E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët: 8 maji, mundësi e mirë për rrugëtimin Evropian të Shqipërisë

06-05-2011 / Gazeta 55

Ambasadorja Britanike në Tiranë, Fiona McIlëham si dhe presidenti i Parlamentit Evroprian Jerzy Buzek, vlerësojnë se zgjedhjet lokale janë tepër të rëndësishme për aspiratën integruese të Shqipërisë


UPDATE- Ambasadorja Britanike në Tiranë, Fiona McIlëham vlerëson se zgjedhjet lokale janë tepër të rëndësishme. Në një deklaratë për media, diplomatja angleze, shprehet se realizimi i zgjedhjeve të suksesshme në Shqipëri, është jetik për të ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Zgjedhjet janë një mundësi për zyrtarët, politikanët, komisionerët dhe policinë që të punojnë së bashku për të mbështetur qytetarët e tyre dhe një proces pozitiv e transparent. Këto zgjedhje janë edhe një mundësi për Shqipërinë për të forcuar më tej përparimin e saj si një komb demokratik evropian. Unë shpresoj se Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, shprehet Ambasadorja britanike Fiona Mcllëham në mesazhin e sotëm drejtuar shqiptarëve më rastin e këtyre zgjedhjeve. Ambasadorja britanike shprehet gjithashtu në mesazhin e saj drejtuar sot shqiptarëve se qeveria britanike dëshiron të shohë Shqipërinë të ecë e vendosur drejt anëtarësimit të Bashkimit Europian. “Qeveria Britanike dëshiron të shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE. Zgjedhjet e suksesshme lokale, të kryera me profesionalizëm dhe integritet janë jetike për të arritur këtë. Ne ju urojmë sukses në 8 Maj dhe në vazhdimin e reformave”.


Presidenti i PE, Jerzy Buzek: Uroj që zgjedhjet në Shqipëri të jenë demokratike e transparente


Presidenti i Parlamentit Europian Jerzy Buzek është shprehur për ABC neës, se uron që zgjedhjet në Shqipëri të jenë demokratike dhe transparente: “Vëzhguesit nuk mund të bëjnë gjithçka. Ata do të monitorojnë situatën e përgjithshme dhe procedurën e përgjithshme në zgjedhje, por mendoj se vëzhguesit mund të ndihmojmë, pasi bëhet fjalë për një numër shumë të madh të tyre. Pra, ju uroj ju gjithë të mirat për zgjedhjet, që ato të jenë të lira demokratike dhe transparente, pasi vendimi do të jetë në duart e popullit të Shqipërisë”, është shprehur, Jerzy Buzek, presidenti i Parlamentit Europian. Lidhur me pyetjen, se deri tani Shqipëria ka patur probleme me zgjedhjet, Buzek është përgjigjur, se demokracia është një sfidë kudo. “Ne jemi gati që t’ju ndihmojmë , pasi nuk ka qenë e lehtë as në vendin tim që të vendosnim një ligj të duhur elektoral. Ne na u desh që të mësojmë dhe të merrnim disa shembuj nga demokracitë e zhvilluara dhe jam e sigurtë që ky shembull do të ndiqet edhe në vendin tuaj hap pas hapi. Ndaj , ju uroj progres në zgjidhjet demokratike. Nuk është e lehtë dhe ne nuk duhet të marrim demokracinë si diçka të kryer, pasi edhe në vetë vendet tona anëtare ne na duhet që të përmirësojmë vazhdimisht rregullat demokratike dhe lirinë e shtypit. Pra, këto janë sfida edhe në vendet që konsiderohen si demokratike. Por, në rajonin e Ballkanit ka ende shumë për të bërë, shumë ndryshime për t’u ndërmarrë dhe reforma për tu realizuar, siç ka ndodhur me vendin tim 10-15 vjet më parë”, është shprehur Jerzy Buzek, presidenti i Parlamentit Europian.


Reagimi i fundit i Komitetit Amerikan të Helsinkit në Kongresin Amerikan: Partitë të pranojnë rezultatin e 8 majit - standardet, trashëgimi për parlamentaret e 2013-s


Komiteti amerikan i Helsinkit u bëri thirrje autoriteteve shqiptare dhe të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore të 8 majit, të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar se procesi zgjedhor do të realizohet në përputhje me angazhimet dhe normat e OSBE-së. Në një deklaratë të publikuar dje, kryetari i këtij Komiteti, Kris Smith, tha se “tani që mbeten pak ditë nga votimet, është e nevojshme që të ketë transparencë maksimale lidhur me këto zgjedhje si dhe një angazhim të shprehur nga ana e zyrtarëve zgjedhorë për një proces të lirë dhe të drejtë”. Votuesit, tha zoti Smith, duhet ta dinë se vendimi i tyre në kutinë e votimit do të respektohet dhe do të numërohet. Sidomos në Shqipëri, tha ai, votuesit meritojnë të dinë se pas dy dekada zgjedhjesh që nuk i plotësuan standardet demokratike, ky vit do të jetë ndryshe. “Ky vit, tha zoti Smith, duhet të jetë një pikë kthese ku të mbizotërojnë parimet demokratike dhe ku njerëzit të kenë besim të vërtetë në saktësinë e rezultatit të zgjedhjeve”. Zoti Smith shprehu shqetësim lidhur me raportet për incidente dhune gjatë fushatës zgjedhore. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Aderholt, i cili bën pjesë gjithashtu në Komisionin amerikan të Helsinkit dhe që e ka vizituar disa herë Shqipërinë në të kaluarën, tha se shpreson që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të pasqyrojnë vullnetin e popullit, në mënyrë që, ata të cilët do të zgjidhen, qofshin në shumicë apo në pakicë, të mund të punojnë në mënyrë konstruktive në nivel vendor. Sipas anëtarëve të komunitetit të Helsinkit, zgjedhjet e 8 majit duhet të tregojnë kurajën e forcave politike që të pranojnë rezultatin. Pasi siç theksojnë kongresmenët, standardet e këtyre zgjedhjeve janë një infrastrukturë e mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të 2013-s. “Shpresoj, tha ai, se këto zgjedhje vendore do të shërbejnë si shembull pozitiv për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri” - tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›