Ndërrimi i prokurorit ngadalëson rastin ndaj krerëve të Prizrenit

Kanë kaluar më shumë se 12 muaj që prejse prokurori i EULEX-it në Prokurorinë e Qarkut të Prizrenit pati parashtruar kërkesën në Asamblenë e Gjyqtarëve të këtij misioni për caktimin e një gjyqtari të procedurës paraprake për shqyrtimin e akuzave ndaj zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit, të cilët dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare në disa raste.
Përderisa misioni i EULEX-it nuk jep asnjë sqarim për vonesën në administrimin e kësaj lënde, zyrtarët e Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit kanë vlerësuar se shtyrjet janë bërë për shkak të riorganizimit brenda misionit evropian, gjë që ka sjellë edhe deri te ndërrimi i prokurorit që ka udhëhequr hetimet.
"Çështja është prolonguar paksa për shkak të ndërrimit të prokurorit, që ka ardhur si rezultat i riorganizimit të vet EULEX-it. Prandaj dhe ende nuk ka ardhur deri te përfundimi i hetimeve, ngase rastin e ka marrë një prokuror tjetër i EULEX-it", ka thënë u.d. së kryeprokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Prizren, Sylë Hoxha.
Hetimet ndaj zyrtarëve komunalë ishin iniciuar nga prokurorët vendorë. Pas disa javësh hetimi i akuzave u është besuar prokurorëve të EULEX-it. Para më shumë se një viti përmes një shkrese zyrtare, kopjen e së cilës e pati siguruar "Koha Ditore", prokurori Cezary Michalczuk i pati kërkuar kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it që ta caktojë një gjyqtar të misionit evropian me qëllim të "administrimit të duhur të drejtësisë".
Në arsyetimin e kërkesës thuhet se "kryerësit e dyshuar janë zyrtarë të lartë të Komunës së Prizrenit, të cilët për shkak të pozitës së tyre zyrtare janë të njohur mirë dhe figura me ndikim në komunitetin lokal". Në të njëjtën kohë janë dhënë shembuj kur udhëheqës komunalë të Prizrenit kanë tentuar që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi organet e drejtësisë.
"Sa i përket z. Ramadan Muja, në veçanti ka treguar më parë se është në gjendje të përdorë pozitën e tij autoritative në mënyrë që të ndikojë në procedurat gjyqësore në favor të tij, duke ndaluar ekspertë të komunës që të japin opinionet e tyre në procedurat në vazhdim e sipër, lidhur me tokën. Prandaj është e arsyeshme të besojmë se ai mund të tentojë përsëri të ndikojë në procedurat gjyqësore/hetimore edhe në rastin në fjalë", thuhet në kërkesën e prokurorit Michalczuk.
Ai pati vlerësuar se kjo kërkesë është edhe përpjekje për shmangien e çfarëdo paragjykimi nga ana e prokurorisë lokale dhe autoriteteve gjyqësore kundër zyrtarëve të Komunës, duke marrë për bazë faktin se njëri prej raporteve penale është paraqitur nga kryetari i Gjykatës së Qarkut.
"Pasi që z. Muja është një figurë politike, duke emëruar gjyqtarin e EULEX-it për këtë rast, ne do të shmangim çfarëdo dyshimi që veprat e prokurorisë të jenë të motivuara politikisht", thuhet në vazhdim të arsyetimit të kërkesës.
Michalczuk ka sqaruar se Prokuroria e misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX, është duke kryer hetime penale ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryesuesit të KK-së, Nijazi Kryeziu, drejtorit të Urbanizmit, Sadik Paçarizi, ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë, Avni Ademaj, ish-drejtorit të Gjeodezisë, Kadri Ukimeri dhe drejtorit aktual të Gjeodezisë, Abdullah Tejeci./Indeksonline/