E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërmjetësi i BE-së Kuper sot vizitë në Prishtinë

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, pritet të qëndrojë sot në kryeqytetin kosovar.Nga kabineti i shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahirit është paralajmëruar takimi i saj me Kuperin pasditen e sotme.
 

Pritet që temë kryesore e bisedimeve mes Kuperit dhe Tahirit të jetë përfaqësimi i Kosovës në takimet rajonale dhe zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme të arritura mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
 

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri ka thënë se vazhdimi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të ndodhë vetëm atëherë kur të përafrohen qëndrimet e të dyja palëve rreth çështjes së bashkëpunimit rajonal.
 

Kushtet e këqija atmosferike kanë bërë që Kuper të anulonte vizitën e parashikuar për javën e kaluar në Prishtinë.
 

Bisedimet për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin evropian, kanë nisur marsin e kaluar.
 

Palët kanë arritur disa marrëveshje, ndërsa kanë hasur në kundërshtime të forta sa i përket përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›