Nderimi për Bejkon, politikanët shpërfillin thirrjen e Mirakës

Ish-të burgosurit politikë me arkivolin me trupin e Bejkos
Radhë të gjata për t’i dhënë lamtumirën Lirak Bejkos, i cili, pas aktit të vetëflijimit me zjarr, u shndërrua në viktimën e parë të grevës së urisë për dëmshpërblimin që ish-të burgosurit politikë zhvilluan nga 22 shtatori deri më 22 tetor. Godina e Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë hapi dyert në pritje të nderimeve të fundit për atë që me fjalë dhe me parulla dje u quajt “Martiri i demokracisë”. Radha nuk kurseu as politikanët, ku që në fillim, lideri i Partisë Socialiste u desh të priste rreth çerek ore para se të hynte në orën 11:20 brenda godinës. Ai ishte i shoqëruar nga kryetarja e grupit të punës për ish-të përndjekurit në PS, Keti Bazhdari, deputeti Pandeli Majko dhe eksponentë të tjerë socialistë. Pasi u përkul para arkivolit me trupin e Bejkos dhe ngushëlloi familjarët për humbjen e të ndjerit, Rama shmangu kamerat e gazetarët, duke zgjedhur rrjetin social “Twitter” për të komentuar: “E pashlyeshme pamja engjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti!”. Ndërkaq,

Bashkëshortja dhe nëna e Lirak Bejkos (Foto: Vlasov Sulaj)
ngushëllimet me politikanë sa erdhën dhe u bënë më dendur, edhe pse një ditë më parë pati nga ato deklarata ku u bë thirrje që të mos ishin pjesëmarrës, siç ishte ajo thirrja e Simon Mirakës, vetë kreut të Institutit ku u zhvilluan homazhet. Dashamir Shehi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Pëllumb Xhufi, Vangjel Dule, Auron Tare, Zef Bushati, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Kreshnik Spahiu etj., bënë nderimet e rastit, por edhe ndonjë fjalim po kaq “të rastit” në dalje të Institutit. Teksa homazheve po u vinte fundi, një surprizë më vete u cilësua vizita e përfaqësuesve të Partisë Lëvizja e Legalitetit, që është në koalicion me qeverinë, e cila është akuzuar nga ish-të burgosurit politikë si “vrasësja e vërtetë e Lirak Bejkos”. Ekrem Spahia, kryetari i kësaj force politike, njëkohësisht zëvendësministër i Mbrojtjes, si dhe nënkryetari i PLL-së, Sulejman Gjana, ishin të vetmit përfaqësues nga partitë e djathta në qeverisje që ngushëlluan familjarët e Bejkos. Megjithatë, ata edhe më parë kanë vizituar ish-të burgosurit politikë gjatë kohës së grevës, duke theksuar se takimet e tyre janë individuale, të distancuara nga koalicioni qeveritar. E gjithë ceremonia u mbyll në orën 13:00, ku ish-të burgosurit politikë vunë në krah arkivolin e mbështjellë me flamurin kuq e zi dhe u nisën drejt Varrezave të Sharrës.

Ekrem Spahia, kreu i PLL-së dhe nënkryetari Sulejman Gjanaj
Politikanët sikur “u tretën” rrugës nga vesa e shiut dhe në varrim mbetën vetëm familjarët dhe bashkëvuajtësit e Lirak Bejkos nëpër burgjet e diktaturës. Nga pasditja e djeshme ai prehet në të njëjtin varr me të atin, Petritin, që i ka liruar një copë vend në dheun e ftohtë, ashtu siç gjithnjë Liraku i kishte shprehur dëshirën. Ai la pas nënën Gjurgjie, 3 vëllezërit, bashkëshorten Edlira me të cilin ishte martuar që prej 20 vitesh, si dhe dy vajzat, Sara 19 vjeçe dhe Albana 17.
Fjalimi i fundit, nga 83-vjeçari me 27 vite burg
Fjalimi i lamtumirës në kujtim të Lirak Bejkos gjatë varrimit në Sharrë u mbajt nga ish-i burgosuri politik Islam Spahia, i ardhur nga Kukësi, aktualisht 83 vjeç, ndërsa ka vuajtur 27 vite në qelitë e diktaturës. Spahia ishte pjesë e grupit të punës që u mor këto ditë me organizimin e homazheve, që të gjithë përfaqësues nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, i përbërë nga: Edmond Halimi, Vladimir Balluku, Met Pojani, Agron Hoxha, Adriatik Mustafpolli dhe Dush Martini.
Trafiku, homazhet nisën një orë me vonesë
Homazhet në nderim të ish-të burgosurit politik Lirak Bejko kanë nisur rreth një orë me vonesë. Nga ora 10:00, që ishte parashikuar, arkivoli me trupin e të ndjerit ka arritur në orën 10:50. Vonesa është shkaktuar fillimisht në familjen Bejko, ku ka pasur dyndje vizitash që kanë ngadalësuar nxjerrjen e arkivolit. Më pas, gjatë rrugëtimit nga Lapraka drejt Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, kortezhi mortor ngeci në trafik, që si gjithnjë rëndohet nga koha me shi, siç ishte dje.
Perikli Shqevi thyen “arrestin e shtëpisë”
Ish-pjesëmarrës në grevën e urisë për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë, Perikli Shqevi nuk duhet të lëvizë nga banesa e tij për shkak të masës paraprake nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka dënuar me “arrest shtëpie” si i akuzuar për vënien e flakës bashkëvuajtësit Gjergj Ndreca. Akuzë kjo e mohuar nga të dy protagonistët. Megjithatë, Shqevi vijon të jetë në “arrest shtëpie”, edhe pse dje ka thyer vendimin e gjykatës, duke marrë pjesë në homazhet në godinën e Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë. “Nuk ka vendim, burg e hekura që të më mbante larg nga takimi i fundit me mikun tim të vuajtjeve”, u shpreh Shqevi.
Gjergj Ndreca: Të mbajmë amanetin e Lirakut
Ka qenë i pari që hyri për t’i bërë nderimet e fundit mikut që zuri dyshekun e tij kur i vuri flakën vetes dhe tri ditë më pas e ndoqi me aktin e vetëflijimit. Gjergj Ndrecën mezi e shqitën nga arkivoli me trupin e Lirak Bejkos, ndërsa në dalje të godinës ku u mbajtën homazhet, tha: “Amanetin e fundit të Bejkos e keni dëgjuar, e dha në vend të huaj. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që amanetin e tij ta çojmë në vend. Nuk do të shuhet sakrifikimi i tij, sapo ka filluar revolta shpirtërore për këto padrejtësi që janë bërë. Do të vazhdojmë protestat deri në pikën e fundit, deri kur asnjëri të mos mbetet gjallë nga ne. Ky është mesazhi për të gjithë ata që na baltosën, na përbuzën vuajtjet tona”.