E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Edhe njëherë për Lulin, pas fjalës së hapjes

06-05-2011 / Nga mësuesja e tij, Merita Xoxa

Para dy javësh m’u desh të bëja një ndërhyrje kirurgjikale. Në paradhomën e sallës së operacionit më afrohet një djalë rreth të dyzetave dhe më pyet:
-Zysh Merita? Të njoha, megjithëse kanë kaluar vite. Më ke patur nxënës. Quhem Krenar Lila.
E emocionuar siç isha para operacionit, e pyeta për punën e tij si mjek. Përgjigjen e mora nga stafi i sallës ku kisha hyrë. Më folën me admirim për punën e Krenarit. Më thanë se ishte i talentuar në profesionin e tij. Siç ishte edhe në shkollë, nxënës i dalluar.
Hyra në operacion. Mjeku duarartë  Ben Beqiri më operoi me shumë sukses. Gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht.
Kur u ktheva në dhomë dhe pasi më doli narkoza, njëra ndër të shtruarat më pyeti për të më ngacmuar: - Përse nuk e pyete mjekun që të operoi, Benin, nëse ishte i djathtë apo i majtë?
Kjo pyetje më vuri në mendime:
-E ç’rëndësi ka? Qoftë edhe i majtë, si mjek i talentuar ai i shërben njeriut. Ndërgjgjja profesionale, përkushtimi për pacientin, e shndërron atë në një person njerëzor. E, kur këta janë ish-nxënësit tanë, krenohemi dyfish. Në qoftë se i shërbejnë vendit, qytetit ku banojmë, nëse janë të suksesshëm në  punë, ata e meritojnë dashurinë tonë.
Kur fola me krenari para disa javësh për Lulzim Bashën, që e kisha nxënës të klasës kujdestare që nga klasa V gjer në klasën VIII, nuk fola vetëm se ishte i djathtë, por se e kam parë çka bërë konkretisht në tri punë të rëndësishme dhe ç’premton të bëjë. “Bashki”  vjen nga fjala “bashkë”  - tha ai në një takim me intelektualët. Ai meritoi jo vetëm besimin e këtyre, por edhe të të rinjve që votojnë për herë të parë a të dytë. Është bindës edhe për ata që kanë qenë të luhatur, tani të bindur në premtimet dhe në përkushtimin e tij për t‘i vënë në jetë premtimet. Por si mund t’u besosh atyre që konceptin e bashkësisë si kryetar bashkie e shikojnë si pasurim të vetvetes, si një trampolinë për t’u ngjitur më lart, pa dhënë llogari ç’kanë bërë  gjatë punës së tyre, ç’vlera kanë që populli t’i votojë?
Mendova: Ka ardhur koha të çmojmë vlerat, t’i ngremë lart ato dhe të përçmojmë antivlerat, duke i lënë mënjanë, duke mos i inkurajuar, duke mos i votuar.
Kastriot Islami, ka qenë nxënës me kapacitet në gjimnazin Partizani ku, për njëfarë kohe, kam dhënë mësim edhe unë. Më kujtohet se kishte respektin e profesorëve të asaj kohe, si edhe të bashkëshortit tim, që e kishte nxënës. Të gjithë e përmendnin si ndër nxënësit më të mirë të “Partizanit” .  Ishte djalë me karakter. Tani, ndonëse i majtë, ia përplasi në fytyrë E. Ramës, si i palëkundur në mendimin ndryshe në LMN-në, se nuk do të dilte fitues në këtë përballje të 8 majit.
Kur në fjalën time të hapjes së fushatës, u shpreha e bindur se Lulzimi do të fitojë, pata edhe ironinë e një stacioni televiziv privat se nuk isha profete. Nga ana tjetër, nuk reshtën  telefonimet e të panjohurve dhe të panjohurave, se kisha çmuar një njeri që e meritonte. Tani, kur na ndajnë nga votimet vetëm tri ditë, shprehem përsëri e bindur plotësisht për fitoren e L. Bashës, duke u mbështetur në ndërgjegjësimin e këtij populli, pas gjithë këtij tranzicioni të vështirë, se ka ardhur koha që të çmojmë vlerat dhe antivlerat t’i hedhim në koshin e historisë. Lulëzim Basha ka bindur elektoratin e Tiranës se është vërtet një vlerë e padyshimtë, me premtimet që do t’i bëjë realitet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›