njohur ndryshe si "buzë derri" i "Bandës" së Gaxhait.

VJEDHJET


TIRANË- Nga pjesëtarët e "bandës" së Gaxhait janë kryer edhe tre vjedhje me dhunë, ajo ndaj shtetasit Ardian Skënderi me detyrë efektivë i policisë së Vlorës, e cila ka ndodhur në qershor të 1997.

Ka qenë fillim i muajt qershor 1997, në kohën që viktima po udhëtonte nga Fieri për në Vlorë pa arritur në fshatin Shamogjin pranë Institutit i kanë dalë para furgonit tre persona të armatosur me maska ku i kanë grabitur 168.000 lekë të rrogës dhe dy personave të tjerë nga 5.000 e 6.000 lekë të reja secilit.

Të tre personat ishin me armë automatik dhe me maska, që ishin pjesëtarët e "bandës" së Gaxhait. Vjedhja tjetër ka ndodhur në fund të prillit 1997 pranë Bashkisë Vlorë, ku disa persona të armatosur i kanë marrë me forcë makinën "Benz" me targa "Vl 8503A" shtetasit Artur Pashai.

Mes grabitësve ka qenë Edmond Leskaj, Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani. Gjithashtu, këto të pandehur kanë kryer vjedhjen me dhunë të shtetasit Vladimir Mema të cilit ia kanë grabitur makinën e tipit "Land-Rover", po në fund të muajit qershor.


TË PANDEHURIT, AKUZAT DHE DËNIMET

Gazmir Brakaj, (Gaxhai) të dënohet me burg të përjetshëm, për akuzat e "Krijimit të bandës së armatosur"; "Kryerjen e krimeve nga banda e armatosur"; "Vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasve Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni dhe Robert Myftari; "Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta" ndaj policit Viron Rrapaj; "Vjedhjes me dhunë" në dëm të shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".


Armando Sulejmani (Çipuri) të dënohet me burg të përjetshëm, për akuzat e "Krijimit të bandës së armatosur"; "Kryerjen e krimeve nga banda e armatosur"; "Vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasve Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni dhe Robert Myftari; "Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta" ndaj policit Viron Rrapaj; "Vjedhjes me dhunë" në dëm të shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

Sokol Sinomati (Buzderri), të dënohet me burg të përjetshëm, për akuzat e "Krijimit të bandës së armatosur"; "Kryerjen e krimeve nga banda e armatosur"; "Vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasve Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni dhe Robert Myftari; "Vrasjes për shkak të cilësive të vecanta" ndaj policit Viron Rrapaj; "Vjedhjes me dhunë" në dëm të shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

Edmond Leskaj, (Mond Fshatari), të dënohet me burg të përjetshëm, për akuzat e "Krijimit të bandës së armatosur"; "Kryerjen e krimeve nga banda e armatosur"; "Vrasjes me paramendim" në bashkëpunim ndaj Bashkim Dules, Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Dhimitraq Mishkës, Zihni Harunit, e Robert Myftarit; "Vrasjes për shkak të cilësive të vecanta" të policit Viron Rrapaj; "Vjedhjen me dhunë" në dëm të Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

Gazmend Nebiu: Burg të përjetshëm, për akuzat e "Krijimit të bandës së armatosur"; "Kryerjen e krimeve nga banda e armatosur"; "Vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasve Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Ilir Mara dhe Robert Myftari; "Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta" ndaj policit Viron Rrapaj; "Vjedhjes me dhunë" në dëm të shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›