E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecën reforma zgjedhore

Liderët e partive politike në Kosovë pritet që në mesin e muajit dhjetor të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar rreth vazhdimit të reformës zgjedhore.

Bëhet e ditur se përveç liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa pjesë të takimit do të jenë edhe përfaqësuesit të AAK-së, si dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Quintit.

“Pas takimit të parë që patën Thaçi dhe Mustafa, janë dakorduar që të takohen sërish së bashku me shtetet e Quintit në mënyrë që të diskutohet rreth çështjeve të mbetura pezull si listat, anëtarët e KQZ-së, si dhe zonat zgjedhore”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për Express.

I njëjti tha se ky takim do të jetë definues për çështjet e mbetura pezull edhe në reformën kushtetuese.

“Synimi është që të gjitha reformat edhe ato zgjedhore, po edhe kushtetueset të cilat varen prej këtyre të fundit, të përfundohen në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky është edhe kushti i ndërkombëtarëve”, ka thënë burimi.

Kohë më parë LDK-ja e Isa Mustafës e kishte ndarë zbatimin e reformës zgjedhore nga ajo kushtetuese, e që ka të bëjë me zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit.

Mirëpo, tash edhe partia e Isa Mustafës po pajtohet për të ecur reforma zgjedhore përpara, duke e ndryshuar edhe Kushtetutën vetëm në ato nene që kanë të bëjnë me zonat zgjedhore, listat zgjedhore dhe përbërjen e KQZ-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›