E Diel, 1 Nëntor 2026

Drama e 8-vjeçares, vdes nga hemorragjia natën e parë të martesës

JEMEN – Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Jemen ka tronditur opinionin publik në të gjithë botën. Një vogëlushe 8-vjeçare, e detyruar të martohet me një burrë 40-vjeçar, ka humbur jetën natën e parë të martesës për shkak të hemorragjisë së brendshme.
Vajza e quajtur Rawan, ishte martuar me 40-vjeçarin në këmbim të një shume parash që ky i fundit i kishte ofruar prindërve të saj.

Aktivistët e të drejtave të njeriut, të angazhuar në Jemen për parandalimin e martesave të vajzave të mitura, kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, procedim penal për familjarët e saj dhe dënimin e 40-vjeçarit. Nga ana tjetër, autoritetet e provincës Hajja, ku ndodhi ngjarja, kanë mohuar lajmin.

Ajo që zbardhi dramën e vogëlushes Rawan ishte gazetarja Mohammad Radman, e cila pretendon se ka fakte të mjaftueshme për vërtetësinë e lajmit. Duke cituar persona të afërt me viktimën, gazetarja thotë se ata janë të gatshëm të dëshmojnë përpara drejtësisë në rast se do të jetë e nevojshme.

Drejtori i departamentit për hetimin e ngjarjeve kriminale, Mosleh Al Azzani deklaroi se ka kontaktuar me familjarët e vajzës pasi ka dëgjuar lajmin në media. Sipas tij, babai i vajzës është paraqitur në komisariat bashkë me një 8-vjeçare, duke hedhur poshtë edhe lajmin për martesën e saj me një 40-vjeçar. Megjithatë nuk është konfirmuar ende fakti nëse vajza që babai çoi në komisariat ishte pikërisht Rawan.

Rasti i vogëlushes Rawan kthen vëmendjen nga fenomeni i martesave të vajzave të vogla, kryesisht në lagjet e varfra të Jemenit. Sipas të dhënave të UNICEF-it, 14% e vajzave në Jemen martohen përpara se të kenë mbushur 15 vjeç, dhe 18% bëhen nuse pa i kaluar të 18-tat.

Në vitin 2009, Parlamenti i Jemenit miratoi një ligj që ndalon martesën e vajzave nën 17 vjeç. Ky ligj u kundërshtua nga anëtarët më konservatorë dhe besimtarë të parlamentit, me pretendimin se po shkelet ligji islamik, që nuk vendos limite për moshën e nuseve.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›