E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërrimi i qeverive, Presidenti takon Ramën, pritet dekretimi i kryeministrit të ri

TIRANË-Pas dorëheqjes së Sali Berishës si kryeministër sot Presidenti pritet të takohet me Edi Ramën, kryeministri i propozuar nga mazhoranca e dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Presidenca konfirmoi se takimi mes Presidentit Nishani dhe Ramës do të zhvillohet në orën 10:00 në Presidencë.

Vetë Presidenti bëri të ditur ditë më parë se me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri.

Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.

Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, - thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e sotme. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, - thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›