Kriza në SHBA mbledh guvernatorët e rajonit
Frika kryesore e bankierëve janë kreditë e këqija. Nis monitorimi nga afër i likuiditetit të bankave
TIRANË- Situata e rëndë e tregjeve të të gjithë botës dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka frikësuar ndjeshëm edhe rajonin tonë. Guvernatorët e të gjitha bankave të rajonit e kanë ndjerë këtë rrezik dhe mesditën e djeshme janë mbledhur në Bullgari. Gjatë takimit Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën se pasojat e trazirave në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat filluan në vitin 2007 dhe janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kanë pasur deri në këto momente ndikime të tërthorta ose të kufizuara mbi ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Aktualisht, bankat me prani të lartë në rajon nuk kanë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregjeve, që po ndikohen nga kjo krizë. Në këtë takim morën pjesë Guvernatorët e bankave të Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës, Qipros, Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë.
Ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore vijojnë të dëshmojnë qëndrueshmëri, rritje të lartë ekonomike dhe rezistencë ndaj mjedisit të përkeqësuar financiar dhe ekonomik në botë. Guvernatorët e bankave qendrore kanë pranuar gjithashtu, praninë e pasigurive të mëdha për të ardhmen e ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore, që rrjedhin nga ngadalësimi i mëtejshëm dhe i mundshëm i normave të rritjes të prodhimit dhe të tregtisë botërore, në rast se kriza financiare globale do të shtrihet në kohë.
“Në këtë kontekst, guvernatorët theksuan rëndësinë e të pasurit baza të shëndosha financiare dhe ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh rritjen dinamike të kredisë në shumë vende të rajonit, autoritetet e tyre mbikëqyrëse po monitorojnë nga afër kushtet e likuiditetit të bankave dhe zhvillimet e kredisë, me qëllim sigurimin e cilësisë së portofolit të kredive të bankave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Është gjithashtu e rëndësishme, që në shumë vende të rajonit, të forcohen politikat reformuese në fushën fiskale, strukturore dhe në atë të të ardhurave, me qëllim mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste dhe të zhbalancimeve në llogarinë e jashtme korrente”,- u tha gjatë takimit të Guvernatorëve të bankave qendrore.
Gjatë takimit u vendos gjithashtu që të përgatitet dhe ruhet një listë e mbikëqyrësve bankarë të linjës për çdo grup bankar, që operon në vendet e Evropës Juglindore dhe të ngrihet një grup i veçantë ekspertësh për stres-test-et, të cilët do të kenë për detyrë hartimin e metodologjisë për kryerjen e stres-test-eve në nivel grupi bankar, për çdo grup bankar të vendeve të Evropës Juglindore që operon në rajon.