Bashkim Shehu përfaqëson Shqipërinë në Ballkanika
Bashkim Shehu me romanin “Angelus Novus” është përfaqësuesi i Shqipërisë për çmimin ndërkombëtar letrar që jepet në rajon, “Ballkanika 2007” dhe që këtë vit është marrë përsipër të organizohet në Shkup. Më 5 tetor shpallet në qendrën maqedone fituesi. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e shtëpisë botuese “Toena” e cila boton Shehun prej disa vitesh.
Në konkurrim janë Bashkim Shehu me “Angelus Novus” (Shqipëri),Alek Popov me “Kutia e zezë” (Bullgari), Takis Theodoropoulos me “Trillimi i Venerës së Milos” (Greqi), Liljana Dirjani me “Botë të fshehta” (Maqedoni), Aura Christi “Vendi i paprekshëm” (Rumani), Vladislav Bajac “Hamami ballkanik” (Serbi) dhe Tasim Uzjel, “Gradiaçiela” (Turqi).
Vlerësimin e bën një juri ndërkombëtare e përbërë me një anëtar nga vendet e autorëve në konkurrim të cilët shqyrtojnë veprat në gjuhët anglisht dhe frëngjisht. Në këtë juri Shqipëria përfaqësohet nga Diana Çuli.
Fituesi merr një diplomë nderi dhe një shpërblim financiar 5.000 - 10.000 euro.
Por vlerësimi më i madh vjen më pas. “Ballkanika” ka si kusht që fituesit t’i përkthehet dhe botohet romani në gjuhët ballkanike.
Shqipëria ëstë përfaqësuar në 11 edicionet e Çmimit Letrar “Ballkanika” me Ismail Kadarenë, me Ylljet Aliçkën, Aurel Plasarin, Mimoza Ahmetin, dhe i vetmi shqiptar që e ka fituar njëherë “Ballkanika”-n është Fatos Kongoli me romanin “Ëndrra e Damokleut”.
Shpresojmë që më 5 tetor “Ballkanika” të kthehet në Shqipëri, sepse vepra që i përfaqëson letrat shqipe është një nga romanet më dinjitozë që ka hyrë në zonën e çmimit “Ballkanika”. Ka disa arsye që e bëjnë të tillë romanin e shkrimtarit Bashkim Shehu, autor i cili prej gati dhjetë vitesh jeton dhe krijon larg Shqipërisë. “Angelus Novus” është një dimension introspektiv i burgut real, i një pjese autobiografike e Shehut, djali i tretë i ish-kryeministrit më jetëgjatë të ndonjë diktature komuniste, Mehmet Shehu, i dënuar pas vdekjes së të atit me burg. Ky është në një farë mënyre një nga romanet e rrallë që na e jep historinë e freskët të shqiptare në mënyrë të distancuar, duke kërkuar psetë tek ëngjëlli që rri varur mbi rrënojat e historisë, ashtu siç bën “Angelus Novus” i Paul Klee, tablo e piktorit që frymëzoi estetin hebre Walter Benjamin për një anatomi të raportit të njeriut me historinë. Shehu i referohet vdekjes në lule të moshës së Benjaminit dhe të njëjtin thys ai ngre mbi bazë të memorjes fabulën e një vetëvrasjeje të pamundur të një miku të tij në burgun politik.
“Angelus Novus” është në proces botimi në Amerikë dhe në Francë.