E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi me eksploziv ndaj Markut shoqerohen 18 persona

Policia e Tiranës ka zgjeruar hartën e hetimeve duke shoqëruar 18 persona në Laç, Kurbin dhe Mirditë, gjatë veprimeve për identifikimin dhe arrestimin e sulmit me eksploziv ndaj 43-vjeçarit Petrit Marku.

Ky i fundit humbi të dyja këmbët nga shpërthimi i ndodhur në automjetin e tij Benz Kabriolet me targa AA 787 DK, në lëvizje në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë, pasditen e të dielës.

Fatmirësisht dëmtimet dhe trauma kanë qenë të riparueshme për motrën e Markut, Rexhinën, djalin e saj dhe bashkëjetuesen hungareze të 43-vjeçarit, që ndodheshin bashkë me të në automjet.

Burimet policore thanë se të shoqëruarit janë të afërm dhe lidhje të ngushta miqësore të Manil Lika, i vrarë nga Marku, në rrugën “Mine Peza” në vitin 1999. Sipas policisë kjo është edhe pista kryesore e hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Të njëjtat burime thanë se lënda eksplozive CA me peshë 600 gramë i ishte vendosur automjetit në plazhin e Gjirit të Lalësit, ku kishte qenë Marku të dielën me familjarët. Oficerët e policisë besojnë se autorët kanë pritur që automjeti i Markut të hynte në Tiranë për t’u hakmarrë pranë vendit ku Marku kishte vrarë Likën.

Në fakt Marku, për këtë krim në vitin 2002 u dënua fillimisht me 25 vite burg, vendim për të cilin u ekstradua në vitin 2005 nga Belgjika.

Duke përfituar një vit nga falja e Presidentit në 2010-n, si dhe lehtësira të tjera, Marku u lirua nga Burgu i Shën Kollit rreth një vit më parë, duke shlyer 17 vite burg.
Dhe ndërsa ky mbetet motivi i ngjarjes, 18 të shoqëruarit e policisë janë lënë të lirë, pasi nga dëshmitë faktet nuk lidheshin me krimin. Policia ka nisur verifikimin e të gjitha dëshmive, ndërsa pritej që mjekët të jepnin OK-jin që oficerët e hetimit të krimit të merrnin dëshminë e Markut në Spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›