E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD mbyll marrëveshjen me LSI-në, koalicioni i djathtë pas tre ditësh

LSI-ja zyrtarizon sot marrëveshjen e ndarjes së zonave elektorale mes mazhorancës qeverisëse. Ndërkohë, PD-ja vendos që të mos mbështesë Bollanon në Himarë

TIRANË Brenda tri ditësh, Partia Demokratike do të mbyllë marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në këto zgjedhje, PD-ja pretendon që të hyjë në zgjedhje me koalicionin më të gjerë të mundshëm, mbi 16 parti. Vendin kryesor të aleatëve demokratë e zë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka siguruar deri tani garimin me kandidatët e saj në zona të lira, në të paktën 10 prej 66 bashkive të vendit. Disa prej këtyre bashkive janë të nivelit të parë, qendër qarku, si Elbasani, njëra nga bashkitë më të mëdha në vend, Lezha apo Berati. Bashkitë e tjera kryesore janë Pogradeci, Lushnja, Përmeti, Orikumi, Rrogozhina, Erseka dhe Çorovoda. Mbi marrëveshjen për koalicionin, do të flasë sot edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. LSI-ja do të shpallë sot fillimin e fushatës për bashkinë e Tiranës. Siç njofton edhe zyra e shtypit e LSI-së, në takimin e sotëm, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga grupi Parlamentar i LSI-së dhe nga drejtues të tjerë të kësaj partie, do të ndalet gjerësisht në situatën politike, që po kalon vendi, shpalosjen e pikave kryesore të programit elektoral të LSI-së për zgjedhjet administrative të 8 majit, si dhe mbi marrëveshjen e ndarjes së zonave elektorale mes mazhorancës qeverisëse. E ndërsa LSI-ja zyrtarizon sot marrëveshjen e koalicionit, në anën tjetër, PD-ja e cila nuk ka mbyllur bisedimet me partitë e tjera aleate, ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm, që lidhet me Himarën. Koalicioni qeverisës do të dalë me kandidatin e saj në këtë zonë, duke vendosur të mos mbështesë Vasil Bollanon, i cili nga negociatat e deritanishme rezulton të mos mbështetet as nga opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›