Ndërrim në komandën e KFOR-it – shkon Halbauer vjen Faneta

Gjenerali gjerman Volker Halbauer, pas një viti në krye të KFOR-it, i lë vendin gjeneralit italian, Salvatore Farina. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekoroi gjeneralin “me urdhrin ushtarak për mision në Kosovë”.
Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman Volker Halbauer, pas një viti në krye të KFOR-it, i lë vendin një gjenerali italian, Salvatore Farina. Në praninë e shumë personaliteteve kosovare dhe ndërkombëtare, në shtabin e përgjithshëm të KFOR-it u zhvillua ceremonia e ndërrimit të komandës.
Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer, tha para të pranishmëve se “Kosova gjatë 14 vjetëve pas përfundimit të luftës ka kaluar nëpër shumë sfida, mirëpo ky vend mund të cilësohet sipas tij si histori suksesi.”
“Promovimi i përparimit tregon mirë dinamikën dhe frymën e ndryshimit, sa i përket stabilizimit dhe normalizimit. Për të ofruar një qasje të drejtë, KFOR-i ka zhvilluar një koncept të njohur si ‘shtrirja e KFOR-it për siguri në veri’, mbështetur në mandatin dhe misionin e KFOR-it për një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të lëvizjes. Me dialogun për siguri është hapur një kapitull për ndërtimin e besimit në nivel teknik”, tha gjenerali Halbauer.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjeneralin e vlerësoi lart gjerman Volker Halbauer për kontributin e tij në krye të forcave paqeruajtëse, duke e dekoruar “me Urdhrin Ushtarak për mision në Kosovë”.
“Në emër të qytetarëve të Kosovës dua t'ju përgëzoj ju, oficerë dhe ushtarë të KFOR-it për përmbushjen e misionit tuaj me profesionalizëm dhe me dinjitet gjatë tërë këtyre viteve, që na qëndruat përkrah, përderisa i vendosëm themelet e shoqërisë prosperuese. Dua t'ju siguroj se qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për përkrahjen që na e keni dhënë, për besimin që ia keni dhuruar këtij vendi dhe për miqësinë e gjatë, të cilën e vendosët këtu.
Halbauer, gjatë shërbimit njëvjeçar në krye të KFOR-it është përballur me një situatë jo të qetë në veri të Kosovës, sidomos me bllokimin e rrugëve nga barrikadat e vendosura nga serbët, disa nga të cilat akoma qëndrojnë në rrugë. Gjenerali Halbauer në konferencën e fundit për media tha se “me zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi barrikadave do t'u humbasë vlera”.
KFOR-i ka disa vite që i është nënshtruar zvogëlimit të trupave, proces ky që do të vazhdojë edhe në të ardhmen varësisht për situatës së sigurisë. Aktualisht NATO-ja ka në Kosovë rreth pesëmijë trupa./Indeksonline/