Gërdeci, koalicioni qytetar, protestë më 15 mars
PS-ja thërret tryezën, ku morën pjesë drejtues të opozitës dhe krerët e shoqatave të ushtarakëve, minatorëve, veteranëve
TIRANË- Opozita dhe shoqëria civile do të jenë bashkë më 15 mars, në një manifestim pa flamuj partish, për të kujtuar dhe protestuar njëkohësisht për tragjedinë Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur me qindra të tjerë.
Ky ka qenë vendimi që ka marrë dje tryeza e partive opozitare dhe e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe sindikatave të ndryshme, të cilët do të kërkojnë së bashku vendosjen e drejtësisë për këtë ngjarje të rëndë, nën moton, "Mos Harro!".
Takimi
Tryeza e djeshme është thirrur nga kreu i Partisë Socialiste, për të bërë të mundur koordinimin e të gjitha forcave të të gjithë këtyre subjekteve, qofshin këto politike ose jo, në funksion të realizimit të një proteste të përbashkët, ku natyrisht pritet të mungojnë sloganet politike.
Në këtë takim, përveç Kryesocialistit Edi Rama, si organizator, ishin të pranishëm edhe kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, ai i PDS-së Paskal Milo, kreu i G99-ës, Erion Veliaj, si dhe krerët e shoqatave të ushtarakëve, minatorëve, veteranëve, etj.
Takimi që ka zgjatur rreth 30 minuta ka shërbyer më shumë si një konfirmim, që këta aktorë do të ishin së bashku me PS-në në këtë protestë, pasi çdo gjë që ka të bëjë me organizimin që i është lënë një grupi pune, që është ngritur posaçërisht nga socialistët.
Duke folur pas takimit, pjesëmarrësit në këtë tryezë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Tiranës, dhe jo vetëm, që të marrin pjesë në këtë manifestim, për t'i treguar qeverisë se nuk do të harrohet asgjë derisa të dalë e vërteta lidhur me këtë tragjedi. "15 marsi është dita për të mos harruar.
Është dita për t'u bërë të gjithë bashkë, në kujtim të atyre që humbën jetën në një tragjedi jo natyrore.
Në mbrojtje të së ardhmes së këtij vendi, duke mbrojtur jetën e të gjithëve dhe duke e garantuar atë përmes një cilësie të re jetese dhe bashkëjetese, qytetare e demokratike, Shqipëria e shumë plagëve të hapura, më 15 mars i kthehet një plage, e cila mund të mbyllet kur të bëhet drejtësi, kur e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kur të gjithë përgjegjësit të marrin atë që u takon.
E nga ana tjetër, mund të mbyllet vetëm kur të gjitha familjet e dëmtuara të kthehen në normalitet. Kur e ardhmja e të gjithë jetimëve, të jetë e siguruar.
Këtë nuk mund ta bëjë askush tjetër, përveç shtetit dhe nëpërmjet qeverisë së re, që ne të gjithë së bashku do të ndërtojmë me votën e 28 qershorit", - tha Rama.
Ndërkohë, i pyetur sesa do të ndikojë protesta paralele, që ka paralajmëruar LSI-ja në këtë ditë, kreu i PS-së ka pranuar realitetin, por duke theksuar se manifesti i organizuar nga opozita do të jetë bashkimi i forcave që janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale.
"Vija që ndan të shkuarën me të ardhmen, që ndan koalicionin e së shkuarës me bashkimin e ri për të ardhmen, është e qartë për të gjithë, çdo ditë e më shumë", - tha Rama.