Nderohet pas vdekjes
Juria profesionale, në përbërje Valton Beqiri, kompozitori dhe pianist; Baki Jashari, kompozitor dhe dirigjent; dhe Sami Piraj, muzicient, në vlerësimin e saj theksoi se, Rexho Mulliqi është një prej kompozitorëve të parë dhe më të spikatur të Kosovës.
Përndryshe, propozimi për kompozitorin Mulliqi ka ardhur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Gjithashtu, juria ka ndarë edhe çmimet për kategoritë tjera që i parasheh Rregullorja për Çmimet Vjetore për Muzikë.
Çmimi për kategorinë e veprave simfonike - koncertale është ndarë në dysh, për kompozitorin Drinor Zymberi - për veprën “Koncert për orkestër” - dhe për kompozitorin Kreshnik Aliçkaj - për veprën “Simfonia nr. 2”.
Çmimi për kategorinë e veprave kamertale i është ndarë kompozitores Dafina Zeqiri, për veprën “Përreth”. Kompozitorit Rafet Rudi i është ndarë çmimi për veprën më të mirë në kategorinë e veprave korale, për veprën “Fantasia Concertante”.
Megjithëse e paraparë si kategori, juria nuk ka ndarë asnjë çmim për kategorinë e veprave vokalo-instrumentale e skenike, për shkak se nuk ka pasur asnjë vepër konkurruese.