Ndërkombëtarët: Sa më shpejt reforma zgjedhore
Ambasadori i OSBE-së shprehet se formula aktuale për gratë, nuk garanton 30% të grave në Kuvend
TIRANË- Partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Shqipërinë në rrugën e saj të forcimit të demokracisë shprehen të shqetësuar për ritmet me të cilën po ecën puna për realizimin e reformës zgjedhore. Shefi i Sektorit përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Dirk Lange dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, nëpërmjet medias kërkuan nga qeveria shqiptare që të përmbyllë brenda afateve ligjore këtë reformë, për të mundur realizimin më pas të infrastrukturës së duhur zgjedhore sipas standardeve ndërkombëtare. Lange në emër të Komisionit Evropian theksoi rëndësinë që ka për zgjedhjet e ardhshme hartimi i një kodi zgjedhor sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët brenda një afati të arsyeshëm kohorë. “Ne kemi kërkuar nga qeveria që të përshpejtohet puna për reformën zgjedhore në mënyrë që brenda afateve ligjore të krijojmë infrastrukturën e duhur zgjedhore, pasi siç e dimë zgjedhjet do të mbahen në muajin qershor”, - tha Dirk Lange dje pasi inspektoi së bashku me ambasadorin Bosch mbarëvajtjen e projektit për digjitalizimin e zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Vorës. Gjithashtu ai ka vlerësuar dhe nevojën për plotësimin e infrastrukturës zgjedhore para zgjedhjeve të përgjithshme në 2009 si edhe rëndësinë e arritjes së një progresi të kohshëm në përfundimin e punës me regjistrin civil dhe administratën zgjedhore. “Shqipëria duhet të sigurojë një regjistër civil të saktë dhe pajisjen me dokumente identifikimi sipas standardeve ndërkombëtare të të gjithë votuesve në një kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, - tha ndër të tjera Lange. Ndërkohë ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, është ndalur në përmbajtjen e reformës zgjedhore, nga cilësia e së cilës do të varet dhe zbatueshmëria në terren i ndryshimeve në Kod. Kështu, ai ka vënë theksin pikërisht tek çështja e kuotave të përfaqësimit të grave në lista dhe në strukturat që do të merren me administrimin e zgjedhje. Bosch ka shprehur dyshime se drafti që po diskutohet në Komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore nuk jep garanci për zbatueshmërinë e detyrimit për të pasur në Kuvendin e ardhshëm minimumi 30 për qind deputete femra. “Drafti parashikon që kuota për femrat të jetë në nivelin 30%. Por, për fat të keq, ky draft që është për momentin në diskutim nuk jep shanse sinjifikante për një numër të madh grash deputete në legjislaturën e ardhshme. I bëj thirrje të gjithë liderëve të politikës që të përpiqen t'i afrohen sa më shumë synimit për një pjesëmarrje të grave në parlament rreth 30%, sepse teksti që po diskutohet tani në tavolinë nuk jep asnjë lloj garancie të tillë",- u shpreh kreu i OSBE-në në Shqipëri. Ai i ka vënë theksin gjithashtu tek nevoja për ta miratuar këtë reformë me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm midis aktorëve të interesuar. Presioni i ndërkombëtarëve vjen vetëm pak ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë shtyu dhe me një muaj tjetër mandatin e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme janë programuar të mbahen në qershor të 2009-ës.