Falsifikoi kartëmonedha eurosh, 3.4 vjet burg ish-kryekomunarit
TIRANE – Gjykata e Tiranës shpalli vendimin përfundimtar për katër persona të akuzuar për hedhjen ne treg të monedhave false, mes të cilëve edhe kryeplaku i komunës Pezë e Vogël. Sipas verdiktit përfundimtar të shpallur të hënën, kryeplaku Edmond Çela u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg për akuzën e “falsifikimit të monedhave”, në bashkëpunim. Për të njëjtën akuzë u deklarua fajtor i pandehuri Preng Shqalshi. Ai u dënua me 3 vjet e 8 muaj burg. I pandehuri Sandër Pacani u deklarua i pafajshëm për akuzën e falsifikimit. Por ai u gjet fajtor për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe u dënua me 8 muaj burg. I pandehuri i katërt i kësaj dosjeje, Skënder Hallaçi, u shpall fajtor për “moskallëzim krimi” dhe u dënua me 300 mijë lekë gjobë. Kjo dosje u shqyrtua me procedimin e gjykimit të shkurtuar, prej të cilit përfituan uljen e një të tretës së dënimit. Të akuzuarit u arrestuan në ditët e fundit të qershorit të këtij viti. Ata u ndaluan pas disa muajsh hetime, ku u përdorën edhe metodat speciale hetimore, si përgjime dhe blerje të simuluara nga agjentë nën mbulim. Hetimi ndaj tyre nisi pas dyshimeve të organit të akuzës se shtetasi Preng Shqalshi kishte nisur të shpërndante kartëmonedha të falsifikuara në tregun kryeqytetas, kryesisht lekë shqiptare të prerjeve 1000 lekë, 2000 lekë dhe 5000 lekë. Në vijim, nga ana e hetuesve janë shtënë në dorë disa prej kartëmonedha, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara. Më pas, dy agjentë të infiltruar të Policisë kanë realizuar një blerje të simuluar. “Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Preng Shqalshi, më datë 16.4.2012, është takuar me oficerët e Policisë Gjyqësore, ku u ka sjellë atyre një shumë prej 30.000 lekësh të prerjes 1000 lekëshe” thuhej në materialet e akuzës. ar.ba
Hetimet
Sipas Prokurorisë, rolin kryesor në falsifikimin e monedhave e kishte i pandehuri Edmond Çela. “Pasi është arrestuar në flagrancë shtetasi Preng Shqalshi, në deponimet e tij përpara organeve kompetente ka deklaruar se monedhat i merrte nga shtetasi Edmond Çela, të cilin e njihte pasi shkonte për gjueti në Mirditë”, thuhej në materialet e organit të akuzës.