E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërrohen qeveritë, Berisha jep dorëheqjen: Respektova Kushtetutën

TIRANË-Pas 8 vitesh në pushtet Sali Berisha largohet si kryeministër. Pas mbledhjes së grupit të PD, Berisha iu drejtua Presidencës  ku dha zyrtarisht dorëheqjen si kryetar qeverie. Ky akt i hap dritën jeshile ardhjes në pushtet të qeverisë ‘Rama’ e zgjedhur me votë nga zgjedhjet e 23 Qershorit.

Berisha i dorëzoi sot rreth orës 13:10 minuta presidentit, dorëheqjen nga posti që mban prej 8 vitesh dhe ky zhvillim ndodh vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të legjislaturës së re. Takimi mes tyre zgjati rreth 20 minuta.

Nga ana e tij, kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh gjatë një emisioni televiziv se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”. 

STATUSI NE FB
Sali Berisha, ka komentuar dorëheqjen e tij nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook. Sipas tij, dorëheqja është në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve dhe vjen në përfundim të një mandate 4-vjecar.

“Të dashur miq, sot pasdite në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, mbas formimit të një mazhorance të re nga rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në përfundim të mandatit 4 vjeçar shtator 2009 - shtator 2013, i paraqita Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani dorëheqjen time dhe të Këshillit të Ministrave që unë kam drejtuar gjatë këtij mandati”, thotë ai

Më tej Berisha shton, “ Falenderova Presidentin Nishani për bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi patur”.

BERISHA
Pak para se të paraqiste dorëheqjen tek Presidenti, Berisha tha për mediat se do i njoftojë për cdo gjë të re në rrjetin social, Facebook.
Dhe pikërisht në Facebook ai dha deklaratën e parë pas aktit të dorëheqjes. Berishau shpreh se në mënyrë simbolike ka shpallur grevën 24-orëshe të heshtjes si kundërpërgjigje për Kodin e Heshtjes nga PS.

“Sot shpalla grevën e heshtjes 24 orëshe, si protestë ndaj censures se Piktorit.
Solidarizim me mediat kundër standartit te neobllokmeneve!

Të dashur miq, në shenjë solidarizimi me mediat e vendit dhe proteste ndaj Kodit të Censurës për mediat të Piktorit dështak dhe ekipit të tij, sot vendosa të shpall grevën 24-orëshe të heshtjes dhe të komunikoj çdo gjë me ju nëpërmjet rrjetit tonë social të FB. Po kthehet standarti i territ, kushtrimi i të parëve. Ne do ta sfidojmë! Sb”, shkuajti Berisha në Facebook 

PRESIDENTI
Zyrtarisht dorëheqjen e konfirmoi dhe institucioni i Presidentit me anë të një njoftimi zyrtar të shoqëruar me foto ku shfaqeshin Nishani dhe Berisha duke shtrënguar duart dhe më pas të ulur përballë njëri-tjetrit.

“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, i cili dorëzoi detyrën e Kreut të Ekzekutivit, për t`i hapur formalisht rrugën krijimit të Qeverisë së re”.
Presidenca njofton se Nishani e falënderoi Berishën për bashkëpunimin e frytshëm institucional si dhe vlerësoi kontributin personal në qeverisje e politikë.

“Presidenti Nishani, pasi e falënderoi Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike. Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj, sipas Presidentit Nishani “roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës”, citon njoftimi për shtyp.

Sipas të njëjtit burim dhe Kryeministri në detyrë Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani.

NIS KUVENDI
Nga ana tjetër, sot, më 9 shtator mblidhet Kuvendi i parë i Shqipërisë, i cili pas verifikimit të mandatit të deputetëve duhet të zgjedhë drejtuesit e këtij institucioni ligjbërës. Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave.
Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, - thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama.

Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër.

Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e ditës së enjte në 12 shtator. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, - thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Sot nis Kuvendi, drejtimi nga Dokle, deputetët do të betohen nesër PD, Basha-qeverisë së re: Kush tërhiqet nga premtimet, përballet me pasojat Berisha: Rama si Kristian Grei, përdor Kodin e Heshtjes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›