E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet regjisori Almodovar

Regjisori më i famshëm spanjoll dhe një ndër regjisorët më të famshëm të Hollywood-it, Pedro Almodovar është nderuar në New York në “Museum of Modern Art”.

Eventi ku nderohet karriera filmike mbahet për të katërtin vit dhe këtë vit ka qenë Almodovar ai që ka merituar këtë trofe.

Regjisori spanjoll ka nisur karrierën e tij në vitet 70-të me realizimin e filmave të shkurtër, kur ishte vetëm 22 vjeç. Në vitin 1980 ka realizuar të parin film artistik me metrazh të gjatë me buxhet tepër të vogël, por me një skuadër të madhe vullnetarësh.

Gjatë karrierës së tij mëse 30-vjeçare, Almodovar ka realizuar 18 filma, por ka ditur përherë të jetë modest. Nderimin që iu bë në New York e ka përshkruar si një mrekulli.

“27 vjet më parë instituti 'MOMA' ka përzgjedhur një film timin dhe atëherë për të parën herë në jetën time jam parë në Amerikë. E prej atëherë filmat e mi kanë shpërndarje të rregullt këtu. Ndaj edhe nuk mund të mos i jem mirënjohës këtij instituti”, theksoi Almodovar në fjalën e tij.

Regjisori spanjoll është fitues i disa trofeve Oscar dhe ka qenë artisti i cili ka zbuluar disa talente, ndër ta edhe aktorin Antonio Banderas. Ndërsa në filmat e tij kanë qenë protagonistë emra të mëdhenj të Hollywood-it.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›