Një vit që nuk konstituohet Këshilli Kombëtar i PD-së, bllokohen forumet
Eljona Ballhysa
Më datë 14 dhjetor, Këshilli i ri Kombëtar i PD-së ka mbushur vitin, por përgjatë këtij viti ky forum i lartë nuk është mbledhur asnjëherë, duke mbajtur të bllokuar edhe funksionimin e forumeve të tjera vendimmarrëse në selinë blu. Moskonstituimi i Këshillit Kombëtar mban të bllokuar procesin zgjedhor në selinë blu, mosfunksionimin e Kryesisë Qendrore dhe Sekretariatin, anëtarëve të të cilëve u ka përfunduar mandati. Madje, askush nga PD-ja nuk e di se kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar. Kjo për faktin se në Statutin e ri nuk është përcaktuar asnjë afat për mbledhjen e tij. Madje, në ndryshimet që u miratuan në Kuvendin Kombëtar, që i zhvilloi punimet më 14 dhjetor 2009, u hoq dhe pika që parashikonte se Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit. Kjo dispozitë nuk është zbatuar ndonjëherë, por me heqjen nga Statuti mbeten pezull ndryshimet e njoftuara në PD. Në Statut është parashikuar vetëm fakti se “mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret kryetari ose sekretari i Përgjithshëm, me miratim të kryetarit, në marrëveshje me Kryesinë e partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkon ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”.
Bllokimi
Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar tejkalon mandatet e Topallit, të Bodes, Patozit dhe sekretarëve të tjerë të partisë. Lidershipi i Partisë Demokratike i mban postet jashtë mandatit prej më shumë se një viti. Me përjashtim të kryetarit Sali Berisha, drejtuesit e tjerë nuk janë rikonfirmuar zyrtarisht dhe me procedurë të rregullt në detyrat që ushtrojnë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, struktura që duhet ta bëjë këtë veprim, nuk është mbledhur dhe as dihet se kur mund të mblidhet. Pas dhjetorit, teksa pritej mbledhja e Këshillit, diçka e tillë nuk ndodhi. Drejtuesit demokratë deklaruan si kohë të mbledhjes muajin janar dhe konkretisht fundin e tij. Përmbytjet e ndodhura në qarkun e Shkodrës çuan te “transferimi” i ministrave në terren dhe askush nuk e kishte mendjen te Këshilli Kombëtar. Një tjetër njoftim i demokratëve ishte se ky forum do të mblidhej në muajin shkurt, por kjo nuk ndodhi as në mars. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar pritej të zgjidheshin emrat e anëtarëve të Kryesisë së re Qendrore të PD-së, si dhe emrat e sekretarëve të rinj, ndërkohë që pritej të rikonfirmoheshin në postet e tyre dy nënkryetarët, Topalli e Patozi.
Këshilli
Më 14 dhjetor 2009 demokratët mblodhën Kuvendin Kombëtar, ku votuan unanimisht pro rizgjedhjes së Berishës në krye të Partisë Demokratike. 1260 delegatët që morën pjesë në një proces maratonë votimi, që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes, zgjodhën Berishën dhe votuan për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Në garë për një karrige në Këshillin Kombëtar të PD-së ishin jo pak, por 400 kandidatë, nga të cilët u zgjodhën vetëm 100 të tillë. Lista me emrat fitues mban shumicën e deputetëve të PD-së, ministrat e partisë, si dhe këshilltarët e Berishës dhe një pjesë drejtorë drejtorish. Ajo që ra në sy në këtë listë është mungesa e disa emrave që njihen si oponentë të kryeministrit Berisha. Nuk arritën të marrin votat e duhura për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar dy individë që janë anëtarë të Kryesisë Qendrore, Aleksandër Biberaj dhe Omer Stringa. Po kështu, në listën fituesve mungonin disa ish-anëtarë të Këshillit, ish-deputetë, si Ndriçim Babasi, Pal Dajçi e Sali Shehu. Duke e krahasuar me listën e mëparshme të anëtarëve të Këshillit janë vërejtur disa mungesa, si ajo e deputetëve Eris Hoxha e Leonard Demi, apo anëtarëve të vjetër, si Mitro Çela, Mujë Buçpapaj e Uran Butka. Ajo që ra në sy në listën e fituesve ishte numri i madh i anëtarëve të rinj që janë zgjedhur nga delegatët e Kuvendit Kombëtar. Megjithëse shumica e tyre janë të rinj dhe nuk njihen ende në qarqet mediatike, duket se ata kanë lidhje të ngushta me delegatët, ndaj dhe kanë marrë votat e tyre. Shumica e anëtarëve janë këshilltarë të Berishës të emëruar rishtazi. Hyrjet e reja në Këshill nisin me aktoren e mirënjohur Rajmonda Bulku, që zuri vendin e 17-të, duke marrë më shumë vota se anëtarë të vjetër të PD-së, vazhdojnë më tej me këngëtaren Çiljeta Xhilaga, e cila nuk mbetet pas për nga mbështetja që gëzon në radhët e demokratëve, duke marrë 502 vota. Më tej lista vazhdon me ish-zëdhënësen e kryeministrit Juela Meçani dhe zëdhënësen aktuale Erla Mëhilli. Më tej vijnë këshilltarët dhe ish-këshilltarët Berishës, si dhe ish zëvendësministra, tani deputetë të rinj të PD-së, si: Suzana Guxholli, Spiro Ksera, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Florian Mima, Keltis Kruja, Ledina Aliolli, Adriana Gjoni, Jorida Tabaku e Paulina Hoti.
Topi: “Politika shqiptare duhet të krijojë më shumë hapësira për të rinjtë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë fjalës së mbajtur dje në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, bëri thirrje që politika shqiptare të krijojë më shumë hapësira për të rinjtë. Ai tha se në këtë këndvështrim duhet t’i jepet fund debatit dhe nervozizmit dhe të merret shembull nga politika kosovare. “Politika shqiptare në vite është motivuar të bëjë debate të ashpra. Në shumë raste diktohen nga nervozizmi. Politika, siç ka kontributin për vitet e pluralizmit e për shumë reforma, ka defektet e veta. Politika do të realizohet më shumë nëse ka më shumë etikë, profesionalizëm e argument”, - theksoi presidenti. Duke përshëndetur zgjedhjet në Kosovë, kreu i shtetit nënvizoi se në Kosovë u vu re një element i ri, futja në politikë e të rinjve. “Kjo duhet të ndodhë dhe te ne. Politikanët me përvojë t’u lënë hapësirë të rinjve, jo miqve, por më të mirëve”, - u shpreh gjatë fjalës së tij presidenti Topi. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit përshëndeti liberalizimin e vizave për shqiptarët duke e cilësuar ditën e djeshme historike për vendin. “Sot është dita kur shqiptarët kanë hequr më së fundi atë pengesë fizike, por më shumë psikologjike, për të prekur të lirë Europën dhe kjo simbiozë që e lidh me ceremoninë e sotme është shumë kuptimplotë. Kjo është një ditë, e cila patjetër do të memorizohet dhe do të shkruhet me germa të arta në historinë e një populli, i cili e ka kërkuar më shumë se gjithë të tjerët lirinë, një liri të munguar, një liri të izoluar për shumë vite, për shumë dekada. Të gjithë kanë kontributin e tyre në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, sepse liria, tek e fundit, nuk vjen një ditë” - është shprehur presidenti. Më tej ai ka vlerësuar Shkollën Shqiptare të Studimeve Politike. “Të gjithë ata që janë sot, të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë këtyre 20 viteve, janë katapultuar në politikë nga profesionet e tyre, profesione nga më të ndryshmet. Por shkolla e politikës së eksperimentuar, natyrisht është shumë e vyer, por të marrësh dije në shkolla specifike me standarde europiane, por dëshirojmë t’i rritim këto standarde për t’u perfeksionuar në të gjitha linjat, besoj që është një gjë e madhe, një shans i madh”, - është shprehur Topi.
Presidenti Topi dekoron tre ambasadorë të NATO-s
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Medaljen e Mirënjohjes tre ish-ambasadorë të NATO-s që mbështetën fuqimisht anëtarësimin tonë në Aleancë, përkatësisht ambasadorin e Turqisë, Taxhan Ildem, ambasadorin e Italisë, Stefano Stefanini dhe atë të Greqisë, Teri Trasivulos Stamatopulos, me motivacionin: “Për kontribute të veçanta në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Në ceremoninë zyrtare të rastit, të organizuar në Presidencë, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi punën e bërë nga këta ambasadorë dhe ndihmën e dhënë prej tyre. “Ne kemi pasur gjithashtu një ndihmë të jashtëzakonshme edhe nga vendi fqinj, Greqia, nga Italia dhe nga Turqia, të cilat i falënderojmë në një mënyrë të veçantë. Patjetër që një rol dhe ndihmë e jashtëzakonshëm në të gjithë këtë proces, i cili natyrisht që kishte edhe vështirësitë e veta, na është dhënë edhe nga tre ambasadorët, që janë këtu sot”, - është shprehur presidenti Topi. Tre ambasadorët, nga ana e tyre, shprehën falënderimet e tyre dhe garantuan se gjatë punës së tyre do të bëjnë çmos për të ndihmuar Shqipërinë.
16 Dhjetor 2010