E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërpritet festa në PD. Berisha sëmuret në podium, mjekët: Një ulje tensioni

kryeministri Berisha dje gjate momentit te renies se tensionit ne festen e PD

Truprojat e shoqërojnë jashtë sallës. Çfarë ndodhi pas stendës së festës në Pallatin e Kongreseve. Kryeministria: Berisha mjekohej pas një viroze.

Festimet për përvjetorin e 21-të të themelimit të Partisë Demokratike u ndërprenë dje për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Kryeministrit Sali Berisha. Kreu i qeverisë pësoi një gjendje të fikëti gjatë fjalimit para qindra të ftuarve në festën e PD duke u larguar menjëherë nga podiumi, i ndihmuar nga truprojat e tij. Shefi i Qeverisë ka qëndruar për disa minuta në shoqërinë e mjekëve Mentor Petrela, Fedhon Meksi e Tritan Shehu në pjesën e pasme të skenës në Pallatin e Kongreseve për tu larguar pas disa minutash i shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë.
Ceremonia
Kryeministri erdhi në ceremoninë e themelimit të partisë që në 18:10 dhe pas shfaqjes së një dokumentari për historikun e PD-së, ai nisi të mbajë fjalimin e rastit. Sipas stafit të Kryeministrit, fjala ishte parashikuar të zgjaste 24 minuta. Në podium, në krahun e majtë, Berisha shoqërohej nga përfaqësues të Forumit Rinor, ndërsa në krahun e

Berisha duke dale nga ambienti i festes

djathtë nga ish-studentë të Dhjetorit 90. Pranë tyre qëndronin truprojat. Sot ne jemi të vendosur të ecim në rrugën e integrimit për tu bashkuar me Europën, ishin fjalët e kreut të qeverisë përpara se të ndalonte për pak çaste, kur konsumoi një gotë me ujë. Në atë moment, truprojat u afruan më shumë nga podiumi. Por Berisha nisi sërish fjalën e tij teksa tha: Ndaj dhe le të shprehim ne nderimin më të madh për ata që sollën dhjetorin 90, për miqtë tanë kudo në botë. Pasi artikuloi këto fjalë ai i zgjati dorën truprojës në krahun e majtë, Arjan Adhami, i cili është afruar menjëherë duke e mbajtur në podium, teksa i mblodhi dhe letrat e fjalimit. Nga ana e djathtë u afrua shpejt edhe truproja tjetër. Fillimisht Kryeministri i vendosi të dyja duart mbi podium dhe pranë tij erdhi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa Basha i bëri me shenjë truprojave që ta çonin Berishën në krahun e majtë të sallës, pas ekraneve të mëdha që ishin vendosur për të shfaqur dokumentarin. Largimi i kreut të qeverisë u shoqërua me duartrokitje nga salla.
Gjendja shëndetësore
Pasi truprojat larguan kreun e demokratëve nga podiumi, në pak sekonda, pjesa pas ekraneve u mbipopullua nga zyrtarët e lartë të PD-së. Fillimisht ishin Topalli, bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, Lulzim Basha dhe deputeti i PD-së, mjeku Tritan Shehu, të cilët iu gjendën pranë atij dhe më pas erdhën edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri Olldashi, deputetja Mesila Doda. Të paktë ishin të ftuarit që e kuptuan që Berisha u largua nga podiumi për shkak të gjendjes shëndetësore. Stafi i Kryeministrit sajoi në pak sekondave një ambient me tavolina e karrige ku Berisha u shtri, i asistuar nga Tritan Shehu dhe Vangjel Tavo, të dy mjekë në profesion. Pas dy minutash pranë grupit u afruan mjekët Mentor Petrela e Thedhon Meksi. Për rreth pesë minuta Berisha ka qëndruar i shtrirë, ndërkohë që sa vinte e shtohej kureshtja e të ftuarve në 21-vjetorin e themelimit të PD-së. Shumë prej tyre iu afruan banakut të sajuar për vendosjen e pijeve, që tani ndante Kryeministrin në gjendje jo të mirë shëndetësore me të ftuarit e shumtë. Njëri nga mjekët tha për gazetën se në ato minuta kur ka qëndruar shtrirë, kreu i qeverisë ka përmendur vazhdimisht fjalët: Jam mirë. Jam mirë. Mos kini merak. Më pas ai ka kërkuar që të çohet dhe të shkojë të presë tortën e ditëlindjes së PD-së, por kjo kërkesë e tij është kundërshtuar kategorikisht nga doktorët. Në këto kushte, Berisha është dorëzuar dhe ka dëgjuar fjalën e tyre për tu larguar nga salla me ajër të rënduar dhe të shkonte në një ambient të pastër. Duke dalë nga Pallati i Kongreseve, ai ka përshëndetur simpatizantët e PD-së dhe është larguar nën mbikëqyrjen e rreptë të truprojave, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe kryetarja e Kuvendit. Nga stafi i ngushtë i kryeministrit u tha se ai ka qëndruar për pak çaste në një nga ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku ka konsumuar një kafe dhe pasi e ka siguruar edhe një herë stafin se është shumë mirë, ka zbritur në këmbë shkallët e kësaj ndërtese dhe me makinën që e priste te dera është drejtuar për në shtëpinë e tij, pak metra më larg. Pranë Pallatit të Kongreseve qëndroi në gatishmëri një autoambulancë dhe për një moment u shpërnda lajmin se ajo do të përdorej për të dërguar Kryeministrin në Spitalin Amerikan, por ai zgjodhi që të shkonte në shtëpi, ku gjatë darkës ka pasur komunikim të vazhdueshëm me anëtarë të kabinetit qeveritar. Mësohet se në shtëpi e kanë vizituar Topalli, Basha e ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Kryeministria: Berisha piu kafe para se të largohej për në shtëpi
Në mbrëmje, zyra e shtypit e Kryeministrisë shpërndau një njoftim për mediat, ku informoi mbi gjendjen e kreut të qeverisë. Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij me rastin e 21-vjetorit të PD-së. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normalë dhe gjendje të stabilizuar. Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq e të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij. Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Axhenda
Berisha, dje 5 takime zyrtare
Axhenda e ditës së djeshme e Kryeministrit konsiderohet si mesatare nga stafi i tij. Në faqen e internetit, deri në mesditë ishte hedhur njoftimi për takimin që Berisha pati me ambasadorin e ri italian, Massimo Gaiani, takimi me deputetët në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar demokrat, si dhe thirrja e Komisionit Shtetëror për veprimtaritë festive në 100 – vjetorin e pavarësisë. Gjithashtu, gjatë paradites ai ka pasur edhe një takim me ambasadoren australiane. Në orën 18:10 ai ka shkuar në Pallatin e Kongreseve për të festuar 21-vjetorin e themelimit të PD-së. Sipas stafit të tij, Berisha ka zhvilluar edhe disa takime të brendshme me ministrat e kabinetit qeveritar. Por, sipas bashkëpunëtorëve të tij, dita e djeshme nuk ka qenë një nga më të lodhshmet për ta bërë atë shkakun kryesor të rëndimit të gjendjes shëndetësore në festën e krijimit të PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›