E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutohet mbi zgjerimin e skemës së sigurimeve

26/03/2010 Shërbimet shëndetësore

Zbatimi i sistemit të referimit, si dhe zgjerimi i skemës së sigurimeve shëndetësore për sëmundjet e brendshme, ka mbledhur në një tryezë diskutimi drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe deputetët e komisionit parlamentar të Shëndetësisë. Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e këtij institucioni dhe shefat e pavijoneve, deputetët kanë kërkuar mendime dhe propozime që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Gjatë këtij takimi, kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, ka pohuar se prioritet mbetet zbatimi i sistemit të referimit, por edhe hartimi i protokolleve të mjekimit dhe kostove të shërbimeve. “Ajo që ne duam të bëjmë është përfundimi i protokolleve të mjekimit gjatë këtij viti dhe më pas nxjerrja e kostove të shërbimeve, deri në koston hotelerike për ditë qëndrimi në spital”, ka pohuar Dashi. Ndërsa shefi i shërbimit të sëmundjeve interne, Mihal Tase, ka pohuar se rëndësi ka zgjerimi i skemës së sigurimeve shëndetësore për këtë kategori sëmundjesh. Kështu numri i atyre që paguajnë do të jetë më i madh, ashtu sikur do të rritet edhe gama e shërbimeve që do të ofrohen falas. “Por një tjetër pikë e rëndësishme është edhe rritja e kësaj pagese; jemi vendi që paguajmë më pak për shëndetin, vetëm 3.4 për qind”, ka pohuar Tase. Një tjetër pikë e rëndësishme e theksuar në këtë takim ka qenë edhe stimulimi që duhet t’i bëhet personelit shëndetësor, por ky të jetë i diferencuar sipas punës që ata kryejnë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›