Ndërpritet bojkoti, deputetët pro dhe kundër
26/03/2010 “Sot është një ditë e lumtur. Bojkoti u ndërpre se nuk solli sukses”. Kështu u shpreh dje deputeti i PS-së, përfaqësues i Mendimit Ndryshe brenda kësaj partie, Ben Blushi, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, i cili vendosi pjesëmarrjen në Parlament vetëm për të kërkuar drejtën e transparencës mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Burime pranë kësaj mbledhjeje bënë me dije se deputetët e PS-së kanë dhënë mendime të ndryshme, lidhur me pozicionin e grupit parlamentar ndaj Kuvendit. Kështu, deputeti Malaj mësohet se ka kërkuar që të vijojë pjesëmarrja e rregullt në Parlament, duke u shoqëruar kjo dhe me protesta. Ndërsa deputetët Eduart Shalsi, Arben Ahmetaj, Armando Subashi kanë vlerësuar si të drejtë vetëm organizimin e protestave. Nga ana tjetër, deputetët Alfred Dalipi, Fatmir Toçi kanë mbështetur linjën zyrtare të PS-së për pjesëmarrje në Kuvend për të bërë me dije qëndrimet për transparencë të zgjedhjeve, duke bojkotuar punimet parlamentare për çështje të tjera.