Berisha: Deputetëve tu hiqen privilegjet, marrin 1.5 herë më shumë se unë
TIRANË- Shumë shpejt të zgjedhurit tanë në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë pa makina dhe rrjedhimisht edhe pa shoferë personalë. Një lajm të tillë e ka bërë të ditur dje kryeministri Sali Berisha, i cili i “revoltuar” nga fakti se deputetët gëzojnë më shumë favore dhe privilegje edhe se ai vetë, ka paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme ligjore të posaçme ligjore për rishikimin e statusit të tyre financiar. Duke folurgjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha tha se është i domosdoshëm shqyrtimi i statusit të deputetëve, të cilët sipas tij, në papajtueshmëri me standardet europiane, mbajnë makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve. “Situata e parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet europiane. Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar korrupsionin me tolerancë zero. Korrupsioni është abuzim me fondet. Ne jemi maxhoranca dhe duhet të prijmë me shembull në gjithçka. Është e domosdoshme ndryshimi i ligjeve të bazuara në etjen e skajshme, ose ndryshe babëzinë. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në babëzinë”, - tha kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, falë një legjislacioni jo realist deputeti shqiptar përfiton një trajtim që është në kontrast të dukshëm jo vetëm në raport me trajtimin e kryeministrit, por edhe me homologët e tyre evropian. “Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se Kryeministri, në dieta e të tjera. Ky fakt nuk më shqetëson, por deputeti shqiptar nuk mund të jetë deputeti i vetëm në Europë me makinë dhe shofer”, - u shpreh kryeministri Berisha. Vlen të theksohet në këtë rast se deklarata e kryeministrit vjen vetëm një ditë pasi nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzoi atë dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli për shpenzime marramendëse nga paratë e taksapaguesve shqiptar për udhëtime jashtë vendit. Por deputetët shqiptarë nuk duhet të heqin dorë vetëm nga disa privilegje financiare, por edhe nga mbrojtja ligjore që u krijon të qenurit deputet. Shefi i kabinetit qeveritar, Sali Berisha, i është rikthyer edhe një herë debatit për kufizimin e imunitetit të deputetit. Sipas tij është e domosdoshme që për të arritur një sukses të plotë në luftën kundër korrupsionit duhet që zyrtarët e lartë përfshi edhe deputetët të jenë të zhveshur përpara ligjit. Ndërkohë që për herë të parë ai është shprehur për rëndësinë që ka në luftën kundër korrupsionit edhe bërja publike e financimit të partive politike. “Por ne jemi mazhoranca dhe nuk kemi vetëm këto detyrime. Ne kemi detyrime të mazhorancës dhe duhet të vendosim transparence të plotë të të ardhurave të partive tona. Nuk duhet tëmendojmë se luftojmë korrupsionin, pa transparencën e plotë të të ardhurave të partive”, - tha Berisha, duke ftuar njëkohësisht dhe ministrat e tij që të bëjnë transparencën e veprimtarisë së tyre.
Vendimi, qeveria fryn administratën tek arsimi dhe puna
TIRANË- Në prag të zgjedhjeve të ardhshme qeveria vendos të “fryjë” administratën shtetërore. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka marrë më pak vendime se çdo herë, vetëm 4 të tillë, ku midis të cilëve dhe një për shtimin e numrit të punonjësve, kryesisht në arsim. Në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka vendosur shtimin e punonjësve në ato sektor që varen nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Punës dhe Çështjeve Sociale. Më konkretisht Ministrisë e Arsimit dhe Shkencës i shtohen 150 punonjës duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre për këtë sektor në 43 370. Gjithashtu një rritje më të vogël pëson numri i të punësuarve në strukturat vartëse të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të cilës i shtohen 23 punonjës duke e çuar numrin e total të punonjësve për këtë ministri në 1435. E ndërsa në këto dy dikastere ka një rritje të lehtë të numrit të punonjësve, e njëjta gjë nuk ndodh në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilës i hiqen 9 persona nga burimet njerëzore. Kështu, nga 1108 punonjës kjo ministri do të ketë në varësi 1099 prej tyre. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme qeveria me propozim të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli miratoi raportin për gjendjen e mjedisit në Shqipëri, për vitet 2005, 2006 e 2007.